Kosovë, situata e biznesit e përkeqësuar

55

kosova_flag_1Oda Ekonomike e Kosovës, me mbështetje të qeverisë gjermane përmes organizatës “GIZ”, ka prezantuar sot të dhënat mbi klimën e bizneseve për tre mujorin e katërt të 2013, ku gjendja vlerësohet të jetë përkeqësuar krahasuar me tremujorin e tretë te vitit 2013.
Kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu, bëri krahasimin mes tremujorëve dhe u shpreh që një indikator i tillë aplikohet nga mëse 100 vende të botës, të cilat pastaj orientojnë politikat e tyre ekonomike nga rezultatet e këtij indikatori.
“Kosovës i mungojnë të dhënat mbi trendet ekonomike, andaj qëllimi i OEK-ut është që, përmes këtij indikatori, ti ndihmojmë vendit në orientim të politikave dhe në identifikimin e problemeve të biznesit dhe aspektin e punësimit”, tha Gërxhaliu.
Përfaqësuesi i organizatës gjermane GIZ, Ekrem Hyseni, u shpreh se këtij projekti i është dhënë rëndësi e veçantë.
“Përmes këtij barometri në tremujorin e katërt të 2013, kemi mundësi të shohim se si ka qenë gjendja reale e bizneseve, vlerësimi dhe pritjet e tyre”, u shpreh ai.
Oda Ekonomike vlerësoi se është e nevojshme të bëhet financimi i bizneseve përmes projekteve të ndryshme dhe njëherësh u cilësua si nismë mjaft e mirë iniciativa për themelimin e fondit zhvillimor dhe u rekomandua që të bëhet orientimi i investimeve jo vetëm në infrastrukturë, por edhe në aspektin e mbështetjes së bizneseve përmes stimujve fiskalë, përfshirë edhe “pushimet” nga taksat.