Zbulohet kokainë në shtëpinë e këngëtarit Justin Bieber

50

Justin BieberNjë sasi e konsiderueshme kokaine, është gjetur në shtëpinë e këngëtarit të ri  kanadez Justin Bieber, në momentin kur policia e Los Anxhelosit po kryente një kontroll në shtëpinë e tij.

Droga u zbulua rastësisht, pasi objekti i kontrollit ishte lokalizimi dhe sekuestrimi i sistemit të kamerave të sigurisë të shtëpisë së këngëtarit. Një denoncim është kryer nga fqinji i Bieber, i cili është ankuar se këngëtari ka qëlluar me vezë shtëpinë e tij duke i shkaktuar dëme të konsiderueshme.

Në kuadër të hetimit për vandalizëm dhe për të gjetur prova që mund të mbështesnin pretendimet e fqinjit, policia ka kryer një kontroll rutinë për sekuestrimin e kamerave që rrethojnë banesën e tij.

Gjatë kontrollit policia ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme kokaine, ndërkohë që saktëson që droga nuk ishte nën posedimin e Bieber, por i përkiste njërit prej 9 pjesëtarëve të rrethit të tij frekuentues, që gjendeshin në shtëpinë tij gjatë kontrollit policor. Rrepisti Lil Za, është arrestuar nën akuzë për zotërim të lëndëve narkotike.

Bieber ka qenë disa herë në vëmendje të shtypit për kryerje të akteve vandale, siç ishte dhe rasti kur vizatonte me grafite muret e hotelit ku qëndronte. Megjithëse Bieber është përpjekur kohët e fundit, t’i qetësojë fansat e tij, duke u komunikuar, se “do të dilte shumë shpejt në pension” duket se premtimet e tij e tejkalojnë dëshirën për të qenë në qendër të vëmendjes, për kryerje të akteve vandale.