Naço: Të lehtësojmë të dënuarit, kryesisht të miturit

Share This
Tags

Nasip-NacoMinistri i Drejtësisë Nasip Naço ka folur sot në Komisionin e Ligjeve në lidhje me Pr/ligjin për amnistinë. Sipas tij, amnistia duhet parë si akt për të lehtësuar të dënuarit, kryesisht për të miturit.
“Amnistia nuk ka të bëjë me mbipopullim në burgje. Ka të bëjë me politika të reja të dënimeve alternative dhe projekt ligji në fjalë, ka të përcaktuar kush nuk përfiton nga kjo amnisti”, tha Ministri.
Sakaq, Komisioni i Ligjeve ra dakord të vijoi diskutimin në një seancë tjetër.

Çfarë parashikon amnistia :
Synimi për një reformë në raport me dënimin penal, e orientuar drejt një drejtësie korrigjuese dhe restauruese shoqërore, është qëllimi i projektligjit “Për dhënie amnistie”, i iniciuar nga qeveria shqiptare, dhe i paraqitur së fundi për shqyrtim në parlament.
Sipas relacionit shpjegues të draftit, përzgjedhja e kategorive të personave që përfitojnë amnisti është bërë duke u bazuar në këto kritere: lloji dhe masa e dënimit; koha e mbetur e dënimit; mosha aktuale e personit të dënuar; mosha e personit të dënuar në kohën e kryerjes së veprës penale. Në të gjitha rastet në thelb mbetet rrezikshmëria e ulët e personit apo veprës penale.
Sipas projektligjit të propozuar nga ministria e Drejtësisë, kategoritë përfituese nga kjo amnisti janë si më poshtë:
a) personat e dënuar me burgim deri në 2 vjet, personat e dënuar me kusht, me gjobë apo me një nga alternativat e dënimit me burgim, për dënime të dhëna deri në datën 30 nëntor 2013, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 4, të këtij ligji;
b) personat e dënuar, ndaj të cilëve gjykata, me vendim të formës së prerë, ka caktuar një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 4, të këtij ligji;
c) personat e dënuar me gjobë, për pjesën e pashlyer të saj, pavarësisht nga masa e gjobës, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 4, të këtij ligji;
ç) personat e dënuar me burgim, të cilëve, më datën 30 nëntor 2013, u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 3 vjet, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 4, të këtij ligji;
d) të dënuarat femra, që në datën 30 nëntor 2013, janë baras ose mbi moshën 55 vjeç, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 4, të këtij ligji;
dh) të dënuarit meshkuj, që në datën 30 nëntor 2013, janë baras ose mbi moshën 60 vjeç, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 4, të këtij ligji;
e) të dënuarit me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç, me përjashtim të atyre, që janë dënuar për vepra penale, të parashikuara në nenet 76, 77, 78, 78/a, 79, 79/a, 79/b, 79/c, 81, 101, 139, 140 e 141 të Kodit Penal.
Neni 4 i pr/ligjit parashikon shprehimisht: “kriteri ndalues për përfitimin e amnistisë”, që do të thotë një garanci e shtuar për mbrojtjen e interesit publik dhe nuk vë në rrezik sigurinë dhe rendin publik. Veprat penale të parashikuara në nenin 4, të projektligjit, janë vepra penale me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe, për këtë qëllim, këta persona përjashtohen tërësisht nga përfitimi i amnistisë.
Konkretisht, neni 4 parashikon se nuk përfitojnë nga kjo amnisti personat e dënuar për:
a) krime kundër njerëzimit, të parashikuara në nenet 73, 74 e 75 të Kodit Penal;
b) krime kundër jetës, të kryera me dashje, të parashikuara në nenet 76 , 77, 78, 78/a, dhe 79, 79/a, 79/b, 79/c, 81 të Kodit Penal dhe vrasje e mbetur në tentativë, si dhe në nenin 77 të Kodit Penal Ushtarak;
c) vepra penale, të kryera me dashje, kundër shëndetit, të parashikuara në nenet 86, 87, paragrafi i dytë i nenit 88, dhe 89/a të Kodit Penal;
ç) krime seksuale, të parashikuara në nenet 100, 101, 102, 102/a, 103, 104, 106, 107/a,108 e 108/a të Kodit Penal; d) vepra penale kundër lirisë së personit, të parashikuara në nenet 109, paragrafi i dytë dhe i tretë i nenit 109/b, etj.
Projektligji, i bashkërenduar dhe me sugjerimet e Prokurorisë së Përgjithshme, nuk ka karakter rëndues financiar-ekonomik, përkundrazi sjell efekte pozitive të pritshme financiare.

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>