UT pezullon Dritan Shoraj, pedagogun e dënuar për drogë

22

Universiteti i Tiranës pezullon nga detyra pedagogun e Fakultetit Ekonomik Dritan Shoraj, i arrestuar me qëllim ekstradimin drejt Italisë.

“Rektori i Universitetit të Tiranës Prof. Dr. Mynyr Koni pasi u njoh me informacionin e bërë publik nga Policia e Shtetit në datën 10.11.2018 për z.Dritan Shoraj, i arrestuar, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar me qëllim ekstradimi drejt Italisë, vendosi më datë 12.11.2018 pezullimin nga detyra të z.Dritan Shoraj, personel akademik me kohë të plotë në Departamentin e Menaxhimit në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës, deri në marrjen e dokumentacionit të plotë nga institucionet përkatëse për këtë shtetas” shkruhej në njoftimin e këtij universiteti.

Shoraj rezulton i dënuar me 4 vite e 20 ditë burg për veprën penale “Pjesëmarrje në trafikun e lëndëve narkotike” në Itali.

Ndalimi i tij erdhi pas informacioneve të marra nga drejtësia italiane, e cila nëpërmjet Interpolit solli informacion në lidhje me personat e dënuar, për të cilët kërkonte arrestimin dhe ekstradimin për të kryer dënimin ne shtetin ku ka kryer veprën penale.

Agjencia italiane e lajmeve ANSA shkruante se roli i Shorajt në organizatë, ishte sigurimi i drogës në Shqipëri kryesisht marihuanë dhe më pas transportin detar drejt territorit italian.

Te gjitha lajmet per pedagogun Dritan Shoraj