Qosja: Rama foli si politikan dhe intelektual i shquar

53

rexhep-qosjaFjalimi i kryeministrit Edi Rama dje në Beogradin zyrtar, vlerësohet nga Akademiku Rexhep Qosja si historik. Në një intervistë për televizionin A1 REPORT, akademiku Qosja tha se kryeministri Rama foli me gjuhën e ndërkombëtarëve kur tha se Kosova e pavarur është fakt i patjetërsueshëm dhe shtoi se kjo deklaratë ishte ajo që Kosovarët prisnin të dëgjonin prej tij.

Qosja thote se ligjërata e Ramës i ngjante asaj të një politikani dhe intelektualit të shquar, duke e nxjerrë mbi palët si lideri i parë në Rajon. Përpos kësaj, Qosja tha se kjo u nënvlersua nga kryeministri serb Vuçiç.

Qosja shkon dhe më tej kur deklaron se qëndrimet e metëjshme të Beogradit zyrtar, tregojnë frikë dhe pasiguri për rritjen e faktorit shqiptar në rajon.

“Serbia nuk është liruar ende prej mitologjisë për Kosovën dhe kjo i kufizon sjelljet e saj politike, qëndrimet e saj politike, të udhëheqësve të tyre politikë, i kufizon dhe do t’i kufizojë edhe më gjatë. Shqiptarët po bëjnë punën e vetë, jetojmë në një kohë që shqiptarëve u ka dhënë të drejtë historia. Ky është shekulli yni. Shqiptarët janë sot dy shtete, të cilat një ditë pashmangshëm do të bashkohen. Ata që janë të ndarë dhunshëm do të bashkohen vullnetshëm. Kryeministrin Edi Rama nuk mund ta poshtërojë kush, ai është superior, politikisht dhe intelektualisht, por ajo nuk është sjellje diplomatike, dhe as politike, nuk është sjellje e dinjitetshme. Për ne është kryesore që kryeministri i Shqipërisë, tregoi sjellje shumë të dinjitetshme dhe superior, intelektual dhe ashtu është pritur prej shqiptarëve”.

“Vizita e kryeminstrit të Shqipërisë Edi Rama në Beograd ka rëndësi shtetërore, rëndësi shtetërore për Shqipërinë dhe rëndësi shtetërore për Kosovën. Ishte një vizitë me një rëndësi historike sepse është takimi i parë mes liderëve të lartë shqiptarë dhe udhëheqës të lartë të Serbisë pas afro 70 vjetësh”.

“Në Kosovë kjo vizitë është pritur me interesim të jashtëzakonshëm për shkak të asaj që është dëshiruar, është pritur, është supozuar ta thotë Kryeministri Rama, dhe Edi Rama e tha atë që është dëshiruar dhe pritur në Kosovë. Të gjithë faktorët ndërkombëtarë, në radhë të parë perEndimorë i thonë Serbisë ta njohë Kosovën, është një çështje e kryer. Nuk mund ta çojmë Kosovën në Australi, ashtu sikur nuk mund të largojmë Serbinë, do jenë fqinjë gjithmonë. Edi Rama e tha këtë që e thonë faktorët ndërkombëtare, për të mirën e Kosovës e gjithë Shqipërisë e Serbisë. Rama e tha në mënyrën më të mençuar, më politike, më intelektuale”, – tha Akademiku Rexhep Qosja.