Presidenti francez Hollande, dy vjet i dashuruar pas aktores Gayet

59

hollande-GayetNjë javë pas publikimit të marrëdhënies së fshehtë dashurore të Presidentit francez Hollande nga revista “Closer “, informacione të reja në lidhje me këtë histori janë botuar sot nga revista “People”.

Revista “People” shkruan se Hollande është në lidhje dashurie me aktoren Julie Gayet, që prej dy vitesh. Revista shkruan se historia e tyre e dashurisë ka njohur ndarje dhe ribashkime. Duke qenë e afërt me grupin e punës të ish gruas së Hollande, Ségolène Royal, aktorja Gayet i është bashkuar ‘klanit të Hollande’ gjatë fushatës presidenciale.

Dy të dashuruarit kanë kaluar gjithashtu një fundjavë pushimi në Mougins. Revista flet edhe për pushime verore mes Hollande dhe Gayet, kur Presidenti shkon në Tulle përkrah artistes, ndërkohë që e dashura e tij zyrtare Valérie Trierweiler ndodhej në Greqi dhe priste e dëshpëruar ardhjen e Hollande.

Revista thotë gjithashtu se pranë pallatit presidencial Elysée ndodhet dhe një apartament i dytë, përveç atij tashmë të bërë publik, ku Presidenti i fshehur pas kaskës së motorit takohej me të dashurën e tij sekrete.

Aktorja Gayet ka hedhur në gjyq revistën “Closer” duke kërkuar një dëmshpërblim prej 50 mijë euro për cenim të jetës private dhe 4 mijë euro për shpenzime gjyqësore.

Ndërkohë reagime të shumta ka pasur edhe në lidhje me të dashurën e tij zyrtare Valérie Trierweiler, e cila ndodhet e shtruar në spital nga një “lodhje mendore”. Qytetarë francezë revoltohen duke u shprehur se si ka mundësi, që për një depresion dashurie të privilegjohen njerëz e të zënë shtretërit e spitalit për ditë të tëra, ndërkohë që një qytetar i thjeshtë, pasi kryen operacionin nuk mund të rrijë më shumë se 2-3 ditë. Hidhërimet e dashurisë nuk mund të bëhen shkak për privilegje absurde në kurriz të taksapaguesve francezë.