Publikuar Ne: 6 Maj 2014
933 shikime
AKTUALITET / OPINION | By albaniaplus

Varësia nga bixhozi

jeta-shkurti1Jeta Shkurti

Ai është një menaxher në një kompani private, 40 vjecar , i martuar, me 3 fëmijë. Ai prej 8 vitesh frekuenton rregullisht lojërat e fatit me ëndrrën e madhe se një ditë do të fitojë shumë para. Por e kundërta ka ndodhur.

Në familjen e tij gjendja ekonomike është përkeqësuar, ndërkohë që tre fëmijët shpesh janë dëshmitarë të grindjeve të prindërve. E shoqja e A e ka të vështirë të plotësojë nevojat bazë të familjes së saj, pasi të ardhurat e tyre pakësohen dita-ditës.

Në tavolinë shtrihen faturat e papaguara, ndërsa në derë dëgjohen trokitjet e komshinjve që kërkojnë t’u kthehen borxhet. Sipas saj, burri ka neglizhuar gjithçka në lidhje me familjen, traditën dhe jetën normale.

Ai largohet nga shtëpia për ditë të tëra, fik celularin dhe kur kthehet nuk tregon se ku ka qenë. Ai luan e luan dhe më pas gënjen se s’ ka luajtur, ose kërkon falje duke premtuar se nuk do ta përsërisë më një gjë të tillë. Edhe për këtë premtim ai është shprehur “e vëmë me bast që unë do të ndryshoj”.

Me lot në sy ajo thotë se i shoqi e ka lënë gjithçka në baste, duke filluar me paratë e qerasë së shtëpisë, të energjisë elektrike, të kopshtit të fëmijës, të pushimeve, të kursimeve të mbledhura ndër vite. Përvec këtyre ai konsumon sasi të mëdha alkooli, përfshihet në konflikte të ndryshme dhe për më tepër ka hyrë në borxhe me të afërmit, shokët e komshinjtë me shpresën se do t’ua lajë një ditë të gjitha, pasi atë e pret fitorja e madhe. Në këtë gjendje, gruaja detyrohet të largohet nga streha bashkëshortore bashkë me fëmijët dhe të drejtohet në dyert e gjykatës për zgjidhje martese, për t’i dhënë një herë e përgjithmonë fund basteve mbi jetën e saj”.

Kjo është një histori e vërtetë, vetëm emri është i sajuar, gjithcka tjetër përkon me jetën e një familjeje që ka përjetuar për 8 vjet rradhazi dramën e varësisë nga kumari dhe pasojave të tij. Jam e bindur se një histori të ngjashme me këtë shumë prej jush tashmë e ka dëgjuar ose parë, pasi lojërat e fatit dhe pasojat e tyre kanë shtrirë rrënjët në vendin tonë. Varësia nga kumari ose e njohur ndryshe si kumari kompulsiv është cilësuar deri në fund të viteve ‘90 si një tip i çrregullimit të kontrollit të impulsit.

Por sot, Shoqata Amerikane e Psikologëve e ka klasifikuar si një lloj varësie të ngjashme me atë të drogave. Në Manualin Diagnostik të Çrregullimeve mendore DSM V, listohen simptomat e varësisë nga kumari. Duhet të shfaqen të paktën pesë prej tyre, që personi të diagnostikohet me çrregullimin e varësisë nga kumari. Personat duhet të kenë një preokupim të vazhdueshëm rreth bixhozit. Në të shumtën e kohës, ata mendojnë për aventurën e rradhës, ku të luajnë, kur të shkojnë dhe sa do fitojnë. Ata kanë një lloj tolerance ndaj sjelljes në lidhje me bixhozin. Luajnë një herë, dy herë dhe kërkojnë gjithnjë e më tepër lojë për të arritur kënaqësinë e dëshiruar. I karakterizon një mungesë kontrolli ndaj sjelljes së tyre. Edhe pse bëjnë përpjekje për të ndaluar, ata tundohen para dyerve të kazinove dhe nuk druhen ti hapin ato. Madje pasi kanë bërë përpjekjet për ndalim të lojës, ata irritohen dhe nuk u flitet me gojë për ditë me rradhë. Ata fillojnë të gënjejnë e të marrin borxhe tek të afërmit e familjarët. Fillojnë të shfaqin probleme në marrëdhënie me partnerët ose edhe në punë. Ata rendin pas humbjes së parave të tyre, me shpresën se një ditë do ti fitojnë të gjitha ato që kanë humbur.

Kumarxhinjtë kompulsivë nuk arrijnë dot të kontrollojnë impulsin për të luajtur edhe kur e dinë që kumari po i shkatërron ata dhe të dashurit e tyre. Kumari është gjithcka që ata duan dhe që mendojnë, pavarësisht pasojave si grindjet familjare, shkatërrimi ekonomik, problemet me të tjerët, ligjin, etj. Ata vazhdojnë të luajnë edhe kur janë pa humor, pa para apo të depresuar. Personat që kanë probleme me kumarin i mohojnë ose i minimizojnë ato. Shpesh për këtë, ata largohen për disa ditë nga familja, gënjejnë se cfarë kanë bërë dhe se ku kanë qenë.

Nga vjen dëshira për të luajtur bixhoz?

Sipas studiuesve, të luajturit bixhoz i ka rrënjët tek e pandërgjegjshmja, përvojat e fëmijërisë, konfliktet e pazgjidhura me prindërit ose autoritetet dhe narcizismi. Disa psikoanalistë kanë sygjeruar se kumarxhinjtë janë mazokistë, të cilët në mënyrë të pandërgjegjshme duan të ndëshkojnë veten për të lehtësuar ndjenjat e fajit.

Një shkak tjetër është për të përballuar përvojat traumatike të jetës. Njerëzit luajnë për të shmangur emocionet e padëshiruara ose të dhimbshme, duke përfshirë trishtimin, fajin, turpin, zemërimin, poshtërimin, dështimin dhe frustracionin.

Të luajturit siguron iluzionin e kontrollit në situata dhe mjedise të pakontrollueshme. Disa e kanë si formë stimulimi, ku në mënyrë të vetëdijshme ose jo, kërkojnë një stil jete aventurieri e riskues. Ndjekja e këtyre impulseve është si një lloj droge e fuqishme. Ka të tjerë që e përdorin për të ndjekur humbjet – të ndjekësh humbjet e shkuara është rezultat i përjetimeve të fitoreve të hershme. Pasi ka fituar një shumë parash, kumarxhiu ka deluzionin e fituesit të madh. Ai mendon se pas kësaj fitoreje jeta e tij do të marrë një tjetër rrjedhë, faturat do të paguhen dhe gjithcka do të kthehet në normalitet, ai s’do të ketë më nevojë të luajë për të fituar.

Ka që e shohin si një mekanizëm mbrojtës, kumarxhinjtë e shohin lojën si një zonë shpëtimi, tek e cila gjejnë strehë për t’iu larguar stresit, presioneve dhe kërkesave të jetës. Të tjerët për të kapërcyer një shkallë ekonomike. Ata kanë iluzionin të indoktrinuar nga reklamat që kumari mund të sigurojë të ardhura të qëndrueshme dhe paratë e fituara mund të zgjidhin problemet.

Sipas teorisë socio-kognitive, kumarxhinjtë kanë deluzione, besime pa baza në realitet. Ata luajnë duke menduar se e kanë gjithcka nën kontroll, se sjellja nuk do ti dëmtojë. Ndërsa teoria mjekësore e trajton dëshirën për të luajtur si një sëmundje, njëlloj si varësia nga alkooli. Teoria e të mësuarit social e shpjegon varësinë nga kumari si të nxitur prej shpërblimeve që jepen në lojën e parë ose të dytë, e më pas shfaqjen e sjelljes së njëjtë me qëllim përfitimin e shpërblimit. Disa kumarxhinj nuk ndihen rehat me suksesin që kanë arritur. Ata ndjejnë se nuk e meritojnë gjithçka që kanë dhe në këtë mënyrë shfaqin sjellje vetëshkatërruese, për të vetësabotuar suksesin e tyre.

Cilët janë më tepër të prirur për të krijuar varësi nga kumari?

Mendohet se meshkujt krijojnë më tepër varësi nga kumari. Megjithatë industria e kazinove ka filluar të tërheqë edhe femrat në vorbullën e saj, që nga reklamat. Gjithsesi sipas studimeve të kryera në SHBA, meshkujt e fillojnë më herët lojën, ndërsa femrat pas moshës 30 vjecare. Megjithatë, sot me arritjet e fundit në teknologji, është mjaft e lehtë për tu përfshirë në lojëra fati se asnjëherë tjetër pavarësisht moshës. Mjafton të kesh lidhje internet, në kompjuter ose celular dhe mund të kesh akses në lloj e lloje lojërash qoftë me para qoftë pa para.

Në përgjithësi të varfrit humbin më shumë në raport me pasurinë e tyre dhe luajnë më shumë, pasi ata e shohin kumarin si biletën e shpëtimit nga varfëria, si telebingon e jetës së tyre. Ndërsa të pasurit luajnë për qejf, por në shuma të mëdha. Ata që luajnë kumar ka të ngjarë të kenë patur në familje persona të dhënë pas lojës dhe i kanë patur model ose shembull që e kanë ndjekur ose imituar.

Tipet e kumarxhinjve dhe karakteristikat e tyre

Sipas Dr.Robert L. Custer, ka gjashtë tipe kumarxhinjsh: kumarxhinjtë arratisës, kumarxhinjtë kompulsivë, profesionistët, antisocialët, rastësorët dhe kumarxhinjtë social seriozë. Këta ndahen në dy grupe të mëdha :

Kumarxhinjtë e veprimit- janë në të shumtën e rasteve meshkuj që e kanë filluar lojën që në adoleshencë. Varësia e tyre zgjat nga 5 deri në 30 vjet. Janë të varur nga trilli i rrezikimit. Kumari është droga e tyre. Zakonisht luajnë me të tjerët, kryesisht lojëra të aftësive me letra si poker, baste sportive. Ata kanë tipare personaliteti si dominimi, manipulimi, kontrolli dhe egoizmi. Kanë inteligjencë mbi mesatare. Njihen si tipa miqësorë, bujarë, pozitivë dhe konfidentë. Por megjithë këto karakteristika të mira, ata kanë vetëvlerësim të ulët. Fillojnë të kenë shkëputje nga realiteti dhe bëhen shumë të zotë për të gënjyer, aq sa gënjejnë edhe veten.

Kumarxhinjtë arratisës- vërehen te femrat. Ato e zhvillojnë këtë problem pas moshës 30-vjecare. Preferojnë lojëra, të cilat nuk kërkojnë ndonjë element aftësie si llotaria, bingo, makinat elektronike. Këto makina prodhojnë clirim të dhimbjeve, emocionale ose fizike. Njihen si tipa të rezervuar, por gjithashtu mund të jenë manipuluese kur ua do rasti. Kanë qenë të abuzuara në fëmijëri dhe kanë vetëvlerësim të ulët.

Të gjithë tipet e kumarxhinjve dallohen për humbjen e aftësive për tu përballur me kërkesat e jetës së përditshme në punë dhe familje, për të përballuar stresin, marrëdhëniet ndërpersonale, pengesat, zhgënjimet. Ata luajnë për të shpëtuar nga mundimi. Ata shfaqin sjellje impulsive, antisociale si psh gënjejnë të tjerët për përfitim personal, janë të paarsyeshëm, nuk dinë të mbajnë një punë ose të kthejnë paratë mbrapsht, janë impulsivë dhe nuk marrin parasysh rezultatet nga sjelljet që bëjnë, thyejnë ligjin, injorojnë sigurinë e vetes dhe të të tjerëve, kanë mungesë keqardhjeje, nuk shqetësohen kur lëndojnë të tjerët, zihen me të tjerët, shfaqin simptoma të depresionit (megjithëse ende vazhdon debati nëse kumari çon në depresion apo depresioni çon në varësinë nga kumari).

Problemi i varësisë nga kumari kalon nëpër disa faza, ku secila prej tyre zgjat nga disa muaj në disa vite:

Faza e fitores-fillimisht ai shfaqet përmes një fitoreje të madhe që con në eksitim dhe këndvështrim pozitiv për kumarin. Kumarxhiu beson se ka një talent për të luajtur dhe fitorja do të vazhdojë. Ata fillojnë të vënë më shumë para në lojë për të fituar.

Faza e humbjes- më pas preokupohen më shumë për të luajtur, fillojnë të kërkojnë para borxh, lënë punën, gënjejnë familjen dhe mbyten në borxhe. Ndjekin humnbjen për të rifituar paratë që kanë lënë në lojëra.

Faza e dëshpërimit- në këtë fazë humbin gjithë kontrollin mbi lojën. Ndihen të turpëruar dhe me faj, por përsëri s’mund të ndalojnë. Gënjejnë dhe vjedhin, gjë që mund ti cojë në burg, drejt divorcit ose humbjes së punës. Nuk u intereson më asgjë, as jeta e tyre. Mund të abuzojnë me drogat dhe alkoolin, madje tentojnë edhe vetëvrasjen.

Gjatë fazës kritike, e cila mund të shfaqet vetëm pasi të jetë konstatuar problemi, kumarxhiu arrin të kuptojë që nuk ka bërë asnjë përparim në jetën e tij dhe nuk ka arritur të përmirësojë ose të realizojë jetën që kishte imagjinuar. Ai përpiqet të bëhet më i përgjegjshëm dhe të ketë shpresë për jetën e tij. Ai fillon të jetë më produktiv në punë dhe përpiqet të fitojë më shumë para përmes punës. Ngadalë ai e lë mënjanë krenarinë dhe kërkon ndihmë apo këshillim. Në këtë pikë është e nevojshme të kërkohet ndihmë profesionale.

Varësia nga bixhozi, është problem aktual në vendin tonë. Ditët e fundit, media ka përcjellë raste të viktimave si pasojë e përfshirjes së tyre në lojëra fati, zhytjes së tyre në borxhe e për pasojë në rrethin vicioz të depresionit e kumarit. Viktimat kanë patur fund tragjik përmes vetëvrasjes e lënie pas të familjes në gjendje shoku. Nuk jam e sigurt nëse kanë patur dijeni familjarët për problemin apo jo, si dhe dyshoj gjithashtu që për këtë problem personat të kishin marrë trajtim. Ende në vendin tonë, probemet psikologjike apo psikiatrike mbrohen e fshihen me forcë si në planin individual ashtu edhe familjar e shoqëror. Për këtë arsye e shoh të arsyeshme e me vend, trajtimin e problemit në masë të gjerë si në media, shkollë e familje. Madje do të sygjeroja hartimin e politikave e programeve kombëtare të trajtimit nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, Mirëqënies Sociale apo edhe të Arsimit, në mënyrë që të edukohet brezi i ri, e të reduktohet fenomeni përmes parandalimit.

*’Jeta Shkurti është Psikologe

934 shikime 1 sote

About the Author

albaniaplus -

Komentoni

XHTML: Mund te perdorni keto html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

We use cookies to ensure that we give you the best experience on our website.
Ok