Veliaj takon kreun e ri të KMSH-së: Mbështetje për Xhaminë e Namazgjasë

49

brucajMinistri i Mirëqënies Sociale Erjon Veliaj i ka premtuar sot kreut të ri të Komunitetit Mysliman, Skënder Bruçaj për zgjidhjen e  problemeve që do t’i hapin rrugë ndërtimit të Xhamisë së Namazgjasë.

Pas takimit me kreun e ri të Komunitetit Mysliman, ministri Veliaj theksoi se qeveria shqiptare është në fazë negociatash me pronarët e tokës.

“Jam i ndërgjegjshëm që disa çështje duhet t`i zgjidhim shumë shpejt dhe njëra prej tyre është ajo e Xhamisë së Namazgjasë. Një nevojë e jashtëzakonshme e komunitetit për të pasur një hapësirë të shprehjes së besimit. Qeveria shqiptare është në një fazë negociatash me pronarët dhe me ata që kanë një pjesë të pretendimeve për tokën. Jemi të përkushtuar që t`i zgjidhim këto çështje shumë shpejt dhe të fillojmë menjëherë ndërtimin e xhamisë. Jam i bindur që kjo është e rëndësishme edhe për lidershipin e ri të Komunitetit” tha Veliaj.

Ndërsa kreu i ri i Komunitetit Mysliman Skënder Bruçaj falënderoi ministrin Veliaj për mbështetjen për realizimin e projektit të Namazgjasë që sipas tij është ëndrra e të gjithë myslimanëve.

Gjithashtu Bruçaj mohoi të ketë probleme me të ardhurat për ndërtimin e Xhamisë së Madhe të Tiranës.

“Me zgjidhjen e disa problemeve të vogla dhe mbështetjen e qeverisë besoj se jemi më afër se kurrë drejt realizimit të këtij projekti të madh” tha ai.