Rama: PD i mbron politikisht të akuzuarit nga drejtësia, ndryshe nga PS

52

Rama-te-fevzo-1024x679Kryeministri Edi Rama, i ftuar në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, flet për 100 ditët e para të punës së qeverisë së tij, duke argumentuar aksionet e policisë së shtetit, marrëdhënien e ekzekutivit me FMN-në, paketën e re fiskale dhe pasojat që janë vënë re në ditët e para të zbatimit të saj. Kryeministri iu përgjigj edhe dyshimeve për “krisje” të raporteve të Shqipërisë me SHBA-në për shkak të vendimit për armët kimike, duke theksuar se Jo-ja e Shqipërisë nuk ka lënë asnjë hije në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Më poshtë lexoni një pjesë të intervistës së kryeministrit, dhënë sot në mbrëmje në “Opinion”.

Gjobat janë shqetësimi kryesor i qytetarëve, a është një fushatë e paligjshme dhe abuzive e Policisë së Shtetit?
Gjobat e papaguara janë një problem që e kemi marrë përsipër ta zgjidhim dhe do ta zgjidhim. Sistemi është duke u përmirësuar çdo ditë. Qytetarët kanë mundësi të verifikojnë gjobat e tyre nëse kanë apo nuk kanë gjobë, në sistemin online të gjobave. Qytetarëve u jepet dhe një mundësi apelimi dhe ata kanë në dorë një faturë që i lejon të qarkullojnë. Një pjesë të njoftimeve qytetarët nuk e kanë marrë për shkak të kaosit me sistemin e adresave. Por gjithsecili mund të verifikojë vetveten në sistemin online të Ministrisë së Brendshme. Ka pasur një periudhë më shumë se dyjavore lajmërimesh. Qytetarët duhet të merrnin të gjitha masat për pagimin e gjobave. Nuk është një sistem i përsosur. Me siguri ka dhe defekte, por ky është një proces që ka filluar, që nuk do të ndalet dhe ne nëse duam të bëhemi një vend normal, ne duhet të gjithë të biem dakord që çdo rregull duhet respektuar nga të gjithë.
Në këto 100 ditë të qeverisjes duket se rendi është në një situatë katastrofike… 
Është e vërtetë që krimi është një problem, por në vetëm 100 e pak më shuam ditë, ne kemi ulur numrin vrasjeve në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, e kemi pothuajse përgjysmuar. Pa asnjë dyshim që jemi ende në një rrugë ku jemi vetëm në fillim dhe deklarata jonë, zotimi ynë, programi ynë janë qartësisht angazhim për të vendosur Policinë e Shtetit në krye të detyrës brenda 300 ditëve. Kjo nuk do të thotë që pas 300 ditësh nuk do ketë asnjë krim, asnjë vrasje, asnjë problem. Sot qytetarët po e shohin vetë ndryshimin e dukshëm dhe të prekshëm të sjelljes dhe rezultateve të Policisë së Shtetit. Për herë të parë në Shqipëri, ministrat gjobiten dhe paguajnë gjoba, deputetët gjobiten dhe paguajnë gjoba, eskorta e kryeministrit respekton semaforin.
Kali juaj kryesor i betejës në fushatë ka qenë ulja e borxhit publik, ndërkohë që ju e keni çuar në 75%, ku është premtimi?
Ne nuk kemi rritur borxhin, por kemi legalizuar një borxh që ishte aty, borxhin e qeverisë të fshehurin. Borxhin e padeklaruar, ai borxh që u skanua dhe doli në dritë në bashkëpunim me FMN dhe me një kompani ndërkombëtare auditimi prej 726 mln dollarësh, që ishte një borxh i padeklaruar. Thjesht kemi legalizuar borxhin e trashëguar, siç do të legalizojmë edhe ndërtimet pa leje të trashëguara. Shqipëria sot nuk ka një qeveri që i shkruan shifrat vetë, që çfarë do e shkruan, çfarë do nuk e shkruan. Shqipëria është e angazhuar në një marrëdhënie dhe program të ri me FMN. Përfshirja e FMN-së është garancia për popullin shqiptar dhe Shqipërinë se në katër vitet e ardhshme borxhi do të kthehet në shifra shumë më të pranueshme nga këto që kemi sot dhe do të shkojë në 64%. Ky është një objektiv i nënshkruar në marrëveshjen me FMN-në, është dokumenti bazë i një monitorimi të rreptë.
Sa është borxhi sipas jush që po merrni?
Ne kemi marrë një borxh shumë të favorshëm nga FMN, nga Banka Botërore dhe nuk dua të flas për shifra konkrete pa kaluar në bordin e FMN-së marrëveshja. Nuk dua të spekulohet me këto shifra. Borxhi që kemi marrë është një borxh për të rivënë në lëvizje gjithë ekonominë dhe për t’i dhënë fund një historie të tmerrshme manipulimi me publikun.
Paketën fiskale e keni patur një nga kredot politike, ju thoni taksë të ndershme, ndërsa të tjerë thonë që ishte një ndryshim që u bë për të mbushur gropën e zezë që ju ishte lënë…
Kemi mbajtur zotimin solemn dhe sot kemi 97% të qytetarëve që paguajnë më pak. Unë si kryeministër do paguaj më shumë se paraardhësi im, ministrat do të paguajnë me shumë seç paguanin. Ne nuk kemi masakruar askënd, përkundrazi edhe në nivelin e lartë kemi taksa ndër më të ulëtat në Europë.
56% e këtij 97% paguhen nën 300 mijë lekë, që do të thotë nuk paguajnë taksa…
300 mijëshi me tatimin mbi të ardhurat zero ishte propozimi ynë i fundvitit të shkuar. U mor në vigjiljen e etheve elektorale dhe copy paste u fut dhe u adaptua nga qeveria paraardhëse. Ata 300 mijë e kanë përfituar këtë nga programi ynë i rilindjes, 6 muaj apo një vit në avancë. Ai që paguhej 300 mijë nuk paguante taksa ai që paguhej 301 mijë paguante 10%. Sot nuk është më kështu.
Rritja e akcizës ka rritur çmimet, kjo paketë fiskale a i ka varfëruar më shumë shqiptarët?
Në rritjen e çmimit të naftës, në Shqipëri sot kemi konstatuar që ka një element abuziv dhe ne po merreni shumë seriozisht me këtë element abuziv. Është një rritje që nuk përkon me rritjen që kishim parashikuar. Përsa i përket cigareve është një rritje e vetëdijshme edhe për të dekurajuar, ashtu siç e bën gjithë bota, për të dekurajuar konsumin e cigareve. Sot çmimet e cigareve në gjithë botën janë rritur e vazhdojnë të rriten edhe si pjesë e nevojës për të demotivuar konsumin e duhanit.
Lidhur me padinë ndaj ish –ministrit të mbrojtjes, ju keni shkruajtur në Facebook, të ndëshkohet ish-ministri, nuk e quani një gabim, i qëndroni këtij statusi?
Të ndëshkohet për korrupsion nuk është një urdhër, sepse unë nuk kam nën urdhër prokurorinë, as gjykatat. Por përderisa qeveria ngre një padi, kërkon ndëshkim. Dorëzon padinë dhe thotë zoti prokuror ish-ministri të ndëshkohet. Në këtë rast është praktikisht deklarata e publikuar në media, që është postuar nga stafi im, por nuk ia kam tërhequr veshin stafit tim.
Kompleksi “Jon”, a ishte hakmarrje politike e drejtpërdrejtë për konkurrentin tuaj?
Deri në fund nuk e kam besuar që në këtë ngrehinë monstruoze kishte dorë kryetari i opozitës, kam thënë i bien në qafë kot. Rasti korrekt është flagrant dhe ne presim që prokuroria të zbardhë të gjithë zinxhirin e grabitjes që i është bërë qytetit të Vlorës dhe publikut duke i marrë detin për të ndërtuar pallat. Presim që prokuroria ta zbardhë dhe ti ndëshkojë në mënyrë absolute. Do të shembim çdo ndërtim brenda ligjeve të këtij vendi. Është projekt zhvillimi i vijës bregdetare më të bukur që ka Shqipëria.
A keni dështuar në raportet me SHBA në rastin e armëve kimike?
Jo
Përse nuk vutë në dijeni kryetarin e parlamentit për këtë çështje?
E kam vënë në dijeni që në momentin e parë.
Vetë kryetari i parlamentit ka thënë në shtyp që nuk i dinte të gjitha detajet në lidhje me këtë operacion…
Kryetari i parlamenti ishte i informuar.
A është e vërtetë që në sirtaret e punës tuaj gjendet një letër e presidentit Obama?
Unë kam marrë një letër nga presidenti dhe nuk e kam parë të arsyeshme ta publikoj në ato momente. Nuk doja që në atë tollovi antiamerikanizmi që u shfaq me forcën brutale të një opozite të çakërdisur të përfshihej edhe letra e presidentit.
A ka lënë hije në raport me SHBA, jo-ja për armët kimike?
Nuk ka lënë asnjë hije. Marrëdhëniet janë të shkëlqyera, janë marrëdhënie reciprociteti.
Çfarë do të ndodhë me personat që janë larguar nga administrata nga 1 tetori, do të kthehen mbrapsht?
Do të presim zbardhjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Do të marrim pastaj hapat tona. Do të lexojmë vendimin dhe do të shikojmë pastaj hapat që do të marrim. Ne po bëjmë një reformë në respekt të plotë të ligjit dhe në të gjitha procedurat kemi respektuar ligjin e ri.
Kryetari i Bashkisë së Kamzës ndodhet pas hekurave, ndërsa kryetari i Bashkisë Vlorë gjykohet në gjendje të lirë, a ka një dallim politik?
Kur kryetari i Bashkisë së Vlorës u vendos nën akuzë ne nuk e morëm në mbrojtje politike, por nënvizuam që mbështesim prokurorinë dhe organet kompetente për një proces që duhet të jetë i drejtë, i pavarur. Ndërkohë që kur eksponenti i PD-së u vu nën akuzë, u mor në mbrojtje politike, madje u vizitua edhe në burg.

Në marrëveshjen me FMN-në a parashikohet që mosha e pensionit të rritet nga një vit çdo vit?

Nuk ka asgjë të tillë, parashihet reformë e pensioneve. Të gjitha çfarë thuhet janë spekulime dhe nuk kanë lidhje me realitetin. Reforma e pensioneve në çfarëdo lloj forme që do të jetë do të afektojë ata që janë 40 vjeç e poshtë dhe jo ata që janë sot në pension. Reforma do të shtrihet në kohë dhe është reforma për të shpëtuar vendin e gjeneratës tjetër.

Keni premtuar legalizime falas, a është një premtim i dështuar elektoral i juaji?
Konfirmoj që brenda katër viteve do t’i japim fund kësaj drame të madhe dhe kësaj loje të madhe. 300 mijë familje janë në një situatë ilegale, 160 mijë prej atyre që kanë aplikuar për legalizim, nuk kanë parë akoma që t’ju trokasë shteti në derë. Janë 50 mijë dosje që janë një katrahurë më vete. 26 mijë prej tyre kanë marrë certifikatën, atë që unë e kam quajtur Shaban Tapinë. Ne do të ndryshojmë komplet politikën me legalizimet. Do të çojmë shtetin në zonat informale dhe brenda këtij muaji do të shpallim qartësisht platformën e legalizimeve falas., ashtu siç ne i kuptojmë këto çështje. Platforma ka alternativa, njerëzit do të mund të zgjedhin mes alternativave./TV KLAN