Publikuar Ne: 14 Nëntor 2014
173 shikime
AKTUALITET / Lajmet e fundit / POLITIKE | By albaniaplus

Rama: Nuk provokova Serbinë

Rama ne top storyKryeministri shqiptar Edi Rama deklaroi mbrëmjen e djeshme se thirrja e tij në mes të Beogradit për të njohur Kosovën, nuk ishte një provokim nga ana e tij, por ishte një thirrje në formën e ndihmës për Serbinë, për të lënë pas të shkuarën.

“Në këndvështrimin tim thirrja ndaj Serbisë është ndihmë për Serbinë, nuk është provokim. Sa më shpejt ta njohin aq më shpejt do të çlirohen nga një hije që i ndjek pas dhe që siç e patë ua merr frymën kur u del përpara. Besoj se edhe ata vetë janë të vetëdijshëm që ky është një proces i pakthyeshëm, por kapërcimi i vetvetes kërkon një kurajë që në rastin e tyre është e jashtëzakonshme dhe që ende nuk e kanë gjetur”.

Në një intervistë për Top Channel, Rama deklaroi se nuk u ndje i provokuar, por i keqardhur nga reagimi i kryeministrit serb Vuçiç. Por kjo, tha kryeministri,  nuk do e pengojë në përpjekjet e tij për ta çuar përpara këtë marrëdhënie me Serbinë, sepse ka interes reciprok nga të dyja palët që marrëdhëniet të jenë në nivelin e duhur.

“Ka interes Shqipëria dhe ne që të çojmë përpara këto marrëdhënie pa harruar se çfarë na ndan, por të vetëdijshëm se çfarë na bashkon në funksion të transformimit rrënjësor dhe kapërcimit përfundimtar të një periudhe izolimi dhe varfërie dhe prapambetjeje kronike në Ballkan dhe krijimit të kushteve për të qenë të njëzëshëm ndaj Evropës që e ka të pamundur të mos jetë cinike kur na sheh si ballkanas që gjithë jetën kemi bërë luftëra e sherre. Jemi ne që duhet ta ndryshojmë këtë për të qenë dinjitoz dhe për të kërkuar reciprocitet BE-së. BE s’mund të na trajtojë ne si një shtojcë e bezdisshme dhe s’mund ta shtyjë pafundësisht ditën kur duhet të na marrë edhe në brenda mureve të shtëpisë së vet sepse ne jemi Evropë. Si të tillë duhet të sillemi dhe si të tillë duhet të veprojmë që të jemi të besueshëm”, u shpreh Rama.

Intervista e plotë:

Sokol Balla: Pas një turi dyditor në kënde më të humbura të Ballkanit, do të thoja unë, si ishte Presheva dhe Lugina, e kishit imagjinuar se do priteshit thuajse me cilësinë e heroit, si në Prishtinë ashtu edhe në Tiranë, ndërkohë që kjo ishte një vizitë e parafolur dhe e shumëpërfolur?

Edi Rama: Jam jashtëzakonisht i emocionuar ende nga pritja, jo vetëm në Preshevë, atë e prisja, por në rrugët e Kosovës, në Shqipëri dhe nga mbështetja e jashtëzakonshme e të gjithëve për një takim që kishte peshën e vet, por që ishte një domosdoshmëri historike në një moment të tillë të Ballkanit, kur për herë të parë po jetojmë në paqe dhe ku jemi të sfiduar që paqes t’i japim gjithë përmbatjen që lidhet me jetën e njerëzve kudo ku ata jetojnë.

Sokol Balla: Ne gazetarët që ju shoqëruam ju pamë goxha të tensionuar dhe të ngarkuar në fillim, kur hipët në avion dhe kur po mbërrinit në Beograd. E parashikuat një vizitë të vështirë, apo e dinit se çfarë reagimi do të ngjallte deklarata juaj?

Edi Rama: Nuk e di se si jam dukur, por ka qenë një natë pa gjumë sepse kemi bërë edhe përgatitjet e fundit deri në detaj dhe ishte një takim që kishte ngarkesën e vet që u bë edhe më e posaçme pas asaj shtyrjes së detyruar të takimit.

Sokol Balla: Në fakt nuk keni folur shumë për telefonatën që patët me Vuçiç, ku ratë dakort të mos binit dakort për shumë gjëra, por ratë dakort që vizita të shtyhej. Mund të na thoni diçka më tepër pasi ka patur shumë spekullime për këtë telefonatë?

Edi Rama: Unë nuk i përflas komunikimet që janë pjesë e punës dhe pjesë e kryerjes së detyrës në raport me homologë, vizitorë të huaj, miq dhe partnerë të Shqipërisë sepse besoj që kjo nuk është etike. Telefonata ka ardhur si rezultat i nevojës për të komunikuar pas një periudhe shumë të ngarkuar ku për fat të keq pala tjetër humbi çdo ekuilibër në adresimin e problematikës të ndeshjes së futbollit dhe sigurisht ka ardhur edhe si rezultat i përpjekjes për të mbajtur një angazhim të marrë kohë më parë, por edhe të lidhur pastaj me Konferencën e Berlinit, ku ky takim ishte i parashikuar dhe i përcaktuar më parë, u konsiderua si një nga elementët kyç në këtë periudhë të parë të procesit të ndërtimit të një paqeje që ja vlen të jetohet.

Sokol Balla: Pra kishte një farë presioni indirekt europian, BE-së apo Gjermanisë që kjo vizitë të bëhej me çdo kusht, apo jo?

Edi Rama: Mbi ne nuk ka patur asnjë presion. Qendrimi ynë ka qenë i qartë dhe i palëkundur dhe më vjen mirë që pas vizitës, edhe ata që ishin kundër vajtjes në Beograd kuptuan që mosvajtja do të ishte jo vetëm shprehje e një dobësie të panevojshme, por dhe një humbje e madhe e një rasti unikal për të çelur një faqe të re në historinë e dy vendeve dhe për të shkruar së bashku me serbët një kapitull të ri për Ballkanin.

Sokol Balla: Për kureshtje, është e vërtetë që ju patët kërkuar që vizita juaj në Beograd dhe ndeshja në një datë, dhe nëse do kishte ndodhur kështu, mendoni që rrjedha e ngjarjeve do kishte qenë ndryshe?

Edi Rama: Nuk është e vërtetë sepse kur do të zhvillohej ndeshja ne kishim prej kohësh një angazhim të marrë në Universitetin e Harvardit për të qenë të pranishëm për ciklin tonë të konsultimeve me Qendrën për Zhvillim Ndërkombëtar në Harvard, që është edhe një trupë këshilluese e qeverisë sonë.

Sokol Balla: Si ndjeheni pas kësaj vizite, krahasuar me pritshmëritë që kishit?

Edi Rama: Ndjehem shumë mirë, por mbi të gjitha dua ta përsëris atë që u mundova të them pa shumë sukses në konferencën e shtypit, pas kthimit dhe nuk di se sa mund të jem në gjendje, por është e vështirë për të përshkruar ndjesinë e brendshme përballë gjithë këtij inkurajimi dhe mbështetjeje në të gjithë trojet e shqiptarëve dhe nga shqiptarët kudo ata jetojnë. E vetmja gjë që mund të them është se ju jam të gjithëve thellësisht mirënjohës dhe do bëj gjithcka është në forcat e mia dhe mundësitë që të jem në lartësinë e këtij privilegji që njerëzit në Shqipëri më kanë dhënë për të qenë Kryeministër i vendit tim. Është një privilegj i rrallë dhe nder që nuk i jepet kujtdo, por rasti i këtij takimi e ka bërë përmasën e këtij nderi brenda meje…e vetmja gjë që mund të them është që gjithcka kam unë do ta vë në dispozicion të këtij vendi dhe të njerëzve të këtij vendi.

Sokol Balla: Duket paradoksale sepse ndërkohë ju keni marrë kredite politike nga kjo vizitë, e cila politikisht ndoshta nuk ishte e suksesshme, pasi sic e tha edhe vetë Vucic Edi Rama humbi mundësinë për të normalizuar marrëdhëniet me ne.

Edi Rama: Kjo është cështje këndvështrimesh dhe pas asaj që ndodhi në konferencë, s’kemi pse të presim këndvështrime simetrike për takimin, por fakti që edhe pas konferencës ne vazhduam të komunikojmë dhe fakti që këmbënguljes sonë për t’i dhënë përmbajtje marrëveshjes për rininë, për të mos lënë një marrëveshje me terma të përgjithshme që refuzuam ta firmosim, solli si rezultat vazhdimin e përpjekjes dhe firmosjen e marrëveshjes, tregon që takimi ja ka vlejtur. Njohja e diplomave nga dy vendet është dicka që mund të tingëllojë pa shumë vlerë në veshët e shumëkujt nga prindërit dhe studentët e këtij vendi, këtu në Shqipëri, por pyesni prindërit dhe studentët në Preshevë që do t’u thonë se çfarë rëndësie të madhe ka ky fakt. Ashtu sikundër nesër, gjithmonë e më shumë me intensifikimin e marrëdhënieve, kjo do të jetë e vlefshme për studentët e të dyja anëve sepse me shpresë dhe me punë hapja e ekonomive dhe krijimi i një tregu më të madh do të sjellë një lëvizje shumë më të madhe të burimeve njerëzore dhe do të sjellë edhe një shkëmbim më intensiv të kapitalit njerëzor që do të bëjë që shumë njerëz nuk do të shohin më se çka qenë e shkuara, por pa ngurrim do të përpiqen që të vënë në jetë dijet e tyre, falë diplomave të njohura reciprokisht në vendet respektive.

Sokol Balla: Nuk iu referova marrëveshjeve, pasi sigurisht edhe ato janë të rëndësishme…

Edi Rama: Po ashtu marrëveshja tjetër që të realizojmë lëvizjen vetëm me karta identiteti është një arritje po të llogarisim faktin edhe se qysh prej 1978, janë shkruar, rishkruar, redaktuar, çuar e kthyer mbrapsht dhe kanë mbetur pa firmosur, 17 marrëveshje të cilat po t’i shohësh janë marrëveshje krejt normale mes vendeve, por që kanë qenë të pamunduar të firmosen deri më tani. Kështu që them që vizita ja ka vlejtur për shumë gjëra, por padyshim për të dyja palët ka qenë një moment i rëndësishëm dhe koha do të tregojë, dhe jo vonë, që sekuencat e mëpastajme do të sjellin vazhdimisht produkt.

Sokol Balla: Iu referova më shumë sa i përket faktit që jemi fqinj në sherr prej shekujsh…për një vijë ujë, apo për një copë tokë. Në këtë sens, kjo vizitë, pas asaj që ndodhi, a mund të quhet një fillim i ri pragmatist siç e quajti Vuçiç në konferencë para se ju të flisnit në fakt?

Edi Rama: Mos të harrojmë që armiqtë më të mëdhenj mes tyre në Europë kanë qenë francezët dhe gjermanët dhe luftërat e gjaku që kanë derdhur nga trupi i njëri-tjetrit është i pallogaritshëm, por ja ku jemi. Europa e bashkuar ka në themel miqësinë dhe partneritetin e ndërtuar mbi një të shkuar të përgjakshme mes Gjermanisë dhe Francës. Ka gjithmonë një kohë kur paqja është e mundur dhe mbi paqen të ndërtohet rruga e re e mirëqënies së njerëzve, ajo ka rëndësi parësore. Ne emër të saj bëhen edhe luftërat edhe paqja.

Sokol Balla: Megjithatë ka pasur zëra pak më të ftohtë që kanë ngritur pikëpyetje lidhur me kërkesën tuaj. Shumica e ka quajtur një dron të dytë, por u duk që deklarata solli befasi dhe zemratë tek Vuçiç, por ka patur zëra edhe në Shqipëri nëse ishte e nevojshme një deklaratë e tillë në këtë moment? 

Edi Rama: Ata që pyesin a ishte e nevojshme do t’u thoja, parafytyroni vetëm që një Kryeministër i Shqipërisë shkon në Beograd pas 68 vjetësh dhe në konferencën e shtypit duke përmendur Kosovën, çfarë do thoshte?!

Sokol Balla: Ju i bëtë thirrje Serbisë për të njohur Kosovën, jo thjesht përmendet Kosovën

Edi Rama: Në këndvështrimin tim thirrja ndaj Serbisë është ndihmë për Serbinë, nuk është provokim. Sa më shpejt ta njohin aq më shpejt do të çlirohen nga një hije që i ndjek pas dhe që sic e patë ua merr frymën kur u del përpara. Besoj se edhe ata vetë janë të vetëdijshëm që ky është një proces i pakthyeshëm, por kapërcimi i vetvetes kërkon një kurajo që në rastin e tyre është e jashtëzakonshme dhe që ende nuk e kanë gjetur. Unë nuk u ndjeva i provokuar, por i keqardhur nga reagimi i Kryeministri serb dhe sic e thashë edhe aty, në rast se në Tiranë kryeministri serb do të thoshte që ne nuk e njohim Kosovën, sërish nuk do ndjehesha i provokuar, por i keqardhur. Por kjo nuk do më pengojë që të jem i mirësjellshëm dhe të bëj përpjekje që ta çojmë përpara këtë marrëdhënie me Serbinë sepse është në interes reciprok. Ka interes Shqipëria dhe ne që të çojmë përpara këto marrëdhënie pa harruar se cfarë na ndan, por të vetdijshëm se cfarë na bashkon në funksion të transformimit rrënjësor dhe kapërcimit përfundimtar të një periudhe izolimi dhe varfërie dhe prapambetjeje kronike në Ballkan dhe krijimit të kushteve për të qenë të njëzëshëm ndaj Europës që e ka të pamundur të mos jetë cinike kur na sheh si ballkanas që gjithë jetën kemi bërë luftra e sherre. Jemi ne që duhet ta ndryshojmë këtë për të qenë dinjitoz dhe për të kërkuar reciprocitet BE-së. BE s’mund të na trajtojë ne si një shtojcë e bezdisshme dhe s’mund ta shtyjë pafundësisht ditën kur duhet të na marrë edhe në brenda mureve të shtëpisë së vet sepse ne jemi Europë. Si të tillë duhet të sillemi dhe si të tillë duhet të veprojmë që të jemi të besueshëm.

Sokol Balla: Reagimet e para të fjalëve të Vuçiç në konferencën për shtyp, linin të kuptohej se ai ndjehej jo vetëm i provokuar, por edhe i fyer, gati-gati si i prerë në besë. A ishte Kosova pjesë e bisedës kokë më kokë për gati 1 orë që ju patët me të?

Edi Rama: Dikush ma bëri këtë pyetje dhe citoi kryeministrin serb të prerë në besë. Unë di që besa është një institucion shqiptar, nuk e di që e kanë edhe serbët. As kemi dhënë ndonjë besë, as mora besë kështu që nuk preva njeri në besë. Do ishte prerje në besë e shqiptarëve që unë në Beograd të mos bëja atë apel që bëra dhe është shumë e habitshme kjo pjesa që ata ndjehen të provokuar dhe po ta shikojmë është një institucion viktimologjie që serbët e kanë ngritur ndër vite. Kanë folur si të provokuar edhe kur bënin hatara, ndjehen të provokuar kur shikojnë një flamur, kur shikojnë një zog, kur shikojnë kryeministrin e një vendi tjetër që thotë atë që mendon. Unë besoj që koha e provokimeve ka mbaruar dhe këto sjellje i përkasin të shkuarës.

Sokol Balla: Pas konferencës ju vazhduat me një pjesë të delegacionit, hëngrët drekë bashkë. Na thoni diçka më shumë se më thanë që gjërat ishin qetësuar andej nga fundi?

Edi Rama: Nuk ka qenë e lehtë, por ka qenë prova që nuk është e pamundur që të diskutojmë në cështje konkrete edhe pasi ndodh ajo që ndodhi që për serbët u pa dhe u jetua si një hata e madhe, ndërsa për mua është absolutisht bërja e detyrës nga ana ime dhe thënia e një të vërtete që edhe kur dhemb bën mirë. E vërteta është një ilaci i hidhur, por shëron, gënjeshtra e ëmbël por të sëmur.

Sokol Balla: Politika është edhe arti i aktrimit publik. Kush aktroi më shumë atë ditë? Shikoja që qeshnit sa më shumë, Vuçiç nxehej dhe përmendte fjalën provokim.

Edi Rama: Ju siguroj që nuk kam patur asnjë sekondë në vëmendje se si jam dukur, por kam qenë i përqendruar për të bërë gjënë e duhur.

Sokol Balla: Ju kanë akuzuar disa përfaqësues të nivelit të dytë të opozitës se kjo ka qenë dicka e planifikuar, se ju keni rënë dakort për ta bërë këtë në publik. Për të thënë të vërtetën, nga pikëpamja e kapitalit politik nuk është se edhe zoti Vuçiç ka dalë i humbur nga kjo.

Edi Rama: Niveli i parë i opozitës dhe s’ke ku e kap, të diskutojmë tani edhe për nivelin e dytë të opozitës. Nivelin e parë s’ke ku e kap nga sasia e marrëzive për njësi kohe që thotë.

Sokol Balla: Atëherë vijmë tek reagimet e nivelit të parë, nëse do të quajme të tillë atë të Berishës që ka postuar vazhdimisht që nga momenti që avioni u nis për në Beograd dhe deri mbrëmë vonë pas mesnate. I keni lexuar? Ju kanë thënë reagimet e tij?

Edi Rama: Më bënë një pyetje në konferencë lidhur me flamurin sepse nuk e ndjek në Facebook, kështu që, mesa duket Facebook s’është instrument për mosha shumë të thyera.

Sokol Balla: Në fakt nuk kemi patur asnjë reagim të Bashës, ka patur reagime të tjera, por ka patur edhe një reagim të Patozit i cili ka vlerësuar vizitën tuaj dhe rezultatin e saj të paqortueshëm, por ka bërë thirrje që nuk duhet t’i kërkohet opozitës të duartrokasë në një rast të tillë.

Edi Rama: S’di t’i kem kërkuar opozitës të duartrokasë dhe nuk dua të hyj në këto komente sepse besoj që ky nuk është rasti për të përfshirë opozitën në bisedë në formën e shprehjes së pakënaqësisë ndaj saj. Përpiqem që opozita të shihet nga të gjithë ne në të drejtën e vet për të bërë punën e vet kur flet, pavarësisht se flet më shumë marrëzira se çdo të mund të pranoheshin, në këtë rast posaçërisht nuk kam dëshirë të komentoj. S’është aspak e bukur që të vetmet gazeta që hidhnin baltë mbi Kryeministrin e Shqipërisë për vizitën në Beograd dhe për atë që ndodhi atë ditë, ishin gazetat e Serbisë dhe gazeta e PD. Ka 1001 arsye për të kritikuar qeverinë, ka 1001 mundësi për të thënë gjithë të zezat për qeverinë, po jo kjo. Paraardhësi im e di shumë mirë që kur shkohet në një vend tjetër garda e vendit del për të të nderuar mikun qe vjen dhe garda është përfaqësia e parë ushtarake në protokoll dhe nuk del me flamurin e vendit tjetër, del me flamurin e vet. Të thuash tani që ky ishte poshtërim që iu bë Kryeministri shqiptar, si ta marrim këtë?! Unë nuk dua që të besoj dot që ai e thotë këtë sepse kështu dëshiron të jetë, unë them që nga mosha, lodhja, rrjedhja ka harruar që kjo është normë. Të gjithë do të plakemi dhe mos e dhëntë Zoti që të plakemi keq siç po i ndodh atij, por edhe mund të ndodhë. Mirë është që pleqt t’i shikojmë me respekt edhe kur bëjnë budallallëqe si në këtë rast.

Sokol Balla: Zakonisht një fjalim i tillë kthehet në fjalim historik, zakonisht konsultohet me Ministrin e Jashtëm, me analistë të sigurisë, me partnerë ndërkombëtarë. Kjo deklaratë e juaja për Kosovën dhe Preshevën, janë konsultuar me Ministrin e Jashtëm, për më tepër me partnerët tanë ndërkombëtarë?

Edi Rama: Ne kemi për cdo cështje të kompetencave të qeverisë një kulturë pune në skuadër dhe për vizitën është punuar në skuadër. Ministria e Jashtme ka mbajtur barrën kryesore të përgatitjes së vizitës, ashtu si dhe gjithë pjesët e tjera të lidhura me sigurinë dhe padyshim që nuk është se ishte një fjalë e improvizuar, por e menduar e konsultuar dhe e shkruar në cdo fjali me vetëdijen më të plotë. Me ndërkombëtarët nuk kemi patur pse të konsultohemi sepse nuk shkova aty si Sekretar i OKB-së, por si Kryeministër i Shqipërisë.

Sokol Balla: Folët për Kosovën, por është edhe dialogu Prishtinë-Beograd dhe marrëveshja që ata nënshkruan gjithcka është me mbështetjen e ndërkombëtarëve. Ne e dimë shumë mirë që kur vjen fjala për Kosovën ne nuk duhet të flasim pa folur me aleatë tanë historikë.

Edi Rama: Unë nuk e di këtë. Nuk e kuptoj pse duhet të flasim me të tjerët kur flasim për Kosovën. Di që ne kur flasim për Kosovën nuk flasim asgjë të ndryshme nga ajo që thonë Shtetet e Bashkuara apo Bashkimi Europian, ndërkohë që edhe dialogun unë e mbështeta fuqimisht dhe madje edhe me gjithë vlerësimin për udhëheqësit e dy vendeve për ta cuar përpara këtë dialog.

Sokol Balla: Ka patur reagime nga partnerët tanë ndërkombëtarë?

Edi Rama: Jo. Ka patur reagime që janë bërë publike që janë përshtypje e partnerëve tanë për vizitën.

Sokol Balla: Në largim nga Presheva dikush më tha që tani që ikën entuziazmi vjen koha e dhënies së llogarive. Në fakt shumë zyrtarë të qeverisë shqiptare ndodhen në Bruksel këto ditë, ndaj pyetja ime ishte nëse kjo vizitë ka sjell shqetësim duke patur parasysh që nga ana tjetër, nga pala serbe që do të ankoheshin lidhur me ‘sjelljen tuaj’, sic e quajti Nikoliç të papërgjegjshme.

Edi Rama: Jam krenar për këto ankesa. Ata u ankuan edhe për fluturakun që nuk kishte lidhje me ne, madje ma veshën mua person duke thënë që vëllai im e çoi atje. Besoj që janë sforco që janë pjesë e politikës së tyre dhe pjesë e një historie nga e cila shpresoj të shkëputen sa më shpejt.

Sokol Balla: Sheshel deklaroi se Nikolic dhe Vucic janë tradhëtar të Serbisë sepse bashkëpunojnë me Perëndimin. Mendoni që homologut tuaj i keni shkaktuar një dëm goxha të madh me këtë vizitë?

Edi Rama: Do merremi edhe me Sheshelin tani?! Unë besoj që jo vetëm për shkak të paqes, sepse ne jemi në këtë situatë dhe shpesh natyra njerëzore është e prirur që të harrojë cfarë ka kaluar, ky është viti i parë pa palë dhe pa konflikte mes palësh për kufijtë. Mos harrojmë që vijmë pas një marrëveshje paqeje të firmosur mes Serbisë dhe Kosovës që është akti i fundit i shkatërrimit përfundimtar të ish-Jugosllavisë dhe hapja e një sipari të ri. Pyetja është se cfarë do të bëjmë ne me këtë paqe? Unë besoj që është fat që një gjeneratë e re është në pushtet, edhe në Serbi. Sidoqoftë përtej të gjithave, fakti që kjo gjeneratë e re ka arritur të ulet në tryezë, të nënshkruajë një marrëveshje, të jetë në një dialog, të presë në Beograd Ministrin e Jashtëm të Kosovës dhe kështu me radhë, flet shumë. Para pak javësh Tadic ka folur për njohjen de facto të pavarësisë territoriale të Kosovës. Sigurisht që gjenerata e sheshelëve dhe nikolicëve është ajo që është dhe nuk presim që të jenë ndryshe.

Sokol Balla: Përmendet Tadic dhe ju patët një takim me të që nuk u bë publik…

Edi Rama: Pata një takim miqësor dhe folëm në përgjithësi për këtë tematikë. Qendrimi i tij lidhur me atë që ndodhi në ndeshje ka qenë shumë më i pranueshëm dhe më korrekt, plus largimi nga pushteti e bën shumë më të thjeshtë mënyrën se si shikohen gjëra.

Sokol Balla: Pse zgjodhët një profil që deri dje nuk ua besonte dhe nuk ua njihte askush? Çfarë ndodhi?

Edi Rama: Ndodhi që nuk më keni njohur mirë, jo se unë kam ndryshuar.

Sokol Balla: Ju vetë përmendët në një takim me shoqërinë civile serbe se në vitet ’90 dhe 2000 jeni cilësuar jo rrallë në Shqipëri dhe Kosovë si proserb, shpesh duke ju kujtuar edhe aktin e dhënies së çelësit të qytetit një këngëtari të njohur serb, i njohur edhe për mbështetjen që i dha luftës në Bosnje dhe mercenarëve serbë atje, Goran Bregovic. Këtë s’mund ta mohoni, e përmendet vetë.

Edi Rama: Nuk e mohoj. Besoj që një pjesë e madhe e paragjykimit lidhet me një paragjykim të vjetër të kuptueshëm sidomos në Kosovë për PS për shkak se ata kanë vuajtur tmerre nga ajo që quhej Partia Socialiste atje. Gjithmonë socialistët janë identifikuar me palën tjetër edhe për këtë shkak. Por e vërteta është që nëse ka një arsye themelore për të qenë krenarë për PS të Shqipërisë është se ka qenë konseguente gjithmonë në mbrojtjen e interesit kombëtar. Fakte, jo llafe. Dhe nëse ka dicka që të pengon të thuash të njëjtën gjë është mos konseguenca e PD-së, apo më saktë ndarja në momente dramatike e fjalës nga vepra. Makineria e luftës e Sllobodan Milloshevic është furnizuar me naftë kontrabandë nga Shqipëria.

Sokol Balla: Këtë e ka shpjeguar edhe Berisha, por ka shpjeguar edhe arsyen pse.

Edi Rama: E ka bërë për të mirën e popullit?! Refuzimi për të mbështetur firmosjen e Rambujesë bashkë me gjithë luftën propagandistike simetrike ndaj UÇK-së me atë të luftës propagandistike në Serbi ka ardhur nga pala tjetër. Është një paragjykim që është dashur shumë kohë të zbutet dhe zbehet për shkak të së shkuarës që me plot të drejtë shqiptarët e Kosovës e kanë patur me socialistët. Të mos harrojmë që partia e tmerreve atje quhej socialiste. Unë këtë e kam mirëkuptuar si të tillë. Por nga pikëpamja e koherencës në vijën e interesit kombëtar, me mbështetjen e Kosovës, me mbështetjen e UÇK-së, me mbështetjen e idealeve që çuan në lirinë dhe pavarësinë PS nuk ka pasur as shenjën më të vogël të lëkundjes ndër vite, shumë kohë përpara se unë të isha anëtar dhe kryetar i saj.

Sokol Balla: Kjo ha interpretim…

Edi Rama: Që të hajë interpretim duhet të më jepni një fakt të vetëm që të mund të dëshmojë të kundërtën.

Sokol Balla: Deklarata e Lisbonës e Fatos Nanos se Kosova duhet të jetë në një shtet me kryeqytet Beogradin, në takimin e Kryeministrit të asaj kohe, Nano me Sllobodan Millosheviç.

Edi Rama: Së pari në rast se i referohemi një deklarate duhet edhe konteksti i një kohe, kohë që janë të  lashta në historinë që lëviz me një shpejtësi shumë të madhe. Një deklaratë e bërë në një kohë kur Kosova Republikës si shtet i pavarur ishte një opsion që nuk ishte një i hapur dhe i vendosur përballë palës tjetër as në Kosovë. Jemi në kushte të tjera. PS në histori, historia do të tregojë shumë gjëra që sot nuk janë të ditura. Ka qenë një mbështetje aktive e clirimit dhe e pavarësimit të Kosovës.

Sokol Balla: Në emër të koherencës, nëse do të ishit sot, do t’i jepnit çelsin e Tiranës Goran Bregoviç?

Edi Rama: Po.

Sokol Balla: Për çfarë arsye?

Edi Rama: Për të njëjtën arsye që e kam bërë që s’ka lidhje me ato që u thanë por me ato që ne jemi. Pse jemi sot më mirë se ç’kemi qenë ndonjëherë në këtë rajon ku historikisht jemi parë si qënie të dorës së dytë dhe thellë-thellë mospajtimi i të tjerëve, dhe posaçërisht i mikpritësve tanë lidhet me faktin që ju duket çudi që shqiptarët nuk janë më ata që kanë qenë dhe që akoma më keq janë parë sikur kanë qenë. Ne si komb, si popull, kemi arritur të jemi në lartësinë e disa vlerave dhe parimeve që na kanë sjellë këtu. S’kemi kërkuar asnjëherë atë që nuk na takon dhe kemi bërë dallimin mes nacionalizmit dhe patriotizmit. Nacionalisti është dikush që e do shumë vendin e vet, por që urren të tjerët. Patrioti është dikush që do vendin e vet, por do edhe të tjerët. Pra nuk e shikon lumturinë e vendit të vet në kurriz të të tjerëve apo mbi gjakun e të tjerëve. Kemi arritur të ndërtojmë një model që duhet të jemi krenar dhe duhet t’ia përsërim serbëve dhe kujtdo tjetër; modelin e trajtimit të minoriteteve. Nuk e ka këtë standard askush tjetër, sic e kemi ne. Si trajtohen grekët në Shqipëri edhe një komuniteti i vogël minoritarë maqedonas në Shqipëri dhe si trajtohen serbët në veriun e Kosovës harrojeni se mund të dalë dikush tjetër dhe të thotë se ne i trajtojmë kështu, të paktën në këtë pellgun tonë të nacionalizmave dhe të marrëzive të së shkuarës. Kjo është një arsye shumë e fortë që të kërkojmë të njëjtën gjë nga të tjerët. Është arsye e fortë që të themi që zuri vend provokimi me Kosovën, por të jemi të sigurt që nëse nuk do kishte qenë Kosova, do kishit parë një reagim të njëllojtë për atë që thashë për shqiptarët në Luginën e Preshevës. Janë shumë larg së qëni një pakicë brenda Serbisë që trajtohen sic trajtohen serbët në Kosovë dhe pse të mos e kërkojmë ne këtë për shqiptarët? Në fund të fundit me cfarë ushqehet nacionalizmit dhe luftrat? Ushqim kryesor kanë varfërinë dhe të ndjerit të trajtuar keq e më keq. Nëse serbët duan që të ketë një paqe që ja vlen të jetohet duhet ta garantojnë këtë për shqiptarët që kanë atje në Luginën e Preshevës që ta gëzojnë këtë paqe që ja vlen të jetohet. Duhet të bëjnë dhjetra kilometra për të lindur fëmijë, apo duhet të futen nëpër shkolla sikur futet e gjithë lagjja në një kotec sepse nuk është bërë përpjekje për t’i dhënë sinjalin që edhe këta e meritojnë. Vëmendja ndaj minoritetit duhet të jetë e posaçme.

Sokol Balla: Është e vërtetë që situata e tensionuar pas deklaratës për njohjen e Kosovës nga Serbia la disi në hije temën e trajtimit të Preshevës nga Serbia. Në fakt tek kjo pikë u mbështetët edhe nga Berisha, megjithatë fakti i trajtimit apo parimi i reciprocitetit mes veriut të Kosovës dhe Preshevës, mund të trajtohet si argument që ushqen një tezë të vjetër që serbët në fakt nuk është se nuk u pëlqen; ajo e shkëmbimit të territoreve. Në këtë aspekt dua të më bëni dallimin. Kjo është një tezë që është folur pak pas pavarësisë së Kosovës, që nëse ndahet veriu, atëherë edhe Lugina e Preshevës mund të ndjekë të njëjtën rrugë dhe Maqedonia Perëndimore etj etj.

Edi Rama: Shkëmbimi i territoreve është një vizion i tejkaluar i një bote të vjetër, që e sheh territorin si identifikimin me vetë kombin dhe që përjashton cdo kombësi tjetër. Kjo është marrëzi sepse Ballkani është kaq i ndërthurur dhe mozaik kompleks saqë t’i hysh kështu me territore s’dihet më se ku del. Një gjë është e sigurtë që nuk del në shekullin e 21, nuk del në Europën e bashkuar, por del shumë mbrapa në kohë. Sfida është si praninë e të tjerëve ne ta kthejmë në vlerë që na bashkon. Shqiptarët në Preshevë, nuk janë një problem, por një plus, nuk janë një e metë, por një vlerë. Janë një arsye shumë e fortë për shkuar në Serbi dhe për të folur me serbët. Nuk mundet dot të ndërtojmë një Ballkan të integruar në BE duke patur dy standarde, fjalë të tjera në Bruksel dhe vepra të tjera pas shpinës së Brukselit. Kjo është ajo që unë besoj. Cfarë mund të presësh nëse njerëzit janë në limitet e mbijetesës?!

Sokol Balla: Pra ju thoni që ka një braktisje të qëllimshme nga shteti serb ndaj kësaj pjese të territorit të saj?

Edi Rama: Mjafton të ecësh me makinë dhe të shohësh majtas-djathtas nga Beogradi atje dhe nuk ka nevojë as të pyesësh për të parë cfarë diference ka. Është koha për të ndryshuar paqe dhe unë këtë e kam folur drejtpërdrejt me kryeministrin Vuçiç dhe koha do të provojë se sa gjëra do të kthehen në realitet. Ka qenë shumë perceptiv në raport me nevojat e atyre njerëzve.

Sokol Balla: Këtë e pranoi edhe në konferencë për gabimet mbi nevojat e atyre njerëzve në arsim dhe shëndetësi. Gjithsesi, ju thatë që keni qenë i keqkuptuar, por pas kësaj vizite ju keni fituar një kapital që nuk e keni pasur në publik, atë të një personi që është i ndjeshëm ndaj çështjeve kombëtare…

Edi Rama: Unë këta të çështjeve kombëtare që nuk kanë gjë në dorë dhe që tundin flamurin sikur ju dhemb kombi, unë këta i konsideroj parazitë, as atdhetarë, as nacionalistë, as patriotë. Këta i konsideroj parazitë që duan të bëjnë biznes me kombin dhe kombëtaren. Nuk ka gjë më të thjeshtë. Cfarë e pengon një person që të marrë flamurin, ta tundë dhe të thotë unë e dua vendin tim më shumë se ç’e doni ju të tjerët?! Dashuria ndaj vendit tregohet me fjalë kur është vendi dhe me vepra në atë pjesë tënden që të takon. Dashuria për kombin tregohet duke paguar faturat e energjisë elektrike, duke paguar taksat, duke paguar të gjitha kontributet që të takojnë dhe duke mos u nxjerrë sytë të tjerëve por duke u thënë të tjerëve; ky është vendi im, ai është vendi jot, por t’i nuk mundet të pengosh të mirën time dhe përsa kohë t’i respekton të mirën time ne bashkë jemi në rregull.

Sokol Balla: Thatë që keni qenë i keqkuptuar në këtë drejtim, nuk keni frikë që të keqkuptoheni sërish nga një valë e madhe patriotizmi që ka shpërthyer ditët e fundit kur nesër pasnesër të bëni dicka që mund të dalë në drejtim të kundërt të kësaj? Ka disa që ju akuzojnë që po rrëshqisni në rrjedhën tradicionale të nacionalizmit ballkanik. Unë që ju njoh dhe të tjerë që ju njohin e dimë që ju nuk do e bëni këtë, por ndoshta me një veprim tjetër mund të tregoni të kundërtën. A keni frikë se mund të zhgënjeni shqiptarët?

Edi Rama: Nacionalizmi për mua është ferri që njerëzit ndërtojnë me duart e tyre duke menduar se po ndërtojnë parajesën e tyre përmes bërjes ferr të jetës së tjetrit. Patriotizmit është dicka krejt tjetër dhe nuk ka rrëshqitje tek patriotizmi. Pa të nuk ka atdhe, nuk ka komb nuk ka zhvillim.

Sokol Balla: Po ju përmend disa deklarata të vjetra dhe të reja, deri diku ka edhe analogji me paraardhësit tuaj, ju quajtët anti-shqiptarë apo qendrime anti-shqiptare të disa zyrtarëve europianë që nuk donin që Shqipëria të merrte statusin e vendit kandidat. Të njëjtën gjë e bëri edhe Kryeministri i mëparshëm në samitin e sigurisë të Mynihut. Pardje në Preshevë deklaruat se Kryeministri shqiptar dhe çdo qeveri shqiptare kanë detyrim kushtetues të kujdesen për shqiptarët kudo që ata jetojnë…

Edi Rama: Është në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë kjo.

Sokol Balla: Këtë thoshte ama edhe Berisha kur mbronte tezën e dhënies së pasaportave për të gjithë bashkëkombasit shqiptarë, një tezë që ju e patët kundërshtuar.

Edi Rama: Ne jemi në një proces europianizimi dhe integrimi në BE dhe çështja e pasaportave, nëse duam që të bashkohemi me Europën, duhet të respektojmë edhe disa rregulla europiane. E kam thënë dhe e them kudo se është absurd dhe turp për Europën që shqiptarët e Kosovës, kur ishin nën diktatorë lëviznin lirisht, tani që janë shtet i pavarur dhe demokratik duhet të marrin viza ndërkohë që të gjithë të tjerët lëvizin lirisht. Ne duhet të luftojmë për këtë dhe kjo nuk bëhet duke u thënë hajdeni të gjithë ju merrni pasaportat tona. Këto janë gjëra që na bëjnë edhe qesharakë në sy të BE-së. Nëse është një politikë e dakortësuar, pastaj është diçka tjetër. Është detyrim kushtetues dhe Kushtetutën nuk e kemi bërë ne. Ka qenë aty dhe s’ka pse të ndodhte që unë jam i pari Kryeministër që shkoj vizitoj Preshevën. Ka qenë si zv.Kryeministër edhe Ilir Meta. Pra kur ka pasur vullnet për të shkuar, është gjetur rruga për të shkuar. Të tjerat pastaj për të bërë broçkulla duke provokuar gjithë Europën, është kollaj t’i thuash por vështirë ta mbajnë supet e këtij populli, këtij kombi. Provokon ata të cilët kurrë shqiptarët nuk do ishin sot këtu ku janë, aleatët tanë strategjikë, SHBA dhe BE. Arsyeja që shqiptarët janë këtu është sepse besën e kanë dhënë me ta dhe atë besë ne nuk mund ta shkelim sepse shkelim mbi veten tonë. Për një moment të caktuar e çuam në fund fare mbështetjen e tyre dhe agravuam marrëdhëniet me gjithë botën demokratike duke folur për albanofobi botërore dhe duke akuzuar për albanofobi Komisionin Europian, se ato ishin për Komisionin Europian, jo për këta që e thonin vetë, nga këta euroskeptikët.

Sokol Balla: Pashë një moment që u përlotët në Preshevë. Nuk ju dija kaq sentimental në politikë?

Edi Rama: Nuk më dije kaq kështu, nuk më dije kaq ashtu…

Sokol Balla: Keni nxjerrë një profil në këtë vizitë që duhet thënë që nuk e keni patur më parë në publik

Edi Rama: Aty ishte një situatë që realisht unë nuk e kisha menduar që do kisha pasur ndonjëherë fatin ta jetoja dhe kam pas edhe raste të tjera që më kanë pritur e nderuar, por në atë situatë kur shikon ata njerëz që të japin atë respekt dhe të shprehin atë besim duke të dhënë titullin e qytetarit të nderit në atë vend, është një nder i rrallë dhe emocion shumë i rrallë. Edhe falë kontributit të gazetarëve dhe reputacionit që ka politika në përgjithësi, ku të gjithë ata që merren me politikë u duken njerëzve si profesionistë rrenash, që s’kanë as ndjenja, as ideale, as aspirata, por vetëm luajnë teatër nuk na ndihmon shumë dhe duket sikur s’kemi mundësi të kemi emocione. E vërteta është që gjithcka që shqiptarët kanë arritur, është arritur përmes politikës. Politika ka në dorë të bëjë të mira të mëdha për njerëzit, ashtu sic ka edhe fuqinë të shkatërrojë kur është e ndërtuar mbrapsht.

Sokol Balla: Pamë një prezencë të jashtëzakonshme sigurie tuajën personale dhe gjithë delegacionit. Realisht kishte shqetësim konkret real për një atentat të mundshëm?

Edi Rama: Nuk dua të flas me aspekte që janë marrë të tjerët. Ka patur një investim shumë serioz për sigurinë dhe unë bëra një falenderim për kryeministrin serb dhe forcat serbe të sigurisë. Ka patur një angazhim të jashtëzakonshëm dhe arsyet i dinë ata.

Sokol Balla: Do të vizitoni sërish Beogradin pas 1 muaji në një samit shumëpalësh, lidhur me partneritetin e rajonit me Kinën dhe investimet e saj në rajon. Kur të shkoni sërish në Beograd pas 1 muaji do t’i kërkoni sërish Serbisë të njohë Kosovën?

Edi Rama: Kur të shkoj atje do të them çfarë është për t’u thënë atje. Në këtë rast bëhet fjalë për një samit ndërkombëtar që organizohet cdo vit nga qeveria e Kinës me prani të Kryeministri kinez që fton 16 kryeministrat e Europës Qendrore dhe Lindore për të diskutuar mbi projektet e bashkëpunimit me këto vende. Ne kemi paraqitur gatishmërinë që ta bëjmë në Tiranë, vitin e ardhshëm, apo pas 2 vitesh. Do të shkoj atje sepse kemi disa diskutime të hapura me palën kineze për disa projekte me rëndësi të veçantë.

Sokol Balla: Zoti kryeministër, ka një nivel pragmatizmi apo populizmi në aksionet tuaja politike, përfshirë edhe atmosferën post-Beograd. Pra, ju po bëni atë që po kërkon shumica: nuk donin armët kimike, nuk i morët; donin dorëheqjen e Luiza Xhuvanit, e dha; donit të flisnit për pavarësinë e Kosovës, e bëtë. Por për mua më e rëndësishme është të plotësohen premtimet, madje mbajtja e qëndrimeve edhe jo populiste… 

Edi Rama: Nuk më rezulton që shumica donte që unë të shkoja në Beograd.

Sokol Balla: Shumica nuk donte të thoshit ato që thatë…

Edi Rama: Shumica ka qenë kundër ose skeptike dhe pjesa që thoshte ‘duhet shkuar’ ishte pakicë. Ka raste kur shumica është pro dhe kundër, por rëndësi ka që të bëjë atë që duhet dhe jo të ndjekë humoret e momentit. Nuk është kështu siç thoni ju.

Sokol Balla: Megjithatë, thuhet se kur rritet nacionalizmi, kjo bëhet për të anashkaluar situatën e dobët ekonomike…

Edi Rama: Prisni pak, se përmendët Luizën. Luiza ka ardhur tek unë atë ditë dhe jemi takuar pak pas mesditës, kemi biseduar për atë që ndodhi dhe më ka thënë se ‘do të jap dorëheqjen’. Deri në atë moment që ma ka thënë, as ka pasur idenë se çfarë po thuhej në rrjete sociale apo ku di unë se çfarë. Por më ka shpjeguar se e shihte këtë si rrugën për të mos lënë asnjë alibi apo shteg për abuzim në funksion të procesit të drejtësisë. Besoj se kjo e vërtetë vlen të përsëritet për të respektuar një nënë fatkeqe dhe një familje fatkeqe. Ndaj tyre u hodh padrejtësisht baltë, ndërkohë që djali meriton ndëshkim shembullor për atë krim makabër. Nuk mund t’i hidhet baltë një gruaje që kontribuon në këtë shoqëri dhe një familjeje që jeton në kushte shumë modeste nga të ardhurat e një krijimtarie, në një apartament të kohës së vjetër. E them këtë pasi ndihem i fyer për reagimet që nuk janë të denja për një shoqëri që i thotë vetes ‘europiane’ e ku përgjegjësitë janë të ndara qartë.

Sokol Balla: Nëse zonja Xhuvani nuk do të kishte ardhur tek ju, ju nuk do t’ia kishit kërkuar dorëheqjen?

Edi Rama: Unë me ‘nëse’ nuk përgjigjem, se me ‘nëse’ kush e di se ku dalim. Unë di ç’është fakt.

Sokol Balla: Ok. T’i rikthehemi asaj që ju pyeta. Nacionalizmi nxitet kur ekonomia e një vendi nuk është e shëndetshme. Kjo është verifikuar në të shkuarën e afërt të Ballkanit. Mendoni se ky nacionalizëm po shihet mirë nga shumica sepse rezultatet në ekonomi nuk janë ato që priten?

Edi Rama: Rezultatet në ekonomi janë ekzaktësisht ato që priteshin. Por sigurisht, ajo për të cilën ne punojmë është që në 4 vite të arrijmë rezultatet që duam. Këto janë rezultatet që priteshin brenda parashikimeve dhe e përsëris se kemi marrë një ekonomi të rrënuar e copë copë, ku nuk kishte shenjë rritjeje dhe këtë vit e mbyllim me rritje brenda parametrave të parashikuar. Me një performancë tërëisht të kënaqme për të ardhurat, me mundësinë që të kemi jo rritje taksash por çlirim dhe incentivë në shumë drejtime. Nëse nuk do kishim hyrë në këtë proces reforme sot do ishim në një gjendje skandaloze si pasojë e një trashëgimie skandaloze. Drejtoresha e Bankës Botërore tha: ‘ajo që qeveria ka realizuar është realitet i një arritjeje shembullore’. Po ashtu, sa për rritjen e taksave që thuhet, ne kemi rritur dhe do rrisim taksën për cigaret, jo për të ngarkuar konsumatorin por për të dekurajuar konsumimin e një lënde vrastare në një shoqëri me shumë strese dhe gjëra. Jam i bindur që familjet na përkrahin plotësisht sepse po kontribuojmë që t’u shtohet jeta. Kemi rritur me 10 lekë taksën e qarkullimit të naftës, që vjet kur u vu na u tha se do bllokohej tregëtia, do bllokohej Shqipëria, etj. Asgjë e tillë nuk ndodhi. Sot kemi një çmim nafte më të ulët se ç’ishte dhe të mos harrojmë që është një taksë që nuk ngarkon më të dobëtit dhe ka 2 qëllime: uljen e ndotjes së madhe dhe dekurajimin e marrjes së makinës për të shkuar, le të themi, nga Piramida tek Universiteti, sikurse ndodh. E treta, kemi rritur për të balancuar taksën nga të ardhurat dytësore. Askush nga të pranishmit këtu në panel nuk ka rritje taksash dhe ne jemi besnikë të zotimit tonë: kush ka më shumë paguan më shumë, se ndryshe si do ta bëjmë këtë shtet? Gjithë këta që janë këtu do përfitojnë nga buxheti i vitit të ardhshëm dhe rritja e këtyre tre taksave.

Sokol Balla: Mund të thoni të njëjtën gjë për faturat e energjisë?

Edi Rama: Po, mund ta them pa tjetër. Gjithë ata që janë këtu, që janë pensionistë kryefamiljarë, që janë me ndihmë ekonomike apo me aftësi të kufizuara do të kenë rritje të pagesës së shtetit në xhep. Pra, s’ka asnjë efekt heqja e fashës. Heqja e fashës është heqja e mburojës për hajdutët. Nuk mund të pretendojmë të bëjmë gjërat që duam nëse pranojmë të vjedhim veten tonë siç kemi bërë për vite të tëra. Të gjithë do ta paguajnë energjinë dhe nuk do ketë asnjë kompromis dhe asnjë kthim pas. Është një operacion që vazhdon çdo ditë. Çdo ditë në tryezën time vjen raporti i operacionit nga OSHEE. Sa më shpejt ta bëjmë këtë proces, aq më shpejt do të dalim në një territor tjetër, sepse me vjedhje i heqim vetes ato të ardhura që ne pretendojmë.

Sokol Balla: Ndalojmë tek aksionet e INUK-ut. Këto janë veprime populiste…

Edi Rama: Në ç’kuptim?

Sokol Balla: Përdorimi i gjithë atyre forcave të policisë ju duket normale?

Edi Rama: Po për çfarë është policia? Për të ngrënë fara, për të marrë ryshfete dhe për të pirë birra? Provoni hidhni një lopatë llaç në Paris, por ju vjen menjëherë policia dhe atje ju fusin jo në komisariat, por në çmendi. Ju thoni për shtet policor, shtet policor për çfarë? Kush do t’i mbrojë njerëzit që respektojnë ligjin? Ç’taksirat kanë njerëzit që nuk futen dot në shtëpi pse iu ka dalë mamuthi i lagjes dhe iu ka zënë rrugën? Kjo do të vazhdojë dhe është për turp për mënyrën se si opozita bëhet zëdhënëse e atyre që kanë ndërtuar pa leje në zemër të autostradës. Si mund të pranojmë ne të vazhdojmë me këtë Shqipëri të rrugëve me aksidente? Ishim në Serbi për shembull, nuk ekziston që të ecësh në rrugë dhe të të futen nga të katër anët njerëz e makina për shkak të ndërtimeve pa leje. Dhe ata thonë pse i prishim! Ata kanë bërë krimin që i kanë lejuar një pejsë dhe që tani duhen marrë taksa për t’i shpronësuar.

Sokol Balla: A është e vërtetë që keni telefonuar një gjykatës për ta kritikuar pse ka dhënë një dënim të lehtë për një abuzues?

Edi Rama: Shkoni pyesni gjykatësin. Do doja shumë që gjykatësit të kishin vetë sensin e llogaridhënies sepse janë shkaku kryesor i kësaj katrahure ku ndodhemi. Është një kancer që e ka ngrënë Shqipërinë nga të katër anët duke e kthyer në një vend ku një ligj vlen për ca dhe një ligj për ca të tjerë dhe me dorën në xhep.

Sokol Balla: Para një jave kisha në studio kryeprokurorin Adriatik Llalla, i cili tha se po heton intensivisht një ministër të qeverisë tuaj dhe se rezultatet e hetimit do bëhen publike. Jeni në dijeni të kësaj dhe ç’do bëni nëse ndodh? 

Edi Rama: Nuk jam në dijeni të kësaj. Por mund t’ju them se jo vetëm që nuk do ta ndaloj, por do mbështes çdo veprim të prokurorisë për t’i vënë prangat çdo zyrtari të lartë, i djeshëm apo i sotëm, nëse e ka bërë veten për të shkuar prapa hekurave. Sepse kështu nuk shkohet më. Përgjegjësia është vetjake. Një ministër duhet të ndihet i nderuar që ka shansin t’u shërbejë njerëzve, por nëse e përdor detyrën për të futur duart në xhepat e njerëzve, sigurisht që meriton të hetohet, arrestohet dhe të burgoset.

Sokol Balla: Një koment për thirrjet e opozitës për protesta masive, sidomos kundër rritjes së çmimit të energjisë…

Edi Rama: Shqiptarët e kanë shumë të freskët kohën kur opozita e sotme ishte në pushtet dhe ditën kur mezi pritën të kishte zgjedhje të lira, që t’i mbushnin kutitë me një votë qartësisht për ndryshim. Problemi ynë është se ne nuk kemi opozitë. Ne kemi dy qeveri: një të zgjedhur nga populli dhe një të hequr nga populli, që sillet si qeveri në mërgim, nuk merr pjesë në Parlament dhe lufton regjimin me deklarata. Mungon vetëm Radio Londra për të dhënë intervista dhe të hyjnë aleatët që të largohet qeveria këtu. Thonë se nuk pranojmë komisionet hetimore, ua kemi dhënë siç i donin, vendet i kanë të lira, le të vijnë. Pastaj thonë ‘nuk vijmë sepse na rrahën’, është një ngjarje e shëmtuar për të cilën janë marrë masa. Në atë Parlament janë vrarë e janë thyer dhëmbë. Kjo i ka ndodhur njërit që sot është në opozitë. Prokuroria ka vënë nën akuzë një deputet të shumicës dhe prokuroria po punon. Tani, çfarë duan këta, që ne të pushkatojmë deputetët? Flasin për të inkriminuarit, i kemi thënë ejani nëse keni një propozim konkret për të bërë një ligj të veçantë për njerëzit që kandidojnë, të marrim një zotim apo diçka tjetër. Por jo. Çdo deputeti që futet në PS, natyrisht atyre të rinj dhe jo veteranëve, i është kërkuar dëshmia e penalitetit. Ajo që kanë bërë në të kaluarën nuk është puna jonë, por ne jemi gati të ulemi me ta. Ata thonë jo, mirë. Shkojnë dalin tek ndërtimet selektive, ato janë ndërtime që i kanë hipotekuar këta pas zgjedhjeve, kur po iknin. I kanë hipotekuar me lekë, se ndryshe s’bëhej.

Sokol Balla: Ju shembët një pallat në Vlorë që ishte me leje…

Edi Rama: Ishte shpronësim. Tani jemi duke bërë gjithë listën e shpronësimeve të godinave që do prishim në rotondat e rrugës nacionale, në bregun e liqenit të Pogradecit, ku prishëm disa dhe mbetën disa. Këta thanë se janë selektive, jo nuk janë. Janë ndërtime skandaloze të hipotekuara në mënyrë skandaloze. Këta në 8 vjet kanë bërë dyfishin e legalizimeve që ne kemi bërë në 6 muaj. Dhe kanë qenë legalizime për bizneset dhe jo për banorët në vështirësi. Me ata shkojnë dhe tallen. Dhe kërkojnë llogari! Protestuan për aeroplanin që ra, le të protestojnë, është rruga e tyre. Unë nuk them që bojkoti është anti-kombëtar, siç thoshin këta. Unë nuk them se këta nuk e duan atdheun e tyre, siç thoshin këta. Bojkoti është e drejtë e opozitës, koston e kanë marrë vetë parasysh. Unë them vetëm kaq: këta nuk janë opozitë, por qeveri në mërgim. Ky është një problem shumë i madh sepse nuk kemi përpara asnjë sfidë. E vetmja sfidë ishte për një komision hetimor. Gjë tjetër s’kemi dëgjuar. Kjo është opozita e “mos-it”, sepse është ende qeveria që është krenare për ato që ka bërë. Një opozitë që nuk ka thënë asgjë për të shkuarën e vetë. Aty problemi është tek koka që është në shtëpi.

Sokol Balla: Zoti kryeministër, faleminderit që ishit me ne sonte.

Edi Rama: Faleminderit juve.

174 shikime 1 sote

About the Author

albaniaplus -

Komentoni

XHTML: Mund te perdorni keto html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

We use cookies to ensure that we give you the best experience on our website.
Ok