Gjatë një seancë dëgjimore në komision, lidhur me shqetësimet e ngritura në progres raportin e KE-së për Shqipërinë, Ganaj tha se vetëm në 7 muajt e fundit ILDKP ka adresuar 70 kallëzime penale në prokurori, një shifër kjo shumë e lartë, pasi vetëm në dhjetë vitet e fundit, të marra së bashku, numri i kallëzimeve është vetëm 55.
Kreu i ILDKP-së nënvizoi se nuk janë rritur vetem kallëzimet ndaj zyrtarëve, për fshehje pasurie, por dhe cilësia e tyre, pasi bëhet fjalë për funksionare të larte, si ambasadorë, gjyqtarë, prokurorë. Rrezja e kallëzimeve, sipas tij, ka prekur thuajse gjithë spektrin e zyrtarëve që e kanë detyrim deklarimin e pasurisë.
Kryeinspektori Ganaj u ndal tek një rekomandim i rëndësishëm i progres raportit, që është nënshkrimi i memorandumit të bashkëpunimit mes ILDKP-së dhe KLD-së, një dokument ende i pakonkretizuar mes dy institucioneve. Shpresoj, tha ai, që me vajtjen e drejtuesve të rinj në KLD do të gjejmë mirëkuptimin për ta realizuar kete brenda një kohe sa më të shkurtër.
Ganaj tha gjithashtu se nga 1 marsi deri më sot kanë kaluar për kontroll të plotë të pasurisë 1400 zyrtarë, ndërkohë që mesatarja e dhjetë viteve të kaluara ka qënë 300-350 zyrtarë, ndërsa sot është katërfishuar dhe në vitin 2015 do të pesëfishohet. Me këtë ritëm, tha ai, do të ecet dhe në pesë vitet e ardhshme, sepse nga 12 mijë zyrtarë që deklarojnë pasurinë, nga viti 2003 e deri më sot janë kontrolluar vetëm 3 mijë prej tyre, ndërsa 70% figurojnë të pakontrolluar asnjëherë në këto dhjetë vjet.
Ganaj tha se deri tani janë 300 zyrtarët e ndëshkuar me masa administrative, të gjobitur në masën e 1 milion lekëve. Jemi në diskutim për ta rritur kete shifer pasi është shumë e ulët, shtoi kreu i ILDKP-së.