Totozani: Të riintegrohen ish-të përndjekurit politike

60

igli totozaniNjë grup i ish-të përndjekurve politike kanë takuar sot Avokatin e Populli, Igli Totozani, për t’i kërkuar mbështetjen për integrimin e kësaj shtrese, që sipas tyre, janë në një gjendje të rëndë financiare e morale.

Avokati i Popullit, Totozani, ka ofruar mbështetjen e këtij institucioni, si dhe u premtoi ish-të përndjekurve, se do të punojë gjatë gjithë mandatit të tij për riintegrimin e kësaj shtrese.

Po ashtu, Totozani në lidhje me protestat e të përndjekurve, tha se “ne jemi pro protestave demokratike, por ne jemi kundra ,protestave ekstreme. Ne ndjekim me vëmendje të gjithë shtresat, por ish-të përndjekurit në veçanti, pasi ata kanë vuajtur dhe kemi detyrimin moral e financiar për integrimin e tyre. Ne nuk duhet të shohim më skena të tilla ekstreme, si rasti i grevës së urisë, apo vetëflijimit, duke u djegur siç edhe u tentua sot”.

Ky grupim, tha Totozani, “kërkon një kujdes të vecantë që nga dëmshpërblimi, integrimi, punësim etj. Duhet të ketë një afat për dëmshpërblimin për të gjithë  ish-të përndjekurit politike në Shqipëri. Për ne është gjë e shtrenjtë ruajtja e dinjitetit të ish-të përndjekurve politikë”. AI tha se “dinjiteti i këtyre njerëzve është dinjiteti ynë kombëtar. Unë shpresoj, që të mos arrimë në akte të tila ekstreme, pasi janë të gjitha mundësit për riintegrimin e tyre dhe ne si institucion do të punojmë shumë për këtë”.