Turp Serbia!

68

20141014_c4_serbiaMira Kazhani

Në stadiumin e Beogradit nuk kish mbrëmë shumë shqiptarë, veç atyre që ishin në fushën e blertë të stadiumit në Beograd: dhe ata po luanin si djem europianë që nga kapiteni Cana e deri tek portieri Berisha.

E pamë të gjithë se si që nga minuta e parë u përballëm me shprehje të dhunës ndaj lojtarëve kuqezi, të cilët dukeshin të pregatitur për çdo lloj provokimi dhe ruajtën qetësinë. E pamë po ashtu të gjithë sesi Kukeli fshinte gjakun që i rridhte nga hundët, apo arrogancën ndaj preshevarit Lenjani i cili me elegancën që luante topin, shmangu dhe konfrontimin.

Nuk pati në asnjë rast asnjë çast ku futbollistët shqiptarë të silleshin si huliganë. Ndeshja kishte tension. Lojtarët serb i përvisheshin arbitrit sa herë duhet të merrte një masë ndërsa 25 mije tifozë silleshin sikur të ishin në luftë, më saktë sikur nuk ndiheshin në shtëpinë e tyre. Pak minuta para fundit të pjesës së parë, një flamur në ajër i ngritur nga një balonë me telekomandë përndezi gjakrat duke shfaqur mëninë e vjetër ballkanase.

Një Shqipëri etnike e cila më shumë sesa në kokën e shqiptarëve duket se është në kujtesën e ADN-se së serbëve.

Në udhëtimet e mia kam takuar koleg serb, madje ata janë miqtë më të mirë të udhëtimeve e mia të punës: djem dhe vajza të mrekullueshëm që nuk sillen me urrejtje. Por pa dyshim as ata nuk mjaftojnë sot për të justifikuar provokimet serbe në stadiumin e Beogradit.

U komentua dhe besoj do flitet gjatë për “flamurin me telekomandë” që u ngrit në qiellin e stadiumit serb. Ndoshta siç thonë disa ka qenë një dorë e helmët, provokuese, por edhe sikur ta ketë ngritur një shqiptar, apo një serb kjo pak rëndësi ka. Një flamur i shqiptarisë, nuk besoj se i bëri hije mijërave flamujve serb në atë stadium. Sepse, sa normale ishte që në atë stadium të mos vallëzonte në ajër qoftë edhe një flamur Shqipërie? Aspak normale.

Por edhe në këto kushte kuqezinjtë po luanin si zotërinj të vërtetë. Sepse shqiptarët i bashkon futbolli siç ka bashkuar lojtarë shqiptarë nga të gjitha trojet tona italiani De Biazi. Kuqezinjtë janë në fakt një “skuadër etnike”. Nuk ka asnjë Shqipëri të madhe në kokën tonë por nuk kam pikën e frikës të shkruaj publikisht se edhe në qoftë kështu, cfarë mund të thuhet për Serbinë e luftërave pa fund ballkanike, të genocideve, pastrimeve etnike, dhunimeve dhe përdhunimeve. E nëse këto i përkasin, sic zemra na i do, të shkuarës, pikërisht për këtë arsye merr kuptim pyetja: E pse u acaruan tifozët dhe lojtarët serbë? Për një flamur të vetëm?!

Ata nuk na njohin. Urrejtja na ka bërë të ngjashëm, të njësishëm ne ballkanasve por besoj që në dashuri jemi të ndryshëm. Ajo që ndodhi mbrëmë nuk ishte një leksion por një shenjë. Ballkani është ende një fuci baruti. Shpresoj që mbrëmë ta ketë kuptuar edhe kryeministri ynë që Ballkani nuk menaxhohet me… budizëm. Reflekto zoti kryeministër para se të përfitojnë nga naiviteti yt. Fqinjësia e mirë nuk fitohet me një status në Twitter.

Turp Serbia. Përgjegjesia bie mbi ty. Edhe mbi ata lojtar të kombëtares tënde, që nuk e deshën atë shfaqje për nam.

Tashmë rezultati i asaj ndeshje nuk ka më rëndësi. Ndërkohë që shkruaj këto rreshta dëgjoj një spikere në një nga stacionet televizive që thotë: Si mund të ndodh kjo në mes të Europës?! Më fal e dashur kolege një pyetje kam unë: për cilën Europë po flet?? Boll u sollëm si naivë duke u shtirur se kështu dukemi më europianë e civilë. Thuaj të vërteten, ti dhe unë. Ndodhi në mes të Ballkanit. Të atij Ballkani që nuk njeh zbutje. Ndodhi në Serbi. Ajo nuk është ende Europë. Aty të godasin me zjarr, karrige, brryla për një simbol. Përfytyroni ç’mund të bëhej nëse …do shënonim ndonjë gol.