“Terrorizmi”, sot masa e sigurisë për 4 myslimanët e tjerë të arrestuar

48

terrorizmiNën masa të rrepta sigurie ka nisur sot seanca gjyqësore ndaj 4 nga 8 të arrestuarit, të akuzuar se rekrutonin besimtarë myslimanë me qëllim dërgimin e tyre në konfliktin e Sirisë.
Gjykata e Krimeve të Rënda i ka komunikuar masën e sigurisë “arrest në burg” Astrit Tolës dhe Orion Reçit ndërsa pritet t`u komunikohet masa edhe Edmond Ballës, i dyshuar si organizator i këtij rrjeti që siguronte luftëtarë për konliktit në Siri dhe Verdi Moravës, biznesmen i cili dyshohet se mbështeste finaciarisht këtë rrjet.
Ndërkohë dje gjykata i komunikoi akuzat edhe dy imamëve të vetëshpallur Genc Balla dhe Bujar Hasa si dhe për dy besimtarët Fadil Muslimani dhe Zeqir Imeri.
Ndërkohë 6 persona të tjerë janë shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare,të cilët dyshohet se ndodhen në Siri për të luftuar.
Shkelzen Dumani, i cili dyshohet se ka marrë edhe dy fëmijet e tij të mitur në Siri është në kërkim ndërkombëtar. Në kërkim janë edhe Gerti Pashja, Shyqyri Kaca, Alamir Daci, Erion Reci dhe Medi Manellari.
Tre ditë më parë u arrestuan 8 besimtarë myslimanë, mes tyre dhe dy imamë të vetëshpallur xhamish, të cilët akuzohen për terrorizëm.
Operacioni për kapjen e tyre u zhvillua në 4 qytete të vendit,në Tiranë, Elbasan, Pogradec dhe Librazhd.
Sipas Prokurorisë të Krimeve të Rënda të gjithë këta persona akuzohen për veprat penale të “Rekrutimit të personave me qëllim kryerjen e veprimeve terroriste”; të “Nxitjes, thirrjes publike dhe propaganda për kryerjen e veprave penale me qëllime terroriste”, dhe të “Nxitjes së urrejtjes ose e grindjeve ndërmjet kombësive, racave dhe feve”
Thirrje për protestë sot para Kryeministrisë
Ndërkohë mbështetësit e 7 myslimanëve të arrestuar dy ditë më parë, bëjnë thirrje për protestë.
Në një postim në faqen e Facebook-ut “Kundër arestimit të Hoxhës Abdurrahim Balla” u bëhet thirrje të gjithë besimtarëve që të dalin sot pas faljes në protestë para Kryeministrisë.
“Ju bëjmë thirrje gjithë vëllezërve nga Tirana të dalin në shenjë proteste kundër arrestimit të vëllezërve tanë nga policia!” thuhet në njoftim.