Të gjithë kundër dhunës

69

grua qe qanValeria Dedaj
Është vështirë të largosh nga mendja pamjen e një vogëlusheje që përpiqet të mbrojë nënën, me trupin e saj të brishtë, e tmerruar dhe mes lotësh, ende i dëgjoj ulërimat e saj. Është kaq e vogël, mes një turme njerëzish e megjithatë ajo është e vetmja që përpiqet të ndalojë grushtet e shqelmat që godasin pa mëshirë nënën e saj të pambrojtur. Një nënë, e cila përpiqet që dhuna të mos prek fëmijët, edhe një vogëlushe që përpiqet të mbrojë të ëmën. Rreth tyre ka shumë njerëz, por ato janë të vetme në këtë situatë dramatike, ku u duhet të mbrohen nga ai njeri, i cili duhet t’i mbronte. Po përse të ndodhë kjo? A e ka kjo grua, minimalisht, të drejtën për të mos u rrahur? Po këta fëmijë a kanë të drejtën të rriten, si fëmijë? Dhe mbi të gjitha ku ta kërkojnë këtë të drejtë? Fatkeqësisht gra në të tillë situatë në vendin tonë ka shumë, edhe të jemi realistë, a i ka policia kapacitetet për t’u dhënë mbrojtje secilës prej tyre? A është praktikisht e mundur që për çdo grua që dhunohet në Shqipëri, nga bashkëshorti, nga babai, apo nga të afërt të tjerë të kenë mbrojtje nga shteti? Dhe nëse jo atëherë ç’duhet bërë? Si duhet të ndalen këta “burra” të dobët, që gjejnë si zgjidhje të paaftësisë së tyre dhunën? Dhuna është krim, qoftë fizike dhe psikologjike ndaj gruas dhe fëmijëve dhe si e tillë duhet ndëshkuar, por të jemi të sinqertë përsëritjen e saj policia e vendit tonë e ka të vështirë ta parandalojë. Dhuna është një vakum i madh komunikimi, edukimi dhe kulture që nuk mund ta mbush një instancë e vetme. Ne duhet të zgjohemi dhe të ndërgjegjësohemi, si njerëz dhe shoqëri që nuk mund të qëndrojë indiferente nëse dy fëmijë ulërasin të tmerruar! Sot Marsela nuk është dhunuar vetëm nga ish bashkëshorti, sot mbi të goditëm edhe ne që patëm mundësi dhe nuk e ndihmuam, qoftë edhe të zgjidhnim duart edhe të lajmëronim policinë. Mund të ishte bija, motra juaj… Ata mund të ishin fëmijët, nipërit tuaj! Mos prisni që të jeni ju viktima që të reagoni! Si Marsela ka shumë të tjera që të strukura diku s’dinë ku të përplasin kokën, të detyruara në shumicën e rasteve prej kushteve ekonomike të familjeve nga vijnë, nivelit të ulët të arsimimit dhe papunësisë… Duhet të zgjohen të gjitha instancat, duke përfshirë shoqatat për mbrojtjen e grave, të fëmijëve, të drejtave të njeriut, t’u bëjnë të ditur këtyre viktimave se ka një rrugëdalje! Duhet të zgjohet ndërgjegjja qytetare brenda çdokujt nga ne që të mos kthejmë kokën në anën tjetër nëse shoqja, komshija e afërmja jonë dhunohet, mund të shpëtojmë një jetë! Duhet të merren masa për mbrojtjen e viktimave të dhunës dhe të mbahet i fshehtë identiteti i atij që denoncon! Organizatat për mbrojtjen e gruas dhe të fëmijëve që punojnë me fonde kryesisht në qendrat e Tiranës, aty ku le ta themi nevojiten më së paku, duhet të jenë më pranë gruas së zonave periferike, t’u mësojnë atyre, që të mos dhunohen është një e drejtë dhe jo privilegj, dhe që ato mund ta kenë një jetë pa dhunë! Jo vetëm kaq, psikologet pranë shkollave, mësuesit, ashtu si në çdo vend tjetër duhet të jenë vigjilent ndaj sjelljeve shqetësuese të fëmijëve, fatkeqësisht ata janë të parët që preken, dhe që shfaqin pasojat e dhunës, dhe duhet të denoncojnë, dhe jo ta rëndojnë më tepër situatën. Duhet të merren fushata sensibilizimi në shkolla dhe jo vetëm që vajza, gruaja t’i thotë ndal dhunës sa më herët të jetë e mundur! Shumë femra i nënshtrohen dhunës sepse mendojnë se nuk kanë ku shkojnë, nuk mundet thjesht tu themi se aty nuk mund të qëndrojnë, duhet që t’u tregojmë një rrugëdalje! Një nga hallkat më të rëndësishme të kësaj që duhet të ishte një lufte e një shoqërie që kërkon të integrohet, luftës kundër dhunës, duhet të jetë edhe media! Fushatat mediatike kundër dhunës së gruas, nuk mund të limitohen me spote publicitare, apo me emisione pas lajmeve tragjike, në bashkëpunim me instancat e tjera duhet bërë nga pak çdo ditë, sepse edhe media mund të edukojë! Por themelet e edukimit duhet mbi të gjitha të merren në familje, prandaj prindër mësoni fëmijët, djemtë tuaj se dhuna është forca e njerëzve të dobët, mësojini të respektojnë! Fjalët nuk mjaftojnë, jepni një shembull të mirë! Nuk më shqitet nga mendja vogëlushja që përpiqej të mbronte të ëmën me trupin e brishtë, dhe vështrimet me indiferencën vrastare, paskëtaj shqelmat dhe grushtet e atij që duhet t’i mbronte nga dhuna…