Kompetencat e INUK, Kushtetuesja rrëzon ankimimin e PD

58

KUSHTETUESJAGjykata Kushtetuese rrëzon ankimimin e Partisë Demokratike për kompetencat e Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar,INUK.

Demokratët kishin kërkuar nga Kushtetuesja shpalljen si antikushtetues të vendimit të qeverisë që i jep të drejtë Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, të ndërhyjë në prishjen e ndërtimeve me dhe pa leje në të gjithë territorin, por Kushetetuesja e ka rrëzuar këtë kërkesë ndërsa ka vendosur që ta shqyrtojë në themel aktin.

Pas vendimit të gjykatës, deputeti i PD-së Eduard Halimi ka theksuar se qeveria ka shkelur vendimet e gjykatave duke shembur pronat e ligjshme të qytetarëve.

“Ne kundërshtuam dëmet që po u bëhen qytetarëve shqiptarë nga qeveria me apo pa tritol. Ky ishte argument jonë duke i thënë gjykatës se i vetmi autoritet në Republikën e Shqipërisë që mund të cilësojë një pronë me leje ndërtimi apo me leje legalizimi si të ligjshme apo jo janë gjykatat e vendit. Nuk është i mundur kryeministri të  thotë që nuk më duhen gjykatat se kam INUK-un. Nëse një pronë është e ligjshme ose jo kryeministri me këtë akt normativ thotë se këtë çështje ma zgjidh INUK-u. Qeveria e tritolit ka shkelur vendimet gjyqësore dhe kanë vendosur tritol mbi pronat e qytetarëve shqiptarë.  Pronat e ligjshme nuk mund të shemben me tritol nga kryeministri apo kryeinspektori” tha Halimi.

Në seancë, përfaqësuesi i PD, Ivi Kaso ka theksuar se akti normativ për INUK është një cënim flagrant i të drejtave të njeriut.

“Akti normativ për INUK cënon pronën pasi e drejta e pronës mbrohet nga Kushtetuta por edhe nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut. Kushtetuesja duhet ta japë sot vendimin për ankimimin tonë në mënyrë që  qeveria të mos ketë mundësi që të prishë pronën e ligjshmetë qytetarëve me tritol” tha Kaso.

Vendimi i qeverisë

Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar do të ketë fuqi më të madhe vepruese në të gjithë territorin. Në mbledhjen e datës 30 shtator 2013, qeveria, për të realizuar ndërhyrjen në të gjithë territorin ndaj ndërtimeve pa leje, i ka dhënë INUK-ut më shumë kompetenca për të vepruar, mbi kompetencat që i atribuonte ligji i mëparshëm.

“Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar (INUK) i ushtron pa asnjë kufizim paraprak kompetencat e përcaktuara në nenet 9, 10 e 10/1 të ligjit nr. 9780, datë 16.7.2007 ‘Për inspektimin e ndërtimit’, në çdo rast kur ai konstaton objekt të kundërligjshëm, me ose pa leje ndërtimi, në të gjitha zonat e përcaktuara, si zona të rëndësisë kombëtare, me ligj, akte nënligjore apo me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit”, thuhet në vendimin e qeverisë.