Siri, votohet sot për zgjedhjen e presidentit

53
Në obborrin e një shkolle të shkatërruar nga bombat në Alepo, Siri. (Zein al Rifai, Afp)
Në obborrin e një shkolle të shkatërruar nga bombat në Alepo, Siri. (Zein al Rifai, Afp)

Sirianët votojnë sot në zgjedhjet presidenciale nën masa të rrepta sigurie dhe nën kërcënimin e rebelëve, të cilët janë zotuar se do të prishin procesin. Presidenti aktual Bashar Al Assad pritet të fitojë në këto zgjedhje, për të siguruar një mandat të tretë në krye të kabinetit qeveritar, por kjo është hera e parë në këtë dekadë që ai do të ketë 2 kundërshtarë. Dy kandidatët e tjerë Maher Hajjar dhe Hassan al-Nuri nuk janë shumë të njohur, por megjithatë kanë zhvilluar një fushatë të barabartë me presidentin aktual.

Qendrat e votimit janë hapur në vend, pas 3 viteve në luftë civile ku kanë humbur jetën mijëra persona, ndërsa miliona të tjerë kanë braktisur shtëpitë.

Sipas analistëve, këto zgjedhje shihen edhe nga zyrtarët më të lartë të shtetit sirian si një mënyrë për të zgjidhur krizën që ka pushtuar vendin, ndonëse sipas tyre për sa kohë në pushtet do të vijojë të qëndrojë Assad, ka pak gjasa që situata të ndryshojë. Fushata elektorale u mbyll të hënën dhe të gjithë posterat e vendosur rreth e qark rrugëve kryesore të Damaskut janë hequr.

Kryeministri i Sirisë, Wael al-Halqi tha se këto zgjedhje janë një ditë historike për vendin dhe pjesëmarrja e lartë e qytetarëve do ti provojë perëndimit dhe mbarë botës, se populli sirian është i vendosur për të realizuar një proces të suksesshëm dhe se sirianët kanë të drejtë të votojnë dhe të zgjedhin atë që do të drejtojë vendin.

Sipas Ministrisë së Brendshme në Damask, janë 15.8 milionë qytetarë me të drejtë vote, brenda dhe jashtë Sirisë ndërsa në mbarë vendin janë hapur 9600 qendra votimi. Votimi pritet të mos mbahet në ato territore të vendit që janë nën kontrollin e rebelëve. Qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 me orën lokale dhe do të mbyllen 12 orë më pas, në orën 19:00 të mbrëmjes.