Rama: Administrata Tatimore në shërbim të taksapaguesve dhe qytetarëve

44

rama-kryeminister_0Kryeministri i vendit Edi Rama, në një takim me Administratën Tatimore, deklaroi se kjo administratë duhet të jetë në shërbim të taksapaguesve dhe të biznesit. Sipas kryeministrit etika e saj janë shkresat. Ai theksoi faktin se njerëzit që paguajnë më shumë taksa kanë më shumë frikë.

“Qytetarët shqiptarë sot kanë halle, probleme, konflikte për të cilat trokasin në dyert e shtetit dhe administratës, qytetarët tanë kanë dhe shpresa, ambicie të shprehur me votën e tyre për të gjetur një tjetër vullnet në momentin kur trokasin në derën e shtetit. Sigurisht se jo të gjitha hallet, apo pritshmëritë mund të zgjidhen menjëherë, shumë prej tyre duan kohën e tyre, po ka një kërkesë që duhet të zgjidhet menjëherë, qytetarët të dëgjohen,të mirëkuptohen dhe të shërbehen nga administrata e shtetit.”

“Sipërmarrësit janë njerëzit që ju duhet t’u shërbeni me respekt dhe vetëdije se keni përballë jo dikë për ta gjunjëzuar, zhvatur, por dikë që keni detyrimin ta bëni të ndihet i kënaqur në radhë të parë nga sjellja juaj edhe kur nuk ka të drejtë. Nuk është sjellja ajo që përcakton drejtësinë e verimit tuaj, por vendimi i drejtë. Duhet krijuar energji pozitive. Nuk duhet të harroni se ju paguheni prej tyre. Administrata tatimore, duhet të ketë kodin e vet të sjelljes, komunikimit në marrëdhënie me çdo kontributor, me çdokënd në këtë vend që ka vendosur të jetojë falë talentit dhe imagjinatës së vet si biznesmen. Është koha që biznesmeni të vendoset në piedestalin që i takon. Figurën e biznesmenit hajdut, kusar, të dyshimtë nuk e ka krijuar vetëm ajo pjesë që është sjellë si e tillë, por në radhë të parë sjellja harbute, sjellja prej kusari e vetë shtetit në raport me biznesin”, – deklaroi Rama.

Sipas kryeministrit rimbursimi i TVSH-së është anashkaluar në mënyrë të papranueshme. “Rimbursimi i TVSH-së është anashkaluar në mënyrë të papranueshme. Rimbursimi i TVSH-së të bëhet brenda 60 ditëve, për të mbyllur një herë e mirë një epokë. Kjo do të jetë arritje si asnjëherë më parë dhe do të ndikojë drejtpërdrejtë në rritjen e të ardhurave. Iluzioni se duke mos rimbursuar TVSH-në dhe përmes këtyre parave shteti mund të bëjë më shumë, ka rrënuar ekonominë private por dhe ekonominë kombëtare gjithashtu”- tha Rama.

Më tej ai vijoi duke thënë se: “Administrata Tatimore duhet dhe mund të jetë në shërbim të taksapaguesve duke theksuar domosdoshëmrinë e transformimit rrënjësor të sjelljes së administratës me tatimpaguesit”.