SHBA, armët kimike: Do kemi dhe raste të tjera bashkëpunimi

49

YeeZëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit Hoyt Yee, tha se problemet në konstituimin e këshillave komunale në veri të Kosovës nuk ishin diçka e papritur. Në komentet që bëri mbrëmë për Zërin e Amerikës, zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit tha se e rëndësishme është që qeveritë lokale të zgjedhura së fundi të funksionojnë në përputhje me ligjin e Kosovës. Zoti Yee komentoi edhe për bashkëpunimin me qeverinë e Shqipërisë pas refuzimit të saj për të bërë asgjësimin e armëve kimike siriane në territorin e vet.

Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit Hoyt Yee, tha se deri tani, ka patur përparim të jashtëzakonshëm në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, sidomos me marrëveshjen e nënshkruar në muajin prill.
Hoyt Yee Zëvendës-ndihmës sekretar i Shtetit

“SHBA i mirëpresin përpjekjet që po bëhen nga Prishtina dhe Beogradi për vënien në jetë të kësaj marrëveshjeje. Ishte diçka shumë pozitive që zgjedhjet u zhvilluan përgjithësisht në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe me ligjin e Kosovës. Tani, detyra përpara popullit të Kosovës dhe udhëheqësve të zgjedhur të saj është që të zbatohen rezultatet e këtyre zgjedhjeve në komunat, duke përfshirë ato në veri dhe të garantohet se qeveritë lokale të zgjedhura së fundi do të funksionojnë në përputhje me ligjin e Kosovës dhe me kornizën e institucioneve të saj.”

Lidhur me problemet në konstituimin e këshillave komunale në veri, zoti Hoyt Lee tha:

“Sa herë që ka një proces si ky që ndodh për herë të parë, do të ketë edhe komplikime dhe nuk është e papritur që ka vështirësi në konstituimin e institucioneve për herë të parë. Ne mendojmë se ka shumë rëndësi që udhëheqësit e qeverisë të gjejnë mënyrën për konstituimin e këshillave komunale në përputhje me rezultatet e zgjedhjeve, me ligjin e Kosovës dhe të marrëveshjes së arritur në prill të 2013s.”

I pyetur nëse SHBA janë të zhgënjyera me vendimin e Shqipërisë për të mos pranuar shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë në territorin e saj, zoti Hoyt Yee tha:

“Ne kemi një bashkëpunim jashtëzakonisht të ngushtë dhe të fuqishëm me Shqipërinë në një gamë të gjerë veprimtarish, duke përfshirë sferën e sigurisë, sferën ekonomike, tregtare, kulturore dhe politike. Ky aspekt potencial i bashkëpunimit tonë, pra përsa i përket shkatërrimit të armëve kimike, në fund rezultoi i pamundur por ne e mirëpresim gatishmërinë e treguar nga qeveria e Shqipërisë për t’u takuar dhe biseduar me ne dhe për të shqyrtuar kërkesën tonë. Ne vazhdojmë të punojmë me aleatët tanë të NATO-s dhe partnerë të tjerë të interesuar për të bërë atë që është e nevojshme të bëhet në shkatërrimin e armëve kimike siriane sipas kalendarit që kemi përcaktuar. Jemi të sigurt se do të ketë edhe raste të tjera për lloje të ngjashme bashkëpunimi me Shqipërinë në të ardhmen.”/voa