Publikuar Ne: 21 Janar 2014
168 shikime
AKTUALITET / OPINION | By albaniaplus

Shteti vrasës

berish-bash-prendi-22-janarNga Rexhep Qosja

Përvoja historike ka dëshmuar se vrasjeve shtetërore me armë pothuaj gjithmonë u paravijnë vrasjet shtetërore me fjalë. Në Kosovë, gjithmonë, para se të na vrisnin me armë, shteti serb dhe shteti jugosllav, na vrisnin me fjalë politikanët dhe shtetarët serbë. Është e gjatë, shumë e gjatë, vrasja shtetërore me fjalë në jetën e shqiptarëve: e gjatë sa është e gjatë jeta e shtetit shqiptar; e gjatë sa janë të gjata pushtimet e pushtuesve në historinë e shqiptarëve. Të gjata janë vrasjet shtetërore me fjalë dhe me armë edhe në disa shtete të tjera evropiane.

Njëzet vitet e fundit është shtuar shumë vrasja e shqiptarëve së pari me gojën e politikanëve dhe shtetarëve shqiptarë e, pastaj, me armët e policëve dhe gardistëve shqiptarë që përdoreshin prej tyre. Kujtojeni vrasjen masive të shqiptarëve me gojën e kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, në mbledhjen e Kuvendit të Shqipërisë më 17.1.2011! Vrasës politik i denjë për tragjeditë e Shekspirit.

Kujtojeni varrosjen e këtyre të vrarëve me gojën e ish-kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, po në atë mbledhje të Kuvendit të Shqipërisë! Kujtojini varrosjet e të vrarëve me gojën e ish-kryeministrit në sa e sa mbledhje të përparshme të Qeverisë e të Kuvendit me qeshjet cinike të kësaj kryetareje të Kuvendit të Shqipërisë! Varrtare e denjë për Makbethin e Shekspirit!

Pse shteti shqiptar i vret pamëshirshëm qytetarët e vet? Pse shteti shqiptar i vrau pamëshirshëm katër qytetarë të vet dhe plagosi dhjetëra të tjerë në demonstratën e 21 janarit?

Cilat janë arsyet e këtyre vrasjeve dhe të këtyre plagosjeve të qytetarëve shqiptarë nga shteti shqiptar?

Mendësia! Zakonet! Prapambeturia! Primitivizmi! – do të thonë disa.

Nuk do t’i shpjegoj vrasjet e qytetarëve shqiptarë prej shtetit të vet me nocione të tilla, të lashta, edhe pse roli fatal i tyre në këto krime është i madh, po me nocione të tjera, moderne.

Shkak i vrasjes shtetërore me gojë të qytetarëve shqiptarë është edukata katastrofale familjare e vrasësit, por shkak i vrasjes shtetërore me armë është një koncept tjetër.

Shkak i vrasjes shtetërore me armë të qytetarëve shqiptarë është koncepti romanik, anakronik, në të vërtetë koncepti në demokracitë moderne plotësisht i tejkaluar për shtetin, që përcakton sjelljen vrastare të kryeministrit të Shqipërisë, të pretorianëve të tij politikë dhe të kryetares fatale të Kuvendit të Shqipërisë.

Dhe, ky koncept romantik, në të vërtetë i tejkaluar për shtetin lexohet në sytë dhe në fytyrën e egërsuar të Sali Berishës, të pretorianëve të tij politikë; dhe partiakë! Dhe, sidomos, të Kryetares së Kuvendit.

Dhe, ky koncept romantik, në të vërtetë i tejkaluar për shtetin shqiptohet shpesh prej politikanëve dhe shtetarëve shqiptarë rreth Sali Berishës.

E kam dëgjuar shumë e shumë herë.

Posaçërisht egër të shqiptuar e dëgjova në prag të demonstratës së 21 janarit, ditën e mbajtjes së demonstratës, ditën e parë pas demonstratës dhe ditën e dytë pas demonstratës.

Një ditë para demonstratës e shqiptoi, figurshëm dhe shpjegueshëm, ministri i Mbrojtjes. Ai doli para televizioneve, në cilësinë e ministrit, dhe tha: qeveria e Shqipërisë është legjitime; është e zgjedhur me votën e popullit; dhe, nuk mund të rrëzohet me demonstratë. Ministri i Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë me këto fjalë ua çoi këtë porosi shqiptarëve: në qoftë se provoni të prishni rendin e Sali Berishës, demonstratën tuaj do ta shtrijë përtokë ushtria e Republikës së Shqipërisë. I tha këto fjalë ministri i Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë dhe me hap ushtarak u zhduk në zyrën e tij.

Menjëherë pas ministrit të Mbrojtjes në të njëjtat media elektronike e pash dhe e dëgjova ministrin e Rendit Publik. Kërcënimi i tij ishte më i drejtpërdrejtë, kurse koncepti që ka për shtetin shumë më i qartë. Ai tha: të gjithë ata që do të prishin rendin (në demonstratë) do të ballafaqohen me grushtin e pamëshirshëm shtetëror të ligjit!

Koncepti shtetëror i ministrit të Mbrojtjes dhe koncepti shtetëror i ministrit të Rendit Publik të Shqipërisë u realizua siç e kishin menduar ata pikërisht ditën e demonstratës, në të vërtetë siç e kishte paramenduar padishahu i tyre.

Gardianët e mbrojtjes së Shtetit, në të vërtetë të Kryeministrisë, në të vërtetë të kryeministrit, në të vërtetë të Sali Berishës vranë me armët e tyre, disa media thonë, me snajperët e tyre qytetarë të paarmatosur!

Policët e Mbrojtjes së Rendit Publik të Shtetit rrahën pamëshirshëm dhe plagosën shumë nënshtetas të Republikës së Shqipërisë, që bënin demonstratë për një shtet pak më të mirë se ç’është ky në emrin e të cilët u vranë ata të katërtit dhe u plagosën ata që u plagosën!

A duhej të vriteshin ata katër qytetarë të Shqipërisë, që ishin çuar në demonstratë për një Shqipëri më të mirë, më të drejtë, më demokratike se ç’është kjo e sotmja, e sunduar prej Sali Berishës dhe pretorianëve të tij?

Politikanë, diplomatë, shtetarë, intelektualë të vendeve demokratike po thonë: Jo. Demonstruesit, njerëzit e paarmatosur, nuk duhet të vriten, as të plagosen, kurrë dhe kurrkund, prandaj as në demonstrata.

Ish-Kryeministri i Shqipërisë dhe pretorianët e tij politikë e partiakë thanë: Po. Duhet të vriten!

Dhe, thonë kështu jo vetëm për shkak të urrejtjes së madhe, irracionale që shpërthen prej syve, prej pamjes dhe prej gojës së tyre, por edhe për shkak të konceptit romantik, anakronik, kundërdemokratik, që kanë për shtetin.

Ish-Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, tha: “Banditët (demonstruesit – R. Q.) do të përballen me atë që nuk mund ta imagjinojnë”! E kjo: që nuk mund ta imagjinojnë, domethënë me zhdukje, asgjësim të menjëhershëm, aty, para Selisë së tij, para Shtëpisë së tij, para çdo institucioni shtetëror të cilit do t’i afrohen siç iu afruan ata më 21 janar Kryeministrisë së tij.

Ish-Kryetari i Shqipërisë, Bamir Topi, tha, dhe thënien e tij mediat elektronike e përsëriten prej çastit kur e shqiptoi deri në çastin kur po e shkruaj këtë artikull: “Ruajtja e institucioneve dhe e rendit kushtetues është jetike për demokracinë”! Meqenëse ruajtja e institucioneve dhe e rendit kushtetues edhe prej qytetarëve të vet, edhe prej demonstratës së atyre, që në demonstratë nuk janë çuar as për të përmbysur institucionet, as për të ndryshuar rendin kushtetues (jodemokratik) që mbron kryetari i shtetit, është jetike, atëherë kundër tyre është e lejueshme të përdoren edhe armët! Siç u përdorën!

Ish-Kryetari i Grupit parlamentar të Partisë demokratike dhe anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë demokratike, Astrit Patozi, tha: “Rendi kushtetutar do të mbrohet me çdo kusht!” Vetëkuptohet se kjo me çdo kusht do të thotë: edhe me snajperët e gardistëve që vranë katër qytetarë të paarmatosur, edhe me kallashë, edhe me mitraloza, edhe me topa, edhe me autoblinda, edhe me helikopterë ushtarakë, edhe me minahedhës – thjesht me të gjitha armët! Me Policinë! Me Gardën republikane! Me ushtrinë!

Ata që e duan historinë dhe ata që e lexojnë historinë mund të mësojnë se fjali të tilla, më pak a më shumë të përpunuara, më të gjata a më të stisura, në të cilat është i përmbajtur koncepti romantik, primitiv, reaksionar, vrasës për shtetin, me qindra herë, me mijëra herë janë dëgjuar prej politikanëve, zyrtarëve, shtetarëve, në të vërtetë pretorianëve politikë të Musolinit, të Hitlerit dhe të Stalinit.

Koncepti shtetëror që shprehin fjalitë e sipërthëna të pushtetarëve të sipërpërmendur shqiptarë është koncept që mund ta quajmë si të doni: në daçi fashist, në daçi nacionalsocialist, në daçi stalinist! Nuk është e mundshme të merrem me përdallimet e tyre tani.

Ai është koncept që fetishizon shtetin; që mitizon shtetin! Ai është koncept që e fashistizon, që e stalinizon shtetin! Ai është koncept që e bën shtetin vrasës të qytetarëve të vet kurdo ata shprehin pakënaqësi me gojë a me sjellje për shtetin që sundojnë ata që kanë atë koncept.

Koncepti shtetëror që shprehin fjalitë e sipërthëna të pushtetarëve të sipërpërmendur shqiptarë vetëm koncept demokratik nuk mund të jetë kurrë.

Demokracia moderne nuk e shenjtëron, nuk e fetishizon, nuk e mitizon shtetin. Në demokracinë moderne shteti është një servis i qytetarëve, që u shërben qytetarëve. Shtetarët punojnë në atë servis për t’i shërbyer popullit. Domethënë: shteti është i popullit e jo i servistarëve.

Në demokracitë moderne ndaj demonstratave, prandaj, nuk reagohet me çdo mjet shtetëror! Demokracia nuk i vret qytetarët e vet përpos kur kryeministrat e saj bëjnë politikë të çmendur si Ben Alia i Tunizisë…!

Në demokracitë moderne kurrë asnjë zyrtar nuk mund të thotë siç tha kryeministri i Shqipërisë: “gardistët (vrastarë, që kanë vrarë katër qytetarë të paarmatosur) kanë mbrojtur Kryeministrinë! Kanë mbrojtur institucionin shtetëror”. Në demokracinë moderne kurrë nuk mund të ndodhë që qeveria, shteti, t’i shpërblejë me një rrogë më shumë e t’i shpallë heronj vrasësit e demonstruesve. Jo. Se ashtu shteti shpërblen dhe nxit vrasjen e qytetarëve të vet. Shpërblime të tilla mund të japë vetëm shtetari kriminel.

Në demokracinë moderne nuk mund të mendohet, prandaj as të thuhet, se “Ruajtja e institucioneve dhe e rendit kushtetues janë jetike për demokracinë”. Institucionet demokratike mund të jenë të ndryshme: institucione demokratike të tipit skandinav, institucione demokratike të tipit francez, institucione demokratike të tipit gjerman, institucione demokratike të tipit anglez, institucione demokratike të tipit amerikan. E të tjera. Por institucione demokratike kurrë nuk mund të jenë institucionet, që Sali Berisha me pretorianët e tij, detyrohet t’i mbrojë me të gjitha mjetet, prandaj ruajtja e tyre nuk mund të jetë jetike për demokracinë.

Dhe, një fjali e tillë nuk mund të shqiptohet në kontekstin në të cilën e shqipton kryetari i Shqipërisë; dhe, një fjali e tillë nuk mund të shqiptohet në situatën në të cilën e shqipton kryetari i Shqipërisë. Institucionet jodemokratike të Shqipërisë nuk i kishte ndër mend t’i përmbyste kush më 21 janar. Dhe, ata që u çuan në demonstratë e thanë shkoqur: ne nuk duam të ndërrojmë pushtetin me dhunë; dhe ne nuk duam të marrim pushtetin me dhunë: ne kërkojmë vetëm zgjedhje të parakohshme. Le ta thotë populli, në zgjedhje të parakohshme, të lira, pas zgjedhjeve të vjedhura, se prej kujt dëshiron të jetë i qeverisur.

Demokracia moderne, demokracia demokratike e jo feudale, e jo fshatare, e jo fashiste, e jo staliniste nuk i pret me plumba demonstruesit që futen në institucionet e shtetit pa leje, pa kërkesë po me protesta, me pankarta e me demonstrata. Shembuj të sjelljes së tillë të demokracisë moderne ndaj qytetarëve të vet në Evropë po shohim qe sa vite.

Institucionet shtetërore janë institucione të popullit, të të gjithë qytetarëve dhe atyre u njihet e drejta, natyrore, sipërore, të hyjnë në to kur pajtohen dhe kur nuk pajtohen me to, kur i pranojnë dhe kur ngrihen për ndërrimin e qeveritarëve e, sidomos, të uzurpatorëve, të despotëve të tyre.

Qeveritarët e institucioneve shtetërore demokratike nuk frikësohen prej qytetarëve të vet, nuk frikësohen prej protestave dhe demonstratave të qytetarëve të vet, prej hyrjes së tyre në to.

Prej qytetarëve të vet, prej protestave dhe demonstratave të qytetarëve të vet, frikësohen qeveritarët dhe qeveritaret që kanë arsye të frikësohen prej tyre: frikësohen qeveritarët dhe qeveritaret që e gënjejnë popullin, siç e gënjen pandërprerë kryeministri Sali Berisha, që e tallin siç e tall Jozefina Topalli jo vetëm kur e krahason Shkodrën e përmbytur me Venedikun, që e nëpërkëmbin, që ia vjedhin e ia plaçkitin pasurinë siç ia vjedhin dhe ia plaçkitin zyrtarë të lartë shqiptarë, që e bëjnë korrupsionin sistem siç e ka bërë Sali Berisha me pretorianët e tij qeveritarë, që e bëjnë qeverinë skuadër biznesmenësh e familjarësh të biznesmenëve, që bëjnë politikë shtetërore të shtetit të 500 pasanikëve dhe të 3 milionë fukarenjve, që ia mbyllin gojën popullit siç ia ka mbyllur Sali Berisha në shumicën e mediave elektronike, të tipit Klan, ABC-News, TVSH e të tjera, që e vrasin siç po e vret Sali Berisha me pretorianët e tij tani dhe siç e vrau më 1997.

Prej qytetarëve të vet, prej protestave dhe demonstratave të qytetarëve të vet, frikësohen qeveritarët dhe qeveritaret që, megjithatë, nuk e harrojnë mësimin historik: ata që në pushtet mbahen me gënjeshtra e me dhunë ata prej dhunës do të vdesin!

Fjalët që po shqipton, sidomos fjalët nxitëse të luftës qytetare që shqiptoi në mbledhjen e qeverisë më 23 janar, sjelljet që po bën këto ditë, sidomos shpallja e kryetarit të Partisë Socialiste dhe kryeprokurores shtetërore grushtshtetas, të jashtëligjshëm, që presin gjyqin e tij, tregojnë se Sali Berisha është i pushtuar prej mendimesh se ka shumë arsye të frikësohet; dhe, të rrethohet me gardistëve të snajperizuar në kështjellën e tij qeveritare; pas 21 janarit 2011 edhe më shumë se deri më 21 janar 2011.

 

 

 

169 shikime 1 sote

About the Author

albaniaplus -

Komentoni

XHTML: Mund te perdorni keto html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

We use cookies to ensure that we give you the best experience on our website.
Ok