Felaj: Lufta kundër drogës, sfidë e qeverisë

60

ermonela-felajLufta kundër drogës mbetet sfida e qeverisë. Pohimi vjen nga deputetja socialiste njëherësh kryetarja e Komisionit Hetimor për trafikun e drogës, Ermonela Felaj. Në një intervistë për “Shekullin”, Felaj analizon konkluzionet e raportit të Komisionit Europian të prezantuar pak ditë më parë në Tiranë nga Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule dhe në mënyrë të veçantë sugjerimet për reformën në sistemin e drejtësisë. Ajo pranon se trafiku i drogës është një problem që kërkon zgjidhje dhe shpjegon hapat që janë hedhur nga qeveria në kuadër të reformës në drejtësi. Felaj pohon se me asistencën gjermane po punohet për një reformë thelbësore në KLD dhe Gjykatën e Lartë. Sa i përket konkluzioneve të hetimit parlamentar për trafikun e drogës, deputetja e PSsë shpreson se prokuroria do të mund të thellojë hetimin dhe të gjejë dhe faktorët real të këtij trafiku.

Zonja Felaj Komisioni Evropian nëpërmjet Progres-raportit sugjeroi dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë pasi bënte një analizë të plotë të asaj që është bërë po dhe duhet të bëhet. Si e vlerësoni këtë analizë?

Komisioni Europian së fundi rekomandoi sërish dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë dhe ky natyrisht është një lajm i mirë për të gjithë. Edhe më parë Komisioni ka qenë pozitiv ndaj Shqipërisë, por e veçanta këtë herë ishte fakti se nuk u vendosën kushte të tjera shtesë që duhen të përmbushen deri në momentin kur të shprehen vendet anëtare të unionit. Pra Shqipëria duket e gatshme për të mbërritur statusin dhe shpresoj shumë që kjo dëshirë e madhe e të gjithëve të mund të plotësohet këtë herë. Nga ana tjetër, është e sigurt se Shqipëria duhet dhe do të vijojë rrugën e vet të reformave, dhe në këtë pikë, ky progres- raport, sikurse dhe të tjerë më parë, është një dokument i rëndësishëm për t’u ndjekur nga ana jonë, sepse në vetvete përfaqëson analizën më të mirë, më të plotë, më objektive që mund t’i bëhet qeverisjes së një vendi si dhe veprimtarisë së institucioneve të tij shtetërore.

Progres-raporti vlerësonte ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale sa i përket korrupsionit por thekson se “Numri i lartë i hetimeve për korrupsion, nuk çon në dënime me vendim të formës së prerë, gjë që vë në dukje nevojën për të forcuar pavarësinë, efiçencën dhe llogaridhënien e gjyqësorit, si edhe nevojën për të forcuar kapacitetet e policisë dhe të prokurorisë”. Si mund të arrihet kjo?

Ndryshimet në fjalë i referohen ndryshimit të kompetencës lëndore të Gjykatës dhe Prokurorisë për Krime të Rënda, që tanimë do të mund të gjykojnë korrupsionin e zyrtarëve të lartë shtetërorë, të zgjedhurve vendorë si dhe atë të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Nevojat që i paraprinë këto ndryshime janë pikërisht ato që përmendni në pyetjen tuaj të cilat është e qartë se nuk do të mund të ezaurohen plotësisht dhe njëherazi nëse nuk do të flitej për reformë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë apo Gjykatën e Lartë. Mund t’ju them se po punohet intensivisht për të dyja këto reforma edhe duke përfituar nga asistenca e huaj, kryesisht ajo gjermane. Ideja është që trupa e gjyqësorit, ajo e prokurorisë dhe e policisë po të doni, të dalin nga topitja, nga qerthulli i individëve të korruptuar e të lidhur me një mijë fije njëri me tjetrin, e që kur bëhen bashkë është e vështirë t’i ndash. E bëj këtë konstatim për të vërejtur se asnjë reformë nuk është e thjeshtë dhe që mund të merret lehtë, përkundrazi kërkohet vëmendje, ndërhyrje në momentin e duhur dhe mbi të gjitha evidentim ditë pas dite, të elementëve pozitivë që janë aktualisht në sistem dhe që me pak mbështetje dhe nxitje, të bërë bashkë përmbysin me siguri status-quonë e tmerrshme të mosbesimit dhe pamundësisë për t’ia dalë në një sistem të korruptuarish.

Për herë të parë në një raport flitet gjatë për trafikun e drogës, për atë çka është bërë kundër tij, por dhe atë që duhet të bëhet. Është kjo një shenjë negative pra një problem i shtuar për Shqipërinë?

Trafiku i drogës ka qenë dhe mbetet një problem për Shqipërinë, pavarësisht përpjekjeve të Policisë së Shtetit për ta luftuar atë. Pikërisht sepse jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e këtij krimi dhe mbi të gjitha të pasojave të rënda që ai shkakton, jemi shumë të angazhuar për të luftuar autorët e këtyre veprave pa asnjë tolerancë, përmes rritjes së performancës së strukturave të policisë, bashkëpunimit më të gjerë me partnerët, lidhjes më të mirë me prokurorinë, me qëllim kapjen e autorëve dhe përballjen e tyre me prova dhe fakte të pakundërshtueshme. Kuptohet që kemi punë për të bërë në këtë drejtim sepse kjo ende ngelet sfidë.

KE-ja shpreh shqetësim për numrin e ulët të dënimeve për trafikun e qenieve njerëzore, pastrimit të parave apo dhe krimit ekonomik. Do ketë masa konkrete për të përmirësuar këtë situatë? 

Problemet me gjyqësorin, reflektohen pa dyshim dhe tek dënimet e munguara e që shqiptarët mezi i presin. E kuptoj që çdo ditë që kalon rrit presionin që të ndërhyhet dhe në këtë drejtim dhe ne për këtë po punojmë, natyrisht duke u kujdesur në çdo moment që pushteti gjyqësor të marrë trajtat e vërteta të pavarësisë dhe paanësisë, pasi vetëm kështu do të mund të ringrihet dhe të ndërtohet si një pushtet të cilin njerëzit e zakonshëm e duan dhe i besojnë.

Për tu rikthyer tek debatet e ditës, sapo është mbyllur hetimi për akuzat e opozitës mbi trafikun e drogës. Janë dorëzuar tashmë në prokurori faktet e gjetura dhe a do kërkoni një hetim mbi bazën e tyre?

Komisioni hetimor parlamentar që ju citoni, tanimë e ka mbyllur veprimtarinë e vet. Raporti i miratuar në mbledhjen e fundit të Komisionit, pritet të miratohet së afërmi nga Kuvendi i Shqipërisë, në mënyrë që të procedohet më tej me dërgimin në Prokurorinë e Republikës  së Shqipërisë të gjithë dokumentacionit që e shoqëron. Mbetem shpresëplotë se gjetjet e këtij raporti do i shërbejnë thellimit të hetimeve dhe individualizimit të fajtorëve.

PD ka zgjedhur të bëjë opozitë fillimisht me protesta, më pas me greva dhe tani dhe me kërkesa të vazhdueshme për komisione hetimore. Si e shikoni këtë lloj opozitarizmi? 

Nuk e them vetëm unë, por dhe kolegë brenda opozitës e kanë shprehur dhe publikisht, se ka diçka të mangët në këtë mënyrë të bërit opozitë që e ndërron tematikën e “kauzave” ende pa u filluar, që përsërit vetveten deri në atë pikë sa bëhen të pakuptimtë dhe të padobishëm në raport me interesin publik të cilit duhet t’i shërbejmë.

A pengon kjo kryerjen e reformës në drejtësi, e theksuar fort si e domosdoshme dhe nga Progres-raporti? 

Sipas mendimit tim, reformat më të mira janë ato që bëhen duke mos iu nënshtruar kushteve që ngrihen thjesht dhe vetëm artificialisht.

Ndryshimet ligjore në hetimin e pasurisë, garanci për luftën kundër korrupsionit  

Një tjetër pikë në raport sugjeron se “Shqipëria duhet të fokusohet në zbatimin e legjislacionit në lidhje me deklarimin e pasurisë dhe konfliktin e interesit, rritjen e hetimeve proaktive dhe miratimin e masave që i bëjnë hetimet më efiçente”. Cilat janë masat që po merren në këtë drejtim?

Është një vërejtje me vend pa dyshim, ndërkohë që unë mund të them se ne si mazhorancë kemi reflektuar në këtë drejtim; së pari, me largimin nga kreu i ILDKPKI-së të ish drejtueses e cila ishte propozuar dhe zgjedhur nga Kuvendi në kundërshtim të hapur me ligjin. Së dyti, me ndryshimet e bëra në dy ligjet bazë të punës së këtij institucioni, si ligji për deklarimin e pasurive dhe interesave privatë si dhe në atë të konfliktit të interesave.

Ndryshimet e sjella në këto dy ligje, i japin mundësinë ILDKPKI-së të kontrollojë jo vetëm pasuritë por dhe interesat privatë, jo vetëm pasuritë dhe interesat privatë të bashkëshortëve të deklaruesve por dhe bashkëjetuesve të tyre. Nga ana tjetër, kontrolli i pasurive nuk do të kryhet me short, por periodikisht për të gjithë titullarët e institucioneve, përfshirë këtu dhe gjyqtarë dhe prokurorë. Duke mos u zgjatur më tej në analizën e këtyre ndryshimeve, do të shtoja se falë këtyre ndryshimeve, jam e sigurt se ILDKPKI-ja do të shfaqet si një institucion më efektiv dhe absolutisht i nevojshëm me kërkimet dhe informacionet e veta në luftën kundër korrupsionit të zyrtarëve si dhe atë të pastrimit të parave.