Qeveria e Kosovës thirrje palëve në Maqedoni

55

kosova_flag_1Qeveria e Republikës së Kosovës deklaroi sot se është duke i ndjekur me vëmendje zhvillimet e fundit në Maqedoni .Në një deklaratë për shtyp qeveria kosovare shpreh shqetësim për rritjen e klimës konfliktuale dhe u bën thirrje të gjitha palëve që të veprojnë në mënyrë sa më të qetë dhe kujdesshme për të shmangur me çdo kusht një përshkallëzim të mëtejshëm të situatës.
Qeveria e Republikës së Kosovës kërkon nga autoritetet në Maqedoni që të garantojnë zbatimin e të drejtave themelore të njeriut, konkretisht në këtë rast të mundësojë gëzimin e të drejtës së qytetarëve për të protestuar në mënyrë paqësore.
Qeveria e Republikës së Kosovës kërkon sigurimin e maksimumit të rigorozitetit dhe transparencës në proceset gjyqësore, në veçanti në rastin delikat që po trajtohet në Maqedoni , për të mos lënë kështu hapësirë që proceset gjyqësore të politizohen, apo të shërbejnë si bazë për kultivimin e urrejtjes ndëretnike.
Përveç kësaj, Qeveria e Kosovës i bën thirrje qytetarëve shqiptarë të Republikës së Maqedonisë që të veprojnë me maturi dhe vetëpërmbajtje, duke ndjekur rrugën e dialogut dhe institucioneve për zgjidhjen e problemeve. Po ashtu, i fton që të mos bien pre të provokimeve që vijnë prej segmenteve të caktuara, të cilët synojnë tensionimin e mëtejshëm të situatës dhe nuk përfaqësojnë vullnetin e popullsisë shqiptare në Maqedoni. Qeveria e Kosovës thekson se, këto grupime ndjekin axhenda specifike që shkojnë ndesh me interesat kombëtare prandaj ftohen qytetarët që të mos bashkëpunojnë me to e të mos bien në ndikimin e tyre.
“Prandaj, të gjithë aktorët dhe faktorët e jetës publike në Maqedoni duhet të vihen në veprim për të shtensionuar situatën dhe parandaluar degradimin në dhunë të protestave, që planifikohen të organizohen ditën e premte. Të gjithë duhet që bashkërisht të punojmë që të ndërtojmë një frymë të paqes e bashkëpunimit në Ballkan sepse rruga institucionale e dialogut dhe mirëkuptimit janë forma më e mirë e zgjidhjes së problemeve në shoqëri”, deklaron Qeveria e Kosovës.