Rama: Epoka e re në rajon kërkon njohjen e shtetit të Kosovës

61

rama-kryeminister_0Kryeministri Edi Rama, në një intervistë për gazetën serbe “Danas’, vlerëson rolin e Serbisë si një shtysë për krijmin e një epoke të re në rajonin tonë, konsolidimi i së cilës kërkon njohjen e shtetit të Kosovës.
“Serbia, përveçse ka hapur rrugën e saj drejt BE-së, mendoj se i ka dhënë një shtysë themelore epokës së re në rajon. Gjithsesi, për ta konsoliduar këtë epokë duhet njohja e shtetit të Kosovës, e cila do të përshpejtonte në mënyrë radikale dhe anëtarësimin e plotë të Serbisë në BE”, shprehet kryeministri Rama.
I pyetur për vizitën e paralajmëruar në Beograd, e shtyrë për shkak të kalendarit politik në Serbi, Rama përgjigjet se ende nuk ka një datë të dytë përfundimtare, por i rëndësishëm është prioriteti, që Shqipëria i jep bashkëpunimit të ngushtë me vendet e rajonit e padyshim, me Serbinë, me të cilën mendoj se ka shumë hapësirë bashkëpunimi, krejtësisht të pashfrytëzuar.
Duke folur për marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shqipërisë, sidomos në njëzet vitet e fundit, si dhe përpjekjet për normalizimin e tyre, Rama shprehet se nuk mund të ecet përpara duke mbajtur kokën pas. “Nëse e kaluara do të vendoste të sotmen, atëherë nuk do të ekzistonte e ardhmja. Historia e konflikteve ballkanike është e njohur, ndoshta dhe tejet e trajtuar sa që ishte kthyer në njollën e përbashkët të “Ballkanit si fuçi baruti”. Nuk besoj se ka ndonjë nga ne që do të zgjasë në të ardhmen këto njolla, apo t’i lejojë ato të formojnë kënetën e konfliktit si kurthi historik për gjeneratat tona të reja, kur në fakt ne po ecim në rrugën e një destinacioni të qartë e të përbashkët, Bashkimin Europian.
Duke nënvizuar se dy vendet nuk duhej t’i kishin lënë kaq gjatë të pashfrytëzuara hapësirat e bashkëpunimit, kryeministri shqiptar thekson se tashmë janë krijuar të gjitha kushtet për të hapur një faqe të re të marrëdhënieve në mes dy vendeve tona.
“Një dinamikë e re dhënë marrëdhënieve Shqipëri-Serbi do të përbënte një siguri më shumë e një shans më shumë për kohën e re që ka filluar në rajonin tonë. Synimi ynë për BE dhe në këtë kuadër dhe marrëveshja historike mes Kosovës dhe Serbisë, simbol i erës së re ballkanike, nuk lënë më vend për llogari shumë të vjera. Në këtë kuptim, ne i kemi thënë haptazi vlerësimet tona për Millosheviçin, dhe do t’i themi për këdo që cënon paqen, sigurinë, progresin, stabilitetin e rajonit, por ne nuk kemi paragjykime. Ne besojmë në sinqeritetin e orientimit paneuropian të zyrtarëve serbë, dhe kemi dëshirën që të ecim sëbashku në rrugën europiane si një destinacion brenda vetes, që do të thotë demokraci, mirëqënie, siguri në vendet tona dhe në rajon”, thotë Rama në intervistën e tij për serben “Danas”.
I pyetur nëse vizita e kryeministrit shqiptar në Serbi kushtëzohet nga BE-ja dhe motivi i përparimit të dy shteteve në procesin e integrimit, Rama përgjigjet se intensiteti i marrëdhënieve në rajon, mund të kenë shtysë BE-në, por kanë si rezultat, mirëqënien e rajonit. “Unë besoj se rajoni ynë është hapësirë përplotësimi i vendeve me njëri–tjetrin e jo konkurencë, aq më tepër konflikti. Ndaj padyshim, bashkëpunimi do të na bëjë të përparojmë më shpejt si shoqëri e të arrijmë anëtarësimin më shpejt për secilin prej vendeve tona”, shprehet Rama .
Në intervistën e tij Rama thotë se ndihet me fat që është njëri prej kryeministrave të asaj, që pas marrëveshjes Kosovë-Serbi, mund të quhet koha e re e rajonit. Ndjej mirënjohje për të gjithë punën e sakrificën e njerëzve, pa rëndësi kombësia a nacionaliteti, pa rëndësi profesioni apo krahu politik, që bënë të mundur këtë kohë. E di që ka shumë faktorë që bëjnë ndryshimin, që sot na vendos në një kontekst krejt të ri, dhe unë jam posaçërisht i gëzuar që më jepet shansi, përsa i përket përfaqësimit të Shqipërisë, që të ndryshojmë marrëdhëniet mes vendeve tona në këtë kontekst. Kemi humbur kohë. Por ajo që mendoj tani, nuk është sa vite kanë kaluar, çfarë nuk kemi bërë, por sa vite kemi përpara dhe sa shumë kemi për të bërë.
“2014 është viti i parë pa konflikte të hapura në historinë e Ballkanit dhe përkimi i këtij viti me 100 vjetorin e Luftës së parë Botërore, që nisi pikërisht në Ballkan, është mjaft domethënës për të pasur idenë e plotë të ndryshimit historik që ka ndodhur me marrëveshjen mes Kosovës e Serbisë. Kjo paqe është një arritje, por dhe përgjegjësi e përbashkët, për të hapur pa humbur kohë një epokë të re bashkëpunimi rajonal, sepse vetëm e të ndarë nuk i përballojmë dot sfidat e rënda të ekonomisë, papunësisë, pasigurisë energjitike, tensioneve sociale si pasojë e këtyre e shumë sfida të tjera me radhë. Jam i bindur se na duhet më shumë bashkëpunim dhe më shumë Evropë në Ballkan”, thotë kryeministri në intervistën për gazetën serbe.
Duke folur për prioritetet në marrëdhëniet mes dy shteteve, Rama thotë se një nga temat, që e sheh me interes të veçantë është ajo e trajtimit të rajonit si një treg i përbashkët nga i cili mund të ketë përfitime në shumë fusha.
“Sa i takon problemeve që mund të hasim në bashkëbisedime mund të jenë qendrimet në lidhje me Kosovën. Gjej rastin të theksoj se Qeveria shqiptare nuk do të mbajë një qendrim paternalist ndaj shtetit të Kosovës. Për ne Kosova është një shtet i barabartë me shtetet e tjera në rajon. Në bisedimet tona me Beogradin, në rastet kur do të hapet tema e Kosovës ne do të insistonim që Kosova të trajtohet, siç është, subjekt më vete. E në çdo rast nuk ka përse ne të flasim në emër të Kosovës. Natyrshëm, ka shumë gjëra që mund të ndërlidhin bashkëpunimin në trekëndëshin Tiranë-Prishtinë-Beograd, por gjithsesi, në këtë trekëndësh ka tre shtete të veçanta e të barabarta. Për më tepër besoj se rajonit tonë do t’i shërbente një përfshirje e sa më shumë vendeve të rajonit në sa më shumë nisma të përbashkëta.
Kryeministri nënvizon se në nivel rajoni dhe midis dy shteteve tona me rëndësi është tema e minoriteve. Sipas tij,
minoriteti serb në Shqipëri, edhe pse me numra është shumë i vogël, ka tashmë dhe një shkollë në fshatin Hamil të Fierit ku studiojnë rreth 100 studentë me origjinë serbe dhe boshnjake. Nga ana tjetër, në Serbi ka një minoritet më të madh shqiptar, një pjesë e konsiderueshme e të cilit në Luginën e Preshevës ku mijëra nxënës kanë problem në tekste mësimore në një kontekst dhe të papunësisë, problemeve ekonomike, të përfaqësimit etj. Duke pasur parasysh dhe angazhimin e Serbisë për të drejtat dhe sigurinë e Serbëve në Kosovë e kudo, unë besoj se në çdo rast përmes dialogut të hapur mund të zgjidhim më së miri çështjet të lidhura me minoritetet në bazë të standarteve europiane dhe në dobi të zhillimit të të gjithë rajonit.
I pyetur për vijimësinë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë Rama shpreson se do të ketë përparim në lidhje me Marrëveshjen e Brukselit, e cila thotë ai duhet të zbatohet në tërësi.
“Mendoj se në përfundimin e dialogut mes dy vendeve do të ishte shumë i rëndësishëm nënshkrimi i një deklarate të fqinjësisë së mirë mes dy shteteve, si akt i normalizmit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi”, thotë kryeministri. Ky akt, sipas tij, do të qe një mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, si OKB dhe një shtytje kështu për integrimin e Kosovës dhe Serbisë në BE.
Në këtë pikë thotë Rama, përballemi me problemin e mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës nga Beogradi. Ky, sipas tij, nuk është reagimi i duhur ndaj pavarësisë së Kosovës dhe që krijon shumë humbje kohe.
“Gjithsesi kjo mbetet në vlerësimin e politikës serbe dhe balancës që do të vendosë të mbajë ajo mes mosnjohjes si refuzim e mosnjohjes si hezitim dhe shtyrjes për sa më vonë. Me variantin e dytë, normalizim të plotë të marrëdhënieve me Kosovën pa u deklaruar për pavarësinë, Serbia përveçse ka hapur rrugën e saj drejt BE-së, mendoj se i ka dhënë një shtysë themelore epokës së re në rajon. Gjithsesi, për ta konsoliduar këtë epokë, për të cilën kam folur më herët, duhet njohja e shtetit të Kosovës, gjë që besoj do të përshpejtonte në mënyrë radikale dhe anëtarësimin e plotë të Serbisë në BE”, gjykon kryeministri shqiptar.
Në intervistën e tij, Rama ripërsërit mbështetjen e tij për kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, të propozuar për Çmimin Nobel për Paqe. Sipas tij, ky është një çmim shumë i merituar për kurajën dhe largpamësinë që kanë treguar të dy kryeministrat në thyerjen e miteve dhe tabuve politikë, por edhe kulturorë mes popujve dhe për kontributin në shndërrim e imazhit të Ballkanit nga një vend konfliktesh në një vend dorështrëngimesh.