Veliaj: Nuk jemi shoqëri me kanibalizëm social

65

erion-veliajMinistri i Mirëqenies Sociale, Erjon Veliaj ka shpërndarë sot  për 107 ish-të përndjekur politikë këstet e para.

Ministri bëri publike faktet ku tregoi se për 9 muaj burg që ka bërë nëna e Hoxhës, ka marrë 19 milionë lekë dhe për dajën e tij 20 milionë lekë. Gjithashtu ai tha se, drejtuesi i grevës ka edhe një kallëzim penal për vjedhjen e pronave në emër të ish-të përndjekurve.

“Fatmir Hoxha nuk ka bërë burg, ndërsa nëna e ti po. Ajo ka bërë burg 9 muaj burg dhe ka marrë për 9 muaj të dyja këstet 19 milionë lekë. Në vend që ta merrte me 8 këste e ka marrë me 2 këste, se kishte lidhje me pushtetarët e vjetër. Daja i tij, Skënder Xhemal Kulla i ka marrë 20 milionë lekë me 2 këste. Fatmir Hoxha ka marrë 3 dyqane dhe ka një kallëzim penal. Këtu është dokumenti ku kërkohet pushim nga detyra për Fatmir Hoxhën. Ky person jo vetëm po merr pronat në emër të përndjekurve, por ka edhe një procedim penal për vjedhjen e pronave në emër të tyre. Thirrje për një Shqipëri solidare, të atyre që vërtet kanë vuajtur, dhe jo si ky që për 8 vjet e kishin mundësi ta zgjidhnin këtë punë por se bënë. Unë do vazhdoj të insistoi që lekët do t’i marrin ata që s’kanë marrë asnjë qindarkë. Nuk merrem me bosat me 39 milionë lekë cash me zyrë dhe dyqane. Le të rrijë në grevë Fatmir Hoxha”, u shpreh ministri.

Ministri nënvizoi se fillimisht do të shpërndahen dëmshpërblimet për ata persona që nuk kanë marrë asnjë këst. Pasi sipas tij nuk mund të jemi një shoqëri me kanibalizëm social.

“Ne nuk mund të jemi shoqëri me kanibalizëm social ku ca marrin 3 këste dhe ca akoma nuk kanë marrë asgjë. Ky është një vendim i drejtë për ata që nuk kanë marrë asgjë nga shteti. E dini fare mirë që dje i kam kërkuar që të negocioj me grevistët e ish-të përndjekurve, por kushti i vetëm është që kam kërkuar me vërtet të flas me ish të përndjekurit. Dje dëgjova që njëri kishte hyrë në grevë të urisë për burrin e motrës që ishte në Bruksel. Tani ne do të shpërndajmë këstet për ata, që nuk kanë marrë asnjë lekë dhe jo për burrin e motrës në Bruksel”, tha Veliaj.