Rama: Legalizimi falas, shtysë për ekonominë kombëtare

61

edi rama 6100 tituj pronësie për banorët e zonave informale ka shpërndarë sot kryeministri Edi Rama në qytetin e Fierit. Kryeministri Rama sqaroi se me daljen e ligjit të ri në rastet kur toka është e familjes nuk ka asnjë detyrim për të shlyer, nëse toka nuk është e familjes, por është e shtetit apo e pronarit, do të ketë një procedurë të re dhe shumë mbështetëse për familjet. Kjo procedurë, tha ai, mbi bazën e parimit që legalizimi në të gjitha rastet do të bëhet falas.

“Toka, sigurisht që do të paguhet me një çmim, që do të jetë 50% më i ulët sesa vlera e tregut, por pagesa do të bëhet në disa mënyra. Kush do të paguajë menjëherë, do të ketë një ulje të menjëhershme prej 50%, që do të mund t’i paguajë me letra me vlerë dhe do të ketë një ulje tjetër prej 20% deri 30 % në çmim. Puls do të ketë dhe një ulje të tretë, që është një mesatare prej 400mijë lekësh të vjetra, për të paguar energjinë për dy vitet e ardhshme. Pra, nuk do t’i merren paratë po do t’i lihen qytetarit për të paguar energjinë dhe do të legalizohet menjëherë shtëpia”. tha Rama.

Duke folur për procesin e legalizimit falas, Kryeministri tha se nuk do të shkojnë më familjet apo kryefamiljarët tek ALUNIZNI, po do të shkojë ALUNIZNI në çdo familje, dhe do të ndihmojë për të plotësuar të gjithë dokumentacionin pa pagesë, e më pas ata, do të marrin titullin e pronësisë në duar.

Kryeministri foli për rëndësinë që ka procesi i legalizimit falas, i cili jo vetëm pajis me dokumente pronësie këta banorë të zonave informale, por krijon mundësinë për t’i dhënë një shtysë shumë të fortë ekonomisë së tyre familjare, por edhe ekonomisë kombëtare. “Ky është legalizim falas. Është legalizim që nuk lidhet me ke apo s’ke para, paguan apo nuk paguan, por që i jep secilit titullin e pronësisë mbi shtëpinë e tij. Ky është një proces i cili na jep mundësinë që t’i japim një shtytje shumë të fortë ekonomisë së familjeve që sot jetojnë në shtëpi të palegalizuara, por nëpërmjet tyre t’i japim një shtytje shumë të fortë edhe ekonomisë kombëtare, theksoi Kryeministri. Gjithë këto kapitale të derdhura për t’u bërë shtëpi, vijoi ai,nga kapitale të vdekura që janë sot, që nuk ekzistojnë asgjëkund në letra, do të kthehen në kapitale të qarkullueshme përmes titullit të pronësisë, çertifikatës së pronësisë, hipotekës dhe bankës. Dhe nga ky qarkullim i ri kapitali fiton edhe ekonomia kombëtare. “Familja ka një instrument të ri për t’u punësuar, për t’u vetëpunësuar për të nxjerrë të ardhura. Dhe këto të ardhura që nxjerr, sigurisht që janë një e mirë e madhe edhe për shtetin, sepse ka më pak papunësi dhe ka edhe më shumë të ardhura nga taksat”, tha Rama.

Më tej, Kryeministri theksoi se ashtu si në shumë qytete të tjera është abuzuar me legalizimet edhe në Fier, pasi nuk janë legalizuar banesat pa leje në zonat informale, të ndërtuara për të strehuar familjet, por janë legalizuar objekte të ndërtuara kryesisht për qëllime fitimi. “Edhe në Fier, si në të gjithë zonat e tjera, nuk e kanë pasur mendjen të legalizojnë shtëpitë e njerëzve me halle, por kanë legalizuar vetëm ato ndërtime që janë bërë për të fituar lekë, dyqane e magazina. Këtu në Fier kanë legalizuar një sërë godinash që bllokojnë projektin e lumit të Gjanicës”, nënvizoi Kryeministri.

Në këtë takim, Kryeministri shoqërohej nga Ministrja e ZhUT, Eglantina Gjermeni, nga deputeti i qarkut Fier, Gramoz Ruçi, si dhe Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Artan Lame.Duke folur për specifikat e legalizimeve në qarkun e Fierit, të konstatuara pas një shqyrtimi nga ALUIZNI, Artan Lame tha se mbi 50 % e legalizimeve të bëra në Fier, në vitin e fundit, janë objekte shërbimi, në një kohë kur në totalin e tyre objektet e shërbimit përbëjnë më pak se 10 % të objekteve të vetëdeklaruara.

Banorët e njohën Kryeministrin me procesin e vështirë që i ka shoqëruar për legalizimin e banesave të tyre. Një prej banorëve tha se vetëdeklarimin e kishte bërë që në vitin 2005, prej 2 vjetësh priste certifikatën e pronësisë, por nuk mundi ta merrte. “Kam që nga 2005 që kam aplikuar dhe kam 2 vjet që kam ngelur të dera e ALUIZNIT dhe mua nuk më është dhënë certifikata” , tha ai.Një tjetër banore e Fierit, tha se aplikimin e kishte bërë që në vitin 2006 dhe certifikatën e pronësisë e mori sot. “Ia arritëm që sot, mbas gati 20 vjetësh që banojmë në ato shtëpi. Që nga viti 2006 është bërë vetëdeklarimi, dhe sot arritëm të marrim këtë certifikatë në dorë”, u shpreh qytetarja, ndërsa merrte dokumentin e pronësisë.

Duke vlerësuar se ndryshimet e bëra në ligj e lehtësojnë procesin për vetë banorët, Kryeministri theksoi se në Fier është konstatuar një tjetër përparësi për banorët, pasi më shumë se gjysma e ndërtimeve pa leje janë bërë në tokën e tyre private dhe ata nuk do të kenë asnjë lloj detyrimi për të shlyer. “Këtu, në Fier, ka një karakteristikë që më bëri shumë përshtypje. Janë 26 mijë familje që presin të legalizojnë shtëpitë e tyre dhe nga këto, gjysma, 13 mijë, janë ndërtime në tokën e tyre. Kjo është një e dhënë shumë e vlefshme dhe shumë e mirë, sepse e bën shumë të lehtë procesin. Praktikisht, ata që kanë ndërtuar në tokën e tyre nuk kanë asnjë lloj detyrimi për të shlyer. Nëse deri dje, ju e dini mirë, keni qenë të detyruar të paguani, të paguani, të paguani për çdo gjë, që nga bërja e një harte e deri tek marrja në dorëzim e dosjes nga zyra e ALUIZNI-t, sot nuk do të paguani asgjë.”, u shpreh më tej Rama.