Vendimet e gjykatave- Ministri Tahiri letër Presidentit Nishani

53

saimir-tahiri-565x421Vrasja e dyfishtë e mbrëmjes së 2 prillit në afërsi të Urës së Tapizës ku u ekzekutuan me armë zjarri Gjin Nika dhe miku i tij, Fabio Xhunga, ka detyruar Ministrin e Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri , t’i drejtohet sërish me një letër Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duke shprehur shqetësimin e tij për pasojat që shkaktojnë disa vendime të Gjykatave, “të cilat në mos absurde, mbartin me vete një shkallë të lartë papërgjegjshmërie”.
Reagimi i Ministrit Tahiri vjen pas ngjarjes së tre ditëve më parë, ku u ekzekutuan dy shtetas, njëri prej të cilëve me precedentë të rëndë krimialë dhe i liruar nga burgu me një vendim gjyqësor të pak kohëve më parë.
“Gjykata e Apelit Tiranë, me trupë gjykuese Edmond Gogo, Fatmira Hajdari dhe Gramoz Levanaj, me vendim nr.215, datë 25.02.2014, ndryshoi masën e sigurisë nga “Arrest me burg” në “detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore” për të pandehurin Gjin Nika, i datëlindjes 28.04.1978, nga Bulqiza, i akuzuar për veprat penale të parashikuara nga nenet 78/1-22 dhe 278/2 të Kodit Penal”, shkruan Ministri Tahiri në letrën për Presidentin.
Sipas tij, megjithëse Gjykata e Shkallës së Parë vendosi masën e sigurisë “arrest me burg”, Gjykata e Apelit nuk i mori parasysh dëshmitë e shtetasve të dëmtuar nga Gjin Nika, por mori vendim për ta liruar nga burgu këtë shtetas.
“Shtetasi Gjin Nika, së bashku me një shtetas tjetër, u vranë në një atentat mafioz para tre ditësh , duke e shndërruar vendimin e Gjykatës së Apelit, që e la të lirë, në parahënien e një atentati që shkaktoi dy të vrarë, gjë që nuk do të ndodhte në rast se vendimi i Gjykatës së Apelit do e linte në Burg”, shprehet ministri i Punëve të Brendshme.
Ministri i Punëve të Brendshme kërkon ndërhyrjen e Presidentit të Republikës për të nxitur KLD-në të marrë në shqyrtim vendimet e gjyqtarëve Edmond Gogo, Fatmira Hajdari dhe Gramoz Levanaj, për të ndërtuar bashkërisht presionin institucional dhe publik që do ndalojë të tilla fenomene që cenojnë rëndë shtetin ligjor, drejtësinë dhe vështirësojnë punën e përditshme të Policisë së Shtetit duke kërcënuar rëndë rendin dhe sigurinë publike.