Publikuar Ne: 21 Mars 2014
43 shikime
AKTUALITET / Lajmet e fundit / POLITIKE | By albaniaplus

Rama: Do t’i drejtohem zyrtarisht kreut të opozitës për reformën territoriale

edi rama 2Kryeministri shqiptar, Edi Rama, deklaroi se qeveria do t’i bëjë sërish thirrje me një letër zyrtare kryetarit të opozitës për të marrë pjesë në hartimin dhe miratimin e reformës administrative territoriale në Parlamentin e Shqipërisë.

Gjatë një interviste për emisionin “Top Story” të gazetarit Sokol Balla në “Top Channel”, kreu i qeverisë shqiptare, deklaroi se “Unë kam vendosur t’i drejtohem edhe njëherë me një letër kryetarit të PD që të na bashkohet në këtë proces të reformës territoriale. Është ngritur komisioni, i kemi njohur të drejtën e vetos dhe kemi kaq kohë që presim. Por ne nuk mund të presim pafund dhe qënrimi i opozitës s’mund të jetë pengesë për këtë reformë, e domosdoshme për t’i dhënë fund një historie korrupsioni, abuzimesh e shpërdorimesh që Shqipëria s’mund ta mbajë në kurriz, për t’i kthyer popullit 80 milionë dollarë në vit në formë investimesh dhe nuk është një reformë elektorale, sepse po ta kishte ne nuk do ta bënim në mënyrë të njëanshme. Ne nuk do prekim asnjë element të kodit zgjedhor”.

Duke folur për kriminalitetin, Kryeministri, theksoi se  “ka një rënie të ndjeshme me 33 për qind vrasje më pak se një vit më parë, ka mbi 30 për qind më shumë forcë goditëse ndaj trafiqeve dhe padyshim që kjo tregon se procesi ku ka hyrë Policia e Shtetit sjell hap pas hapi rezultat. Sfida jonë është që në katër vite krahasimin ta bëjmë me shifrat e kriminalitetit në rajon dhe më pas në atë të Evropës jug-lindore. Deri dje krimi ishte bërë zot i këtij vendi, ndërsa sot po rivendoset balanca mes shtetit dhe krimit. Policia është në ofensivë, krimi në difensivë”.

Zoti Rama ka vlerësuar me nota maksimale ministrin e Brendshëm, Sajmir Tahiri, por ka theksuar se nuk ka një dallim mes skuadrës së kabinetit.

“Unë s’kam bërë vlerësime të kësaj natyre sepse ne jemi një skuadër. Është hera e parë që qeveria funksionon kështu dhe e kam vlerësuar si ministrin që meriton vlerësimin më të lartë për shkak të barrës që ka përsipër. Nëse më parë e kam quajtur punën e tij si të shkëlqyer, sot kam një arsye më shumë për ta riquajtur kështu, sepse po bën një punë që së shpejti do të kthehet në produkt për publikun. Po bëhen reforma brenda strukturave, një paketë reformash për të cilën publiku do të njihet dhe që bashkë me respektimin e bazave të reja ligjore dhe futjes së teknologjisë do sjellë një transformim rrënjësor në polici dhe në gjendjen e sigurisë, përfshirë këtu sigurinë në rrugë e atë në tërësi në raport me rendin”.

Rama ka theksuar se ka marrëdhënie normale me Presidentin e Republikës Bujar Nishani dhe me institucionet e pavarura kushtetuese.

Kreu i qeverisë shqiptare ka theksuar se ka diskutuar me Presidentin e Republikës për të gjitha problemet e sigurisë kombëtare, por ka thënë se nuk dëshiron të bëjë në publik bisedën me kreun e shtetit.

“Ka ikur koha kur institucionet e pavarura linçoheshin në publik”, ka thënë Kryeministri Rama, i cili gjithsesi ka bërë të ditur se nuk ka një produkt konkret nga ana e SHISH në lidhje me shpërthimet e tritolit, për të cilat ministri i Brendshëm me fakte konkrete ka informuar dhe Presidentin e Republikës.

Kryeministri Edi Rama, ka kundërshtuar në mënyrë të prerë zërat se mazhoranca do të ndërmarrë një nismë parlamentare ndaj kreut të shtetit.

Në lidhje me legalizimet, Rama ka thënë se së shpejti do të ketë nisma që do të rikthejnë në ekonomi kapitalet e vdekura prej vitesh ndërkohë që ka deklaruar se tarifat do të jenë falas ndërsa do të paguhet toka që do të kompensohet për ish-pronarët.

Rama ka kundërshtuar gjithashtu zërat për ndryshime në kabinet, duke e argumentuar me argumentin se në një sistem bipolar ku ka dy aleanca politike nuk mund të ketë ndryshime por mbajtje përgjegjësish. Kreu i qeverisë ka riktheksuar qëndrimin se ka një marrëdhënie të mirë me Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe kreun e saj, Kryeparlamentarin Ilir Meta, të cilin Rama e ka cilësuar si bashkëkryetarin e koalicionit.

Duke folur për koalicionin Rama tha se “Kjo është aleancë që është votuar nga 1 milion shqiptarë. Jemi shumë të vegjël për ta cënuar besimin e tyre”.

Kryeministri ka theksuar se së shpejti qeveria do të dërgojë në Parlament nismën për të ndëshkuar abuzuesit e energjisë, ndërkohë që ka shtuar se ka një ulje të humbjeve të CEZ nga 52% në 42 %. “Do të luftojmë ndaj atyre që s’paguajnë që në fakt i bien në qafë atyre që paguajnë. Do ta nisim ndaj institucioneve të shtetit dhe atyre që kanë mudnësi të paguajnë”, tha Rama.

44 shikime 1 sote

About the Author

albaniaplus -

Komentoni

XHTML: Mund te perdorni keto html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

We use cookies to ensure that we give you the best experience on our website.
Ok