Reformimi i NSA-së me efekt për gjithë botën

51

nsaNjë grup ekspertësh të përzgjedhur nga Obama ka përpiluar disa rekomandime për reformimin e NSA-së. Rreth këtyre planeve një intervistë me aktivistin e ACLU Brett Kaufman.

DW: Planet e reformave të Obamës bazohen në rekomandimet e një grupi ekspertësh të emëruar nga ai vetë. Si mendoni ju, a do të ketë një ndryshim thelbësor në punën e shërbimit të fshehtë amerikan NSA?

Brent Kaufman: Ndryshimi më thelbësor do të jetë ai i programit të metadatave. Me të qeveria mbledh aktualisht të gjitha të dhënat për thirrjet telefonike që bëhen në apo për në SHBA. Shoqata American Civil Liberties Union (ACLU) po e ndjek shumë intensivisht këtë proces dhe përcakton debatin këtu në SHBA. Një grup ekspertësh të përzgjedhur nga Presidenti ka rekomanduar që qeveria të tërhiqet nga mbledhja e këtyre informacioneve dhe të mos u kërkojë më informacione kompanive të telekomunikacionit. Kjo është një pikë e rëndësishme e debatit, sepse grupi i ekspertëve propozon që të dhënat t’i mbledhë një palë e tretë dhe ne si ACLU mendojmë se kjo nuk është zgjidhje, ngaqë shqetësimi në lidhje me respektimin e sferës private vazhdon.

Brent Kaufman ACLU Washington

A do të ketë reforma edhe pasoja për kryesinë e shërbimit të fshehtë? P.sh. për drejtorin e gjithë shërbimit të fshehtë të SHBA-së, James Clapper, i cili kishte mohuar në një seancë të kongresit në mars 2013 se NSA mbledh të dhënat e miliona qytetarëve të SHBA?

Aktualisht nuk është shumë fjala për James Clapper. Por shefi i NSA-së Keith Alexander dhe një nga kolegët e tij të rëndësishëm do të dalin së shpejti në pension. Pra nuk do të ketë diskutime për pasardhësin e tij. Po ashtu grupi i ekspertëve rekomandon edhe ndarjen e sektorëve për të cilët ishte deri tani përgjegjës Keith Alexander – domethënë si sektori i sigurisë kibernetike dhe ai i aftësisë së NSA-së për sulme. Në diskutim është edhe që në të ardhmen në krye të këtij shërbimi sekret të jetë një civil dhe jo si deri tani një ushtarak. Këto do të jenë ndryshime të mira, por duhet të presim dhe të shohim se çfarë do të bëjë Presidenti me këto propozime.

Nga sa merret vesh grupi i ekspertëve propozon gjithashtu më shumë vetëpërmbajtje në përgjimin e krerëve të shteteve të huaja. A do të sjellë reformimi i NSA-së edhe më shumë mbrojtje për jetën private të jo-amerikanëve, për shembull, për qytetarët në Evropë?

Një nga rekomandimet më të rëndësishme dhe më pak të bërë të njohur për publikun nga grupi i ekspertëve është se masa të caktuara për mbrojtjen e privatësisë së amerikanëve duhet të vlejnë në gjithë botën. Është fakt se NSA nuk duhet t’i përdorte programet e saj masive të mbikqyrjes në të gjithë botën. Por kjo po ndodh aktualisht. Qeveria e SHBA-së i ka vënë njerëzit në të gjithë botën nën një regjim të mbikqyrjes në masë. Dhe me këtë ajo shkel marrëveshjet ndërkombëtare, të drejtën ndërkombëtare. Ne si ACLU shpresojnë që reformat do të kufizojnë disa nga këto praktika abuzive – jo vetëm në SHBA, por në mbarë botën.

Juristi Brent Max Kaufman është bashkëpunëtor i organizatës për të drejtat e njeriut American Civil Liberties Union (ACLU) dhe punon në sektorin e sigurisë kombëtare.

Intervistoi: Antje Passenheim

DW