KLSH, kallzim penal për 7 punonjës të ZVRPP Korçë

62

klshKontrolli i Lartë i Shtetit  kallëzuar penalisht 7 nëpunës të Zyrës Vendore të Rregjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Korçë, përfshirë këtu edhe ish-Rregjistruesin me iniciale K.B., me akuzën “shpërdorim detyre”.

Kjo padi vjen pas auditimit të KLSH të ushtruar në këtë institucion, për periudhën e veprimtarisë 2011-2012. Kallëzimi është bërë në Prokurorinë e Korçës dhe sipas KLSH, këta persona në kundërshtim të plotë me legjislacionin për rregjistrimin e pasurive të paluajtshme dhe aktet e tjera nënligjore të nxjerra në zbatim të tij, kanë kryer një sërë shkeljesh në drejtim të rregjistrimit të pasurive të paluajtshme, me pasojë përfitime të paligjshme të titujve të pronësisë nga subjekte private në dëm të pasurisë shtetërore.    Këta nëpunës kanë kryer regjistrime të pasurive të paluajtshme dhe kanë lëshuar certifikata të pronësisë në zonën rurale-urbane, për një sërë subjektesh private, të cilat nuk kanë patur asnjë titull pronësie. Në 11 raste këta persona kishin regjistruar më tepër një sipërfaqe prej 4400 m2 të llojit arë, truall dhe arë+truall, ku në veçanti, vetëm për zonën turistike të Voskopojës, janë dhënë në kundërshtim me ligjin 1960 m2. Kjo sipërfaqe e tepërt, e rregjistruar nga këta punonjës në favor të subjekteve përfitues dhe në tejkalim të normës ligjore të përcaktuar në Aktet e Marrjes në Pronësi të Tokës (AMTP), bie në kundërshtim me ligjin Nr. 7501, datë 19.7.1991 “Për tokën”, i ndryshuar, ligjin Nr. 7843, datë 13.7.1994 “Për rregjistrimin e pasurive të paluajtshme”, i ndryshuar, UKM Nr. 2, datë 08.04.2009, UKM nr. 1, datë 31.01.2007 “Për Procedurat e Rregjistrimit në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme”, rregulloren e ZQRPP-së, VKM nr. 1025, datë 09.07.2008, si dhe Urdhrin e K/Rregjistruesit Nr. 1400, datë 25.10.2010.