Të mos vrasësh Sorkadhen

88

ARTUR zhejiArtur Zheji

Sorkadhja, kur e vrasin kthen kokën nga Lindja dhe qan! – më rrëfeu ca ditë më parë Biku, një fshatar eshtak, punonjës gjithçkabërës në një hotel luksoz në fshatin Dardhë. “Ka nga ata gjuetarë të pashpirt që e vrasin sorkadhen edhe kur është me të vegjël pas, por kur unë ndeshem me këta, u bërtas dhe përleshem”, vijon gjithçkabërësi, që çan dimrave borën e trashë të malësisë së Korçës dhe i ka gati lotët për sorkadhet, me sa duket shoqet e veta të bashkëvuajtjes të botës së gjallorëve. Pavarësisht nëse je sorkadhe apo njeri me gjakësi ujku.

Nëse flet me dardharët e paktë të mbetur, ata të mburren me të drejtë se e kanë mbrojtur si pakkush kurorën e pyllit të tyre. Dhe rrugëve të fshatrave andej, por sigurisht edhe rrugëve të fshatrave gjithandej, në këto javë dhe muaj, ashtu si edhe ndodh çdo vit, masakra e pyjeve pa Zot, loton luginë mbë luginë dhe shkrep më shkrep. Kjo natyrë përrallore për nga magjia dhe pasuria, është pushtuar nga banda njerëzish të egër, që e vrasin, si sorkadhet, apo e shfarosin, si pyjet, zhavorret, mermerët dhe gjithçka që shitet e blihet dhe që mund të grabitet pashpirtësisht.

Dhe Biku, apo një si Biku, si dikur i fundmi i Mohikanëve në Amerikën e largët, është një rojtar i armatosur me një pastërti çarmatosëse ndërmjet dy botëve. Njërës, bota e sorkadheve dhe luadheve të vërteta, të prekshme dhe me aromë, që po vdes dhe tjetrës, prej plastmasi, silici, iluzive dhe virtuale në tërësinë e vet.

Sigurisht një gjuetie të tillë në botën reale që po vdes, nuk i shpëtojnë as edhe shqiponjat. Nuk flas këtu për shqiponjat e stamposura mbi cohë të kuqe, por për ato shpendë që dikur mendohej apo thuhej se kishin me shumicë “malet tona të larta”. Në këtë shkretëtirë që me neps duam të mbjellim në tokë të të parëve, kemi ngritur dhe ngremë çdo ditë pika karburanti, kioska, paloshtëpira, mejhane, qilima betoni që gurgullon nga kokrrat e zhavorrit dhe të rërës së plazheve e lumenjve, një peizazh pra i zhgarravitur si askund rrotull nesh, nga një ndotje e përgjithësuar estetike. Nga një bashkëjetesë me zhulin dhe shëmtinë, që dëshmon antikulturë, dhunë dhe varfëri.

Porse kontrasti është i madh kur sheh krehjen dhe kremosjen e borgjezëve dhe borgjezkave të reja, që nga veturat e tyre të shtrenjta, mbasi hedhin rrugëve mbeturinat e rastit, nisen aeroporteve të Evropës apo të tërë Dynjasë, për të shpenzuar dorëshpenguar milionat e fituara, nga mbitoka, deti, nëntoka dhe njerëzit milingona të këtij vendi. Dhe bëjnë mijëra foto dhe selfie, ku shfaqen në shkëmbimet më së shumti idiote në fb, duke prekur shtylla mermeri, duke ledhatuar skulptura, duke pozuar me kryeveprat e natyrës apo të artit që bota i ka, ndërsa këta, po këta, këtu, në vendin nga u nisën, i dhjesin, i pshurrin, apo i vrasin, mbasi i zhvasin.

Kjo supë e pështirë, gatuar me injorancë, meskinitet, me zgavra kafkash pa tru dhe pa ndjenjë, ky lëng i trashë mediokriteti dhe kotësie derdhet ngado ku mundet, zyrave të larta të vendimmarrjes, vilave të banuara nga fantazma të vetëkënaqura, barakave ku ngjizen, shtohen dhe kultivohen skllevërit e së nesërmes.

E pra, në këtë zvarritje, ecje apo rendje, të një pothuaj bimësie turmash njerëzore që shtriqet horizontalisht, përgjithësisht e pakuptimtë.

Pa Zot, pa Atdhe, pa Qëllim.

Në vend të ndjenjës apo zemrës, një makinë llogaritëse. Me shpinë ndaj njëri-tjetrit. Me thikë në brez dhe me maskë në sy.

Mirëpo ndoshta Biku thatan, i punësuar në Dardhë por jo nga Dardha, Biku që çan borën dymetroshe dhe nuk i trembet ujkut, çfarëdo ujku qoftë ai, me një buzëqeshje të harruar shenjtori, Biku pra, që ndoshta askush apo pakkush e njeh, bart në psherëtimën e tij të vetmuar për vdekjen e Sorkadhes, aq Frymë dhe aq pastërti shpirtërore, saqë do të mjaftonte për të pastruar për ca kohë frymët e rënda të së ashtuquajturës elitë, që krekoset majë koteceve tona nacionale.

Sepse Biku, si edhe ndoshta të tjerë të panjohur si ai, mbrojtës së jetës së mbetur dhe mbrojtës të jetësores së shfarosur, kanë, ndoshta pa e ditur as vetë, një Ideal dhe një qëllim. Që është mrekullisht mënyra e tyre e jetës.