Rama me përfaqësuesit e biznesit: Komunikim të drejtëpërdrejtë me qeverinë

Share This
Tags

rama me biznesinKreu i qeverise, Edi Rama është takuar ditën e sotme me përfaqësues të biznesit. Rama gjatë takimit ka premtuar për një marrëdhënie sa më të hapur me biznesin, për të pasur sa më shumë mundësi për bashkëpunim.  Ai tha se, sipërmarrësit e bizneseve tani do të kenë mundësi të flasin drejtpërdrejtë me qeverinë.

“Do të prezantojmë një risi në shërbimin e sipërmarrjes dhe në vazhdën e ngritur me Këshillin Ekonomik Kombëtar, që do të shërbejë si një forum, ku do të trajtohen të gjitha kërkesat e sipërmarrjes në raport me administratën, qeverisjen dhe kuadrin legjislativ. Për ta bërë të mundur që komunikimi i çdo sipërmarrësi me qeverinë të jetë i drejtpërdrejtë, i hapur dhe konkret në mënyrë që ne të jemi në gjendje t’i vijmë në ndihmë çdo biznesi, kur ndeshet me pengesa arbitrare apo administrative. Ne kemi krijuar edhe sekretariatin e Këshillit Ekonomik kombëtar”.

Rama foli edhe për portalin online që është  hartuar  për sipërmarrjen, ku do të njoftohet për çdo vendim të qeverisë lidhur me këtë sektor, para se vendimet të kalojnë në Këshillin Kombëtar.

“Synojmë për thithje të mendimit sa më të gjerë, për të vënë në dispozicion çdo opinion, pro apo kundër. Portali do të vlejë edhe për informimin në kohë reale të problemeve që mund t’i dalin çdo sipërmarrësi në raportet me shtetin, administratën, e posaçërisht me administratën doganore e tatimore. Këtë e shohim edhe si mbështetje për qeverinë në përpjekjen për të luftuar informalitetin, arbitraritetin dhe për të ngritur në një nivel të ri qasjen dhe sjelljen e administratës sonë doganore e tatimore”, tha Rama.

Rama tha se ka anuluar një pjesë të mirë të koncesioneve për të shmangur praktikën korruptive dhe konkurrencën e pandershme. Kreu i qeverisë u ndal te pullat fiskale dhe tha se, është një problem shumë i madh që nuk ka sjellë asnjë fitim. Sipas kryeministrit ky shqetësim do të marrë fund së shpejti.

“Koncesione kemi anuluar, jo pak por kemi qenë dhe jemi vendosmërisht kundër kthimit të kësaj praktike, në një praktikë korruptive arbitrare për të privilegjuar, disa në kurriz të të tjerëve dhe për të cenuar rëndë konkurrencën. Së shpejti do të avancojmë me disa koncesione, ajo e pullave fiskale problem shumë i madh, se nuk ka garantuar asnjë lloj ndryshimi cilësor të këtij shërbimi, nuk ka sjellë asnjë lloj investimi të konsiderueshëm dhe përmirësimi teknologjik dhe i merr arkës së biznesit një sasi parash tërësisht të paarsyeshme rëndon biznesin dhe buxhetin e shtetit dhe nuk sjell përmirësim në asnjë aspekt, është një situatë e papranueshme. Ministria e Zhvillimit Ekonomik është pothuajse në fund të dhe do japim zgjidhjen tonë që do e dërgojmë në Parlament, për një qëllim, për të shpëtuar biznesin dhe për të lehtësuar arkën”.

I pyetur në lidhje me politikat lehtësuese për fasonët , kryeministri Rama u shpreh se në pranverë do të miratohet një paketë e posaçme lehtësuese për këtë industri.

“Kjo është një ndër pikat themelore të programit dhe të projektit tonë për punësimin dhe stimulimin e të gjithë aktiviteteve që sjellin punësim dhe investime të mëtejshme. Jeni njohur me marrëveshjen që kemi bërë me FMN-në, jemi në një program të ri që është shprehje e vullnetit tonë për të kthyer ekonominë dhe financat e vendit në binarët e një stabiliteti të qëndrueshëm ekonomik dhe drejt një modeli të ri zhvillimi. Në kushtet kur kjo marrëveshje u diskutua, qeveria ishte e detyruar të respektonte pikë për pikë, të marrjes përsipër të borxheve që deri dje as nuk regjistroheshin si pjesë e borxhit publik dhe marrjes përsipër të shlyerjes së tyre. Do të ishte e tepër që të kërkohej nga qeveria që të shkohej më tutje për masa lehtësuese jashtë marrëveshjes. Ne kemi disa synime shumë të qarta që i pari është në lidhje me pyetjen tuaj: Që ne të lehtësojmë sa më shumë çdo aktivitet që lehtëson punën tuaj dhe brenda pranverës do të dalim me një paketë të posaçme, që do të lehtësojë ata që janë në këtë aktivitet dhe do të thithë më shumë investime.  Me qeverinë italiane përmes ambasadës dhe me dhomat italiane të tregtisë kemi nisur një proces komunikimi që të vijnë investime të tjera, duke nisur nga fasonët dhe kjo është një arsye për të qenë të gatshëm për këtë paketë” u shpreh Rama.

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>