Leonard Olli: Veliaj të ndjekë vizionin e Bashës

82

fotoIsuf Kurtaj
Kryetari i grupit të Partisë Demokratike në këshillin bashkiak të Tiranës, Leonard Olli, në një intervistë për gazetën “Shekulli” ka shpjeguar arsyet e largimit të këshilltarëve të opozitës ditën e konstituimit të kryebashkiakut të ri. Opozita nuk ka për synim që të bllokojë punën e këshillit dhe kryetarit të bashkisë së Tiranës, thotë Olli, por ai shprehet skeptik për sa i përket gatishmërisë që kryebashkiaku i ri ka premtuar gjatë dhe pas fushatës për të bashkëpunuar me opozitën për të mirën e kryeqytetit. Ai ka komentuar edhe angazhimin e ish-kryetarit të bashksë Lulzim Basha në krye të bashkisë së Tiranës, pa e të cilit duhet marrë shembull dhe nga kryebashkiaku i ri Erjon Veliaj.

Ditën e parë të detyrës në Këshillin Bashkiak, grupi i këshilltarëve të opozitës zgjodhi të braktisë seancën duke mos pranuar të ndjekë betimin e kryebashkiakut të ri të Tiranës, Erjon Veliaj. Pse zgjodhët zoti Olli, realisht, që të nisnit ditën e parë të detyrës me bojkot? Cili do të jetë roli i opozitës në këtë Këshill?

Nuk ishte bojkot dhe nuk mund të konsiderohet aspak si i tillë. Ishte një veprim politik, që kërkonte respektimin e ndarjes se pushteteve dhe autonominë e pushtetit vendor, seriozisht të rrezikuar nga mungesa e kuadrit ligjor. Ishte një reagim i qartë jo vetëm ndaj ministrit që “de jure” është përgjegjës për katrahurën që ka sjellë pseudoreforma territoriale. Në vend të performancave virtuale, do të ishte e udhës të bëhej punë dhe pushtetit vendor t’i jepen të gjitha tagret që i duhen për të ushtruar detyrën. Pushteti vendor, si rezultat i kësaj neglizhence rrezikon që në mjaft qarqe të prodhojë një pushtet monist. Këto të gjitha duhej të kishte zgjidhur ministri përgjegjës para se të kërkonte të ishte i pranishëm në një ceremoni të zgjedhurish me votë. Për me tepër ishte një reagim i qartë se ne do luftojmë me të gjitha forcat dhe mjetet ligjore për të ndalur drejtimin e Bashkisë së Tiranës, nga kryeministri Rama, pasi në thelb këtë donte të dëshmonte dhe impononte prezenca në sallën e këshillit, e ministrit në fjalë, si një tutor i ekzekutivit.

Zoti Olli nuk mendoni se ka ardhur koha që të hiqet dorë nga praktika e bojkoteve që ka ndjekur politika shqiptare gjatë këtyre ditëve?

Termi bojkot nuk përkon me veprimin tonë politik. Personalisht nuk besoj se bojkoti është zgjidhje e duhur e problemeve, por sigurisht që askush nuk kundërshton faktin se mbetet një mjet dhe formë demokratike reagimi.

Kryetari i ri i bashkisë së Tiranës, në fjalën e tij është shprehur se do të bashkëpunojë me këdo që tregohet i gatshëm të punoj me ‘të. Sa i besoni premtimit që dha në ditën e parë të punës së tij?

Edhe pse do të doja shumë të besoja këtë deklaratë të z. Veliaj, bazuar në parimin hegelian: praktika, kriteri i së vërtetës, dyshoj shumë se do të mundet ta realizojë. Në gjykimin tim dhe jo vetëm përgjatë dy viteve të drejtimit të ministrisë respektive nga Veliaj kemi vënë re një inkoherencë të plotë nga fjalët dhe premtimet demagogjike me veprat, ku nuk u përmbush thuajse asgjë. Jo pak skandale financiare e kanë shoqëruar punën e tij dyvjeçare në ministri dhe jetën personale, por sigurisht që kjo mbetet për tu faktuar nga organet kompetente. Do të dëshiroja ta besoja. Uroj që në të mirën e qytetarëve dhe të Tiranës ta mbajë këtë premtim, por kam rezervat e mia shumë të mëdha. Nuk dua të paragjykoj, por koha do e provojë….

Çfarë duhet të marrë si shembull që ta jetësojë në qeverisje, dhe çfarë jo, kryetari i ri i Tiranës nga drejtimi katërvjeçar i zotit Basha?

Besoj se ka shumë aspekte, por unë do të veçoja disa prej tyre. Nëse do të ketë mundësinë të ndjekë vizionin dhe planin e tij për Tiranën do të ishte një fillim shumë i mbarë, duke përfunduar të gjitha projektet që gjeti mbi tavolinë, të bllokuar në kundërshtim të plotë me interesat e qytetarëve nga kryeministri Rama. Të vijonte me praktikat transparente të menaxhimit të bashkisë në të gjithë aktivitetin e saj, si edhe të bëjë punën në dobi të qytetarëve, modestisht pa bujë e fanafara, sikundër veproi Basha dhe jo të pararendë të promovojë ato që nuk bën.

Sipas jush, nga duhet të fillojë punën zoti Veliaj si kryetar i ri. Për çfarë ka nevojë urgjente kryeqyteti?

Z. Veliaj duhet të heqë dorë nga shou‎ dhe regjitë qendrore e të kërkonte urgjent mbledhjen e këshillit për miratimin banesave sociale sikundër edhe e ka premtuar. Praktika është gati dhe nuk ka pse zvarritet ky proces. 5 muaj bllokim më urdhër të shefit të tij politik, kryeministrit aktual, janë një ndëshkim shumë i padrejtë dhe aspak human për mbi 200 familje që kanë përfituar banesa sociale. Ky do të ishte një shembull konkret i pavarësisë së tij në ushtrimin e detyrës së kryebashkiakut. E ritheksoj se duhet urgjent të mundësojë strehimin e mbi 200 familjeve që prej muajsh presin të realizojnë një ëndërr shumë të madhe për ta, që të kenë një strehë. Duhet të dëshmojë se interesat e qytetarëve prevalojnë mbi urdhrat politikë, urdhra që kanë lënë të pastrehë familje në nevojë. Përfitoj nga ky moment t’i bëj sërish apel në emër të gjithë këshilltarëve të opozitës që të ndalë talljen dhe kalvarin e vuajtjeve të tyre dhe të mundësojë urgjent strehimin e tyre.

Shekulli