Rama: Vajzat dhe djemtë shanse të barabarta për t’u përzgjedhur si pjesë e Policisë së Shtetit

50

ramaNë Pallatin e Kongreseve janë paraqitur rreth 10 600 aplikantë për shkollën bazë të policisë. Paraditen e sotme kandidatët, nga të gjitha qarqet janë thirrur në Pallatin e Kongreseve për të dhënë udhëzimet e nevojshme mbi procesin e konkurrimit. Po ashtu aplikantët do të ndjekin dhe ceremoninë që do të zhvillohet në kuadër të fillimit të procesit të testimit të shkollës bazë të policisë “Për patrullë të përgjithshme”. Në këtë ceremoni ka qenë i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, i cili në fjalën e tij ka kërkuar që të dyfishohen pranimet në shkollën e policisë, nga 500 në 1000 vende. Sipas kryeministrit ky vendim u mor për të gjeneruar policinë me kapacitet të ri njerëzor, pasi policia ka moshën më të vjetër sot.

“Valë të jashtëzakonshme aplikimesh që asnjëherë më parë nuk solli për të trokitur në derën e policisë më shumë se 10 mijë aplikantë. Sot unë besoj se është dita që me miratimin tuaj t’i kërkojmë ministrit të Brendshëm dhe drejtorit të policisë dhe strukturës që ka përgatitur konkursin që ta dyfishojmë dhe ta bëjmë 1 mijë. Jo sepse u bë deti kos, por për një arsye shumë të thjeshtë pasi ne nuk kemi kohë për të humbur për më shumë siguri, për më shumë inovacion dhe më shumë progres pasi pjesë themelore e kësaj beteje është transformimi i policisë, duke rritur kapitalin njerëzor dhe duke bërë që policia e shtetit sot të ketë një moshë mesatare më të re të krahasuar me të gjithë rajonin dhe Europën. Me gjithë respektin për të moshuarit, policia nuk mund të jetë streha e atyre që presin të dalin në pension, apo e atyre që duan të marrin një asistencë. Ky është vendi i vajzave dhe djemve më të vendosur dhe më patriot”, u shpreh Rama. Rama premtoi trajtim të njëjtë të gjithë konkurrenteve duke theksuar se përzgjedhja e fituesve do të bëhet sipas meritës dhe jo sipas njohjes.

Saimir Tahiri

Për ju sot si kurrë më parë, 10 mijë djem dhe vajza jeni prova më e fortë e besimit për gjithçka jemi, do jemi dhe duhet të jemi të gjithë bashkë. Do të jeni gjenerata e policisë moderne që do të garantojë sigurinë për qytetarët.  Ju sot këtu, je nxitja më e madhe se gjenerata e ligjit dhe e drejtësisë është sot këtu.  Dhe kjo më bën që unë të vijojë me reformimin e policisë së shtetit. Në kaq pak kohë kemi arritur te kthejmë kursin, te frenojmë degradimin e policisë, të luftojmë me paligjshmërinë dhe të arrijmë rezultate konkrete dhe ta kthejmë policinë e shtetit në krye të detyrës. Dhe sot vendi është më i sigurt dhe do të vijojë të jetë edhe më shumë në vazhdim sepse ne sapo kemi nisur. E gjetëm policinë në ditët e veta më të vështira. Në vitet e fundit policia u braktis, asaj u paralizua nervi i drejtësisë.  Humbi besimin që mund të ekzistonte Policia e Shtetit pa tradhti të vogla. Kjo sallë sot nuk është djepi, por po lind brenda nesh idealin e drejtësisë.

Artan Didi

Radhët e Policisë së Shtetit do të rigjenerohen. Policia ka nevojë për dinamizmin e brezit të ri. Policia ka nevojë për njerëz të përkushtuar. Detyrat në fushën e rendit dhe të sigurisë janë sfiduese. Ne jemi të vendosur të përballemi me vështirësitë pasi kemi burimet e pashtershme të energjisë që vijnë nga ju, nga brezi i ri. Kjo ditë është me rëndësi edhe për ju të nderuar kandidatë pasi ata që do të fitojnë testin do të fillojnë rrugën e gjatë për t`u bërë një punonjës policie. Konkurrimi juaj bëhet kur organizata e policisë po i bëhet një reformë e thellë ku prioritet është arsimimi.