Pro-rusët vazhdojnë të mbajnë me forcë ndërtesat publike

49
Një barrikadë në qendër të Kiev, në Ukrainë. (Sergei Supinsky, Afp)
Një barrikadë në qendër të Kiev, në Ukrainë. (Sergei Supinsky, Afp)

Mijëra aktivistë pro-rusë vazhdojnë të qëndrojnë me forcë në ndërtesat publike në pjesën lindore të Ukrainës, pavarësisht vizitës në vend të kryeministrit, Arseni Jaceniuk, ndërkohë që tonet vazhdojnë të rriten mes perëndimorëve dhe rusëve.
Në përpjekje për të zgjidhur krizën lindje-perëndim, më e rënda që prej fundit të Luftës së Ftohtë, një takim katërpalësh do të mbahet më 17 prill në Gjenevë mes Ukrainës, Rusisë, SHBA-së dhe Bashkimit Europian, njoftoi departamenti amerikan i Shtetit.
Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry do të zhvillojë një vizitë në Gjenevë për të ndjekur përpjekjet e përmirësimit të situatës në Ukrainë dhe për gjetjen e një rruge diplomatike”, theksoi departamenti amerikan i Shtetit.
Principi për një takim katërpalësh në Evropë u bë publik këtë javë. Ministri rus i Punëve të Jashtme, Serguei Lavrov ra dakord me sekretarin amerikan të Shtetit, Kerry për organizimin e bisedimeve të drejtpërdrejta.
Ukraina do të përfaqësohet në Gjenevë nga ministri i Punëve të Jashtme, Andrii Dechtchitsa dhe Bashkimi Evropian nga Catherine Ashton.
Kryeministri ukrainas, Arseni Jaceniuk zhvilloi dje një vizitë disa orëshe në Donetsk, një prej qyteteve të mëdha në lindjen rusofone ku disa mijëra aktivistë kanë pushtuar ndërtesat publike.