Më 31 mars takimi i ardhshëm Kosovë-Serbi

61

serbikosoveTakimi i ardhshëm ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç, do të zhvillohet më 31 mars, bën të ditur zyra e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, e cila është edhe ndërmjetësuese e proçesit.

“Përfaqësuesja e Lartë, Catherine Ashton, do të vazhdojë bisedimet me kryeministrin Hashim Thaçi, si dhe me kryeministrin Ivica Daçiç dhe zëvendëskryeministrin Aleksandar Vuçiç.

Në takim, dy palët do të vazhdojnë punën rreth zbatimit të Marrëveshjes së Prillit dhe do të diskutojnë po ashtu për hapat e ardhshëm në lidhje me normalizimin e marrëdhënieve”, thuhet në njoftimin e cituar ditën e sotme nga Radio Evropa e Lirë.

Kosova dhe Serbia, në procesin e dialogut drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE-ja e mbështetur nga SHBA, në nivel të lartë mes kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç zhvillan së fundi në 12 shkurt raundin e 22-të të takimeve në Bruksel, të dytin në vitin 2014. Takimi i 31 marsit do jetë i 23-ti nga fillimi, i treti në këtë vit.

Thaçi dhe Daçiç  zhvilluan takimin e parë në 19 tetor të vitit 2012, gjatë të cilit kishte tre raunde. Në vitin 2013 kanë zhvilluar 17 raunde.

Që nga fillimi, procesin e ndërmjetëson dhe e udhëheq Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Baronesha Catherine Ashton.