Humorgazetaria prodhon politikanë

Share This
Tags

emperorFatos Mahmutaj

I dashur miku im Mero. Të ndjek çdo ditë në gazetën “Tema”, nëpër artikujt e shumtë dhe opinionet e tua të spikatura, ashtu siç di ti shkruash vetëm ti. Po ashtu, edhe unë si pjesa më e madhe e lexuesve të tu, lexoj edhe rubrikën e humorit “Antena”. Humori i këndshëm, me personazhe të vërtetë dhe herë herë edhe ngjarje me sfond real, të bëjnë vërtet të qeshësh. Pikërisht këtu mendoj se qëndron problem i vërtetë, pasi nuk është pak të shohim që personazhet e tu, janë ata që duam apo nuk duam diktojnë politikat madhore në atdheun tonë.

I dashur Mero. (Si kolgë dhe miq që jemi po të drejtohem me ti). Dua të mbetemi pak pikërisht tek “Antena”, ndaj po i bie shkurt. Protagonistët e atyshëm, prej shumë kohësh e kanë tejkaluar shakanë dhe kanë marrë përmësa të tjera. Tashmë, falë talljes teje, ata kanë zënë poste të larta dhe në kah krejt të kundërt, me “Antenën” kanë qeverisur jo rrallëherë edhe dikastere të rëndësishme të shtetit shqiptar.

Konkretisht po të përmend disa: Flamurin, me trashësinë e të cilit qeshnim përditë u bë ministër; Sandri me hilet, servilizmat dhe intrigat e të cilit talleshim, mbushi xhepat mirë me paratë e shqiptarëve; Fevzoja me lëpirjet e tij sa tek njëri apo tjetri politikan dhe pa pikë integriteti e shtyllë kurrizore, vegjeton pa i hyrë gjëmb në këmbë në profesionin tonë, madje mbush mirë portofolin duke bërë ekspertin e gjithçkaje; Taçi ose Taqi siç i thua ti i dashur koleg, vodhi sa deshi nga pasuritë e atdheut tonë; Kunati, me axhamillëkun e të cilit gajasemi, falë teje gjithashtu ka vënë në vijë gjithçka tek Bashkia e Tiranës dhe ata që konsiderohen dora e dytë në PD; Halimi e ca Halimër të tjerë, me bindjen e tyre të verbër tek Familja ka qenë ca herë ministra dhe i kanë katandisur në derexhenë më të fundit institucionet që kanë drejtuar; dhe, së fundmi edhe Gridën, fiks siç e përshkruan edhe ti, të çorganizuar në mënyrë të organizuar, po bëhet nënkryetare e PD. Në këtë shkrim nuk arrij të t’i përmend dot të gjithë personazeht e tu në “Antenë”. Por është e thjeshtë: Trashësia, budallallëku, servilizmi, frika dhe injoranca e tyre, të gjitha bashkë apo veç e veç, tek secili prej tyre, në vend që t’i përdorim si shkak për t’iu treguar derën, ata na i përdorin si meritë për promovim. Kuptohet që ky është kriteri mbi të cilin i përzgjedh ndihmësat Sali Berisha.

Problem nuk është tek ti i dashur koleg. Të jemi të ndërgjegjshëm, për hir të së vërtetës. Por tek Sali Berisha. Të gjithë e njohim Berishën si një person të paskrupullt, itrigant, shpifës dhe njeri me ego të sëmurë. Është e qartë që ai do ta bëjë gjithçka vetë, ndaj këta personazhet i përdor vetëm sa për numër. Kuptohet që ai është vetë Flamuri, Sandri, Taçi e Taqi, Kunati, Grida. Madje ai është edhe vetë Doktori i “Antenës”. Para pak kohësh ke botuar një artikull, ku me të drejtë thoje: “Dikur ‘Antena’ thoshte çfarë bën Doktori, tani Doktori vepron çfarë thotë ‘Antena”. Shkurt ky është niveli i Berishës. Është e qartë që ai preferon më mirë mbret i majmunëve sesa fisnikërinë mes të barabartëve.

Ajo që kërkoj prej teje miku im është diçka e vogël. Të paktën mos e ndihmo që t’i gjejë këta. Lëre që t’i zgjedhë vetë. Me aq mend sa ka, ai tek të njëjtët ka për të shkuar. E ka treguar gjithmonë këtë. Edhe nëse nuk do zgjidhte këta të mësipërmit, do kishte zgjedhur kopjet identike të tyre. Por neve, vërtet na vjen shumë herë më ligsht kur ata me të cilët tallemi, i shohim të na qeverisin.

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>