Publikuar Ne: 18 Maj 2015
169 shikime
AKTUALITET / Lajmet e fundit | By albaniaplus

Takimi rajonal për terrorizmin, Tahiri: Do ngremë grupe hetimore të përbashkëta

saimir-tahiriDo të nisë nesër nje takim rajonal në nivel ministrash të Brendshëm për të diskutuar mbi çështjet që lidhen me radikalizmin e dhunshëm dhe koordinimin mes shteteve për të parandaluar dhe luftuar këtë fenomen.

Në takim, i cili pason atë të organizuar muajin e kaluar në Uashington nga Departamenti Amerikan i Shtetit, do të marrin pjesë 12 vende, ku përveç atyre të Ballkanit Perëndimor, do të jenë edhe shtete anëtarë të BE si dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qe përfaqësohen nga Zv/Sekretarja amerikane e Shtetit për Sigurinë Civile, Demokracinë dhe të Drejtat e Njeriut, Sarah Sewall.

Në një intervistë te henen për Zërin e Amerikës, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, shpjegoi se, “Pas Samitit që u organizua në Departamentin Amerikan të Shtetit në Uashington me asistencën e presidentit Obama, ku u adresuan çështjet e sfidës globale që kemi për t’u përballur me ekstremizmin e dhunshëm, pasojmë me këtë Samit Rajonal të Ministrave të Brendshëm që organizohet në Shqipëri. Kjo ka një vlerë simbolike jo vetëm për faktin që Shqipëria gjerësisht konsiderohet si një faktor i rëndësishëm në rajon dhe më gjerë për luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, por gjithashtu ka dhe vlerë për të vazhduar atë që kemi nisur lidhur me koordinimin e energjive dhe të forcës të agjencive ligjzbatuese në Shqipëri dhe në rajon për adresimin e këtyre çështjeve”.

“Ne kemi përcaktuar disa objektiva bazë, që janë objektiva jo vetëm të Shqipërisë, janë objektiva jo vetëm të rajonit, por janë objektiva të të gjitha vendeve që janë bashkuar kundër ekstremizmit të dhunshëm.
Së pari ne kemi rënë dakord që qasja ndaj terrorizmit duhet të jetë një qasje e përgjithshme dhe jo vetëm një qasje force. Pra, me qasje të përgjithshme kam parasysh përpjekjet që duhet të bëjmë për luftën kundër varfërisë, përpjekjet që duhet të bëjmë për luftën kundër injorancës dhe mungesës së arsimit, përpjekjet që duhet të bëjmë për forcimin e zhvillimit ekonomik në mënyrë të qëndrueshme, e pastaj sigurisht përpjekjet që duhet të bëjmë në kuadër të punës që bëjnë agjencitë ligjzbatuese që nga shkëmbimi informacionit deri tek aksionet e përbashkëta”, u shpreh ministri Tahiri.

Ministri Tahiri tha se, “Ne kemi rënë dakord në këtë samit rajonal të bashkohemi dhe të bëjmë një axhendë pune të përbashkët të Shqipërisë dhe të vendeve të rajonit për të adresuar këtë sfidë në mënyrë të përbashkët, për të koordinuar hapat në mënyrë konkrete dhe për t’i konsideruar çështjet e secilit vend, si çështje të të gjithëve në mënyrë që nga njëra anë të shkëmbejmë informacion intensivisht dhe në kohë reale dhe nga ana tjetër ta adresojmë ekstremizmin e dhunshëm në mënyrë të përbashkët bashkë me partnerët Europian dhe sigurisht me Shtete e Bashkuara të Amerikës”.

Duke u ndalur ne veprimet konkrete ne bashkëveprim me vendet fqinjë ministri Tahiri shpjegoi se, “Kemi rënë dakord që të përpunojmë një seri masash preventive në raport me qasjen e kontrollit në pikat kufitare. Pra në qoftë se një vend si Shqipëria ka masa të përforcuara të kontrollit preventive në kufij dhe një vend marr shembull si Maqedonia ka qasje më të relaksuar në lidhje me lëvizjen e qytetarëve, kemi rënë dakord që të kemi një standard minimal për kontrollin preventiv të qytetarëve në mënyrë që nga njëra anë të shkëmbejmë informacion dhe nga ana tjetër të bëjmë të mundur parandalimin ose detektimin e atyre që nisen e vijnë nga një luftë si kjo që thashë”.

“Kemi rënë dakord, vijoi ai, për ngritjen e grupeve hetimore të përbashkëta dhe kemi filluar ngritjen e grupeve hetimore të përbashkëta. Një ndër to është sigurisht grupi hetimor që ka ngritur Shqipëria me Italinë dhe shtatë apo tetë vende të tjera të Bashkimit Europian, sepse se mendojmë që veprimet hetimore të përbashkëta ndërmjet nesh dhe agjencive ligjzbatuese të tjera në Bashkimin Europian, me asistencën e ngushtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, na ndihmon që të kemi qasje holistike në raport me hetimet që duhet të kemi ndaj këtyre shtetasve”, tha Tahiri.

Duke evidentuar bashkëpunimin e shkëlqyer me Komunitetin Mysliman, Tahiri tha se, edhe Komuniteti Mysliman ka ndihmuar me informacion lidhur me vende të praktikimit të fesë të cilat nuk janë të përfshira në katalogun zyrtar të praktikantëve të fesë në Republikën e Shqipërisë. Sipas tij, asnjë vend nuk është i lirë nga kërcënimi i ekstremizmit, kurrë nuk mund të themi që kjo është një sfidë që përballohet njëherë e mirë e pastaj nuk ke më probleme. Për sa kohë ka fluks ekstremizmi për cilëndo arsye, qoftë kjo fetare, qoftë kjo jofetare, gjithmonë do të ketë punë për agjencitë ligjzbatuese, por mbi të gjitha do të ketë punë për qytetarët, komunitetet lokale, komunitetet fetare. Sepse përpjekja për të adresuar ekstremizmin e dhunshme, cilado qoftë arsyeja e motivimit të tij, mbetet një përpjekje konstante e shoqërive në tërësi, dhe pastaj e qeverive dhe e agjencive ligjzbatuese”, u shpreh Tahiri.

170 shikime 1 sote

About the Author

albaniaplus -

Komentoni

XHTML: Mund te perdorni keto html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

We use cookies to ensure that we give you the best experience on our website.
Ok