SHBA, rezolutë kundër ndërhyrjes ruse në Ukrainë

49

SHBA_466378_thumb_largeNdërkohë që kriza në Ukrainë vazhdon, Dhoma e Përfaqësuesve miratoi me shumicë dërrmuese të votave një rezolutë e cila dënon shkeljen e sovranitetit të Ukrainës nga ana e forcave ushtarake ruse, dhe bën thirrje për vendosjen e vëzhguesve ndërkombëtarë në Krime dhe rajone të tjera të Ukrainës. 403 ligjvënës votuan në favor të rezolutës dhe gjashtë prej tyre votuan kundër.

Me një shfaqje të rrallë të unitetit, Dhoma e Përfaqësuesve miratoi masën e dytë në më pak se një javë për të treguar solidaritet me popullin e Ukrainës. Javën e kaluar, Dhoma e Përfqësuesve miratoi një projekt-ligj për t’i dhënë 1 miliard dollarë hua të garantuar qeverisë së re ukrainase. Senati gjithashtu po shqyrton një paketë ndihmash për Ukrainën, por nuk ka votuar ende. Qeveria e përkohshme e Ukrainës i ka bërë thirrje për ndihmë Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe.

Ligjvënësi demokrat Steny Hoyer tha se rezoluta e miratuar dje tregon qëndrimin e amerikanëve mbi ndërhyrjen ruse në Ukrainë.

“Populli i Ukrainës i cili dëshiron të ndërtojë një të ardhme të bazuar në demokraci dhe liri do të na dëgjojë dhe do të forcohet nga mbështetja jonë”.

Duke marrë parasysh ngecjen e përpjekjeve diplomatike për zgjidhjen e krizës, disa udhëheqës republikanë janë duke bërë thirrje që Shtetet e Bashkuara të përshpejtojnë eksportin e saj të gazit natyror në Evropë, pasi Ukraina dhe një numër i vendeve evropiane janë të varura nga Rusia për nevojat e tyre të energjisë. Luke Messer është ligjvënës republikan.

“Amerika duhet të shfrytëzojë këtë mundësi për të zgjeruar prodhimin e energjisë dhe eksportimin e saj për t’i dërguar një mesazh të qartë Ukrainës, Rusisë dhe aleatëve tanë se Amerika nuk do të lejojë Rusinë të përdorë burimet e saj të energjisë për të frikësuar botën”.

Sot, Kryeministri i përkohshëm ukrainas, Arseniy Yatsenyuk do të vizitojë Shtëpinë e Bardhë dhe kongresin amerikan ku ai do të takohet me kryetarin e Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, Robert Menendez dhe anëtarë të tjerë të këtij komisioni.