Akuzat ndaj Artan Didit, debate të ashpra mazhorancë-opozitë

58

tahiriMazhoranca dhe opozita debatuan sot ashpër në Kuvend, pas akuzave të deputetëve të Partisë Demokratike në adresë të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Artan Didi, për vrasjen e një qytetari të pafajshëm grek, gjatë një operacioni policor në vitin 1999.
Deputeti i PD-së, Arben Ristani, akuzoi mazhorancën se në krye të policisë ka vendosur “njerëz gjakësorë, që vrasin njerëz të pafajshëm”.
Në reagimin e tij, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i kërkoi opozitës që me deklaratat e saj të mos inkurajojë krimin. “Dje u përmend një ngjarje mjaft e shëmtuar, ku u shfaq një pseudovideo lidhur me një aksion policor të para 15 viteve. Por, sot nuk mund të rri pa bërë një koment të shkurtër. Kur do të mblidhni mendjen dhe të mos i jepni kurajo krimit, kur do të përkrahni drejtësinë dhe të mos e përdorni foltoren e Kuvendit për akuza të tilla. Po të keni ndonjë merak ju garantoj se kur t’i dilni në krah ndonjë krimineli apo pengmarrësi ju siguroj se do të ketë punonjës policie që do bëjnë detyrën dhe do të vënë drejtësinë në vend”, deklaroi ministri Tahiri. .
Një ditë më parë, përfaqësues të opozitës në komisionin hetimor për shkarkimet dhe emërimet në polici, akuzuan Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Artan Didi, për vrasjen e një qytetari të pafajshëm grek gjatë një operacioni policor në vitin 1999, duke transmetuar edhe pamje filmike të kësaj ngjarje.