Siri, nisin bisedimet për paqen

52

siri-negociatat per paqeNisi sot në Zvicër përpjekja e fundit për t’i dhënë fund luftës brutale dhe të përgjakshme në Siri, por ekspertët thonë se ka pak shpresë për arritjen e një marrëveshje.

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry dhe Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov po kryesojnë bisedimet, së bashku me Kombet e Bashkuara dhe përfaqësues të qeverisë dhe opozitës siriane.

Por aleati kryesor rajonal i Sirisë, Irani, nuk do të jetë i pranishëm në këto bisedime. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-Moon tërhoqi ftesën dërguar Iranit, pasi Teherani hodhi poshtë idenë e krijimit të një qeverie kalimtare në Siri, pjesë e së cilës mund të mos jetë presidenti Bashar al-Asad.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov është shprehur në konferencë se asnjë zgjidhje nuk vjen duke përdorur dhunën.

Duke iu adresuar të pranishmëve, Lavrov, ka thënë se negociatat “nuk do të jenë të thjeshta dhe as të shpejta”.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka thënë se negociatat do të jenë të vështira dhe të komplikuara, por ka theksuar se nuk ka asnjë mundësi që presidenti sirian, Bashar al-Assad, të mbetet në qeverinë e tranzicionit.

Pritjet për një përparim në këto bisedime janë të ulëta. Presidenti Assad ka thënë se nuk do të heqë dorë nga pushteti.