Publikuar Ne: 6 Korrik 2015
410 shikime
Lajmet e fundit / OPINION | By albaniaplus

Për çekët e mirë Anna dhe Michael

Homazhe në Tiranë për dy turistët çekë Anna dhe Michael

Homazhe në Tiranë për dy turistët çekë Anna dhe Michael

Enver Robelli

Kur gjatë natës nga e premtja në të shtunën me shpejtësi rrufeje u përhap lajmi se në Dukagjin, jo në këtë të Kosovës, por në atë të Shqipërisë, janë vrarë dy turistë nga Republika e Çekisë, mendja më shkoi te disa njerëz, që mua ma kanë afruar Shqipërinë e veriut aq shumë, saqë verën nuk e quaj verë po nuk shkova së paku njëherë nga Valbona në Theth.

 

Më shkoi mendja te Nëntor Oseku, një djalë i Gjakovës, që e njeh aq mirë çdo cep të Shqipërisë, çdo kodër e fshat, çdo ujëvarë e lumë, çdo bjeshkë e liqen, saqë shqiptarët e andejshëm shpesh mbeten gojëhapur me bukuritë e vendit të tyre – të cilat Nëntori ua përshkruan me entuziazëm. Nëntori më shkroi rreth mesnatës, i tronditur për vrasjen e dy të rinjve, që ndoshta vitin e kaluar kemi mundur t’i takojmë rrugës për në Theth. Plumbat që ua morën jetën çekëve Anna dhe Michael kanë plagosur edhe ëndrrat tona për shtigjet e parrezikshme të alpeve shqiptare. Megjithatë, Nëntori nuk do të ishte ai që e njoh nëse do të zmbrapsej përballë barbarisë. Të shtunën më shkroi: “Jam rrugës për Valbonë se nesër e kemi një ngjitje”. Në profilin e Nëntorit në Facebook tani mund të shihni flamurin trengjyrësh çek.

 

Kur gjatë natës nga e premtja në të shtunën me shpejtësi rrufeje u përhap lajmi se në Dukagjin të Shqipërisë janë vrarë dy turistë nga Republika e Çekisë, mendja më shkoi te Ilir Seci. Nuk e njoh personalisht, por herë pas here në komunikimet tona e kemi ndarë entuziazmin për alpet shqiptare. Iliri i njeh ato vise më mirë se unë, sepse është vendlindja e tij, ndonëse tani jeton në Amerikë, por largësia për të nuk është pengesë që shpesh t’i kthehet asaj treve në kufi me Kosovën dhe Malin e Zi, që t’i merr mendtë me bukuritë e saj.

 

Javëve të fundit jo pa zili i lexonim përshkrimet e Ilir Secit nga veriu i Shypnisë: «Mbasi krijoi botën, ditën e shtatë krijuesi bani pushim… E muer veten dhe ditën e tetë krijoi Bjeshkët e Namuna…»; «Ecëm nalt kunorës së Bjeshkëve të Namuna, maje në maje prej Vermoshit e deri në Theth… Pamja e asaj kunore asht mahnitëse, bukuri e papërshkrueshme me fjalë… Në nji vend deshëm me u ulë me pushue, skej do çetinakëve në nji shpatije, kur maje nji kodre pamë tue u ngjit një tube me dhen…»; «Ndejtëm sa ndejtëm në Theth dhe të enjten e kishim planin me ba udhën prej aty në Valbonë… Ka ora pesë e mjesit u çuem dhe bamë gati çantat e shpinës… U ulem në katin e parë të kullës ku kishim bujtë atë natë, kullës së Ndoc Gjeçajt, që vizitorët e njohin si ‹Bujtina Gjeçaj›… Ndoci, i zoti i shpisë, ish çue para nesh bashkë me të shoqen… Ishin çue dhe kishin ba gati mjesin për tanë vizitorët e bujtinës… Kafet e nadjes, shoqnue me nga një gotë raki rrushi i pimë në oborr…».

 

Kur gjatë natës nga e premtja në të shtunën me shpejtësi rrufeje u përhap lajmi se në Dukagjin të Shqipërisë janë vrarë dy turistë nga Republika e Çekisë, mendja më shkoi tek Arben dhe Violeta Marashi, dy njerëz të mrekullueshëm, që çdo vit gjatë verës kthehen prej Lezhës në Theth, në shtëpinë e tyre, dhe gostitin bjeshkatarë nga mbarë bota. Zviceranë e gjermanë, çekë e holandezë, francezë e austriakë, natyrisht edhe shqiptarë, madje edhe të tillë që në këto kodra të larta me vete i marrin gratë – me sandale plazhi! Vrasja e turistëve çekë është goditje kundër punës së mirë që bëjnë Arbeni e Violeta dhe shumë njerëz të tjerë në Theth.

 

Kur gjatë natës nga e premtja në të shtunën me shpejtësi rrufeje u përhap lajmi se në Dukagjin të Shqipërisë janë vrarë dy turistë nga Republika e Çekisë, mendja më shkoi të Shkurtja, gruaja bujare e Thethit, që para një viti e preu një kec për dy dakikë, pastaj kur vajza e Arben Marashit e pyeti: «Sa me i qitë sheqer kafes», ajo u përgjigj: «Sa ban miza në krah». Gjuhë shqipe, gjuhë shqipe, e mirë dhe e ëmbël, e ambël!

 

Kur gjatë natës nga e premtja në të shtunën me shpejtësi rrufeje u përhap lajmi se në Dukagjin të Shqipërisë janë vrarë dy turistë nga Republika e Çekisë, mendja më shkoi tek arkeologu zviceran Christian Zindel, docent i dikurshëm në Shkollën e Lartë Teknike të Zürichut, i cili ka shkruar një libër për bjeshkatari në Theth e Kelmend. Më shkoi mendja pastaj te një mësuese zvicerane, e cila në një darkë në Zürich më kishte treguar me entuziazëm se si e kishte bërë shënjimin e shtigjeve për të ecur nga Thethi në Valbonë dhe nga Thethi në Mal të Zi. Pastaj m’u kujtua një gjerman që e kisha takuar në shtegun prej Valbonës në Theth, i cili punonte për agjencinë gjermane për bashkëpunim ndërkombëtar GIZ dhe i cili dëshironte t’i bënte publike dy gjëra: «Dua të shkruaj një libër për këtë trevë të mrekullueshme dhe e kam ftuar vajzën time nga Gjermania për t’ia treguar këto vise mahnitëse». Derisa babai fliste vajza buzëqeshte.

 

Kur gjatë natës nga e premtja në të shtunën me shpejtësi rrufeje u përhap lajmi se në Dukagjin të Shqipërisë janë vrarë dy turistë nga Republika e Çekisë, m’u kujtua një çift nga liqeni Chiemsee, që në gjuhën popullore quhet «deti i Bavarisë», e në fakt është sall një liqen i bukur. Ai çift vitin e kaluar po kalonte pushtimet në Theth. Ashtu si familja gjermane që kishte bërë një udhëtim nga jugu në veri të Shqipërisë – dhe të cilën e takuam te vaskat e Thethit. Ashtu si një vajzë gjermane që e vetmuar dhe e rraskapitur në fshatin e Gjelaj përmbi Theth e kërkonte rrugën për në Valbonë. Dita gati kishte ikur dhe Valbona ishte së paku gjashtë orë larg ecje me nge, por gjermania e përzemërt dhe e djersitur pa iu trembur syri tha: «Hajt se s’ka gajle, po më zuri nata fle diku në mal».

 

Ata kriminelë që i kanë vrarë qytetarët çekë Anna dhe Michael e kanë plagosur edhe shpresën se Shqipëria, më në fund, do të bëhet shtet funksional. Një apo shumë banditë që kanë kryer këtë akt të tmerrshëm duhet të arrestohen, duhet të çohet në këmbë krejt Shqipëria prej veriut në jug që këta kriminelë të marrin dënimin e merituar dhe kështu të dëshmohet faqe botës se s’durojmë që krimi të na e nxijë jetën.

 

Kur gjatë natës nga e premtja në të shtunën me shpejtësi rrufeje u përhap lajmi se në Dukagjin të Shqipërisë janë vrarë dy turistë nga Republika e Çekisë, m’u kujtua Petriti në kasollen e tij lart mbi Valbonë, të cilin e takuam edhe gjatë kthimit nga Thethi, dhe i cili komentoi pamjen e dy bjeshkatareve nga Holanda, që po pinin kafe në lokalin e tij: «Sa të holla, o burrë, një lahutë s’mundesh me e nxjerrë prej tyne». Kushedi, ndoshta njërën holandeze Petriti e takon edhe sivjet. Kur ajo u nis me shoqen e vet për në Theth i tha Petritit: «Shpresoj t’ju takoj edhe vitin e ardhshëm».

 

Kur gjatë natës nga e premtja në të shtunën me shpejtësi rrufeje u përhap lajmi se në Dukagjin të Shqipërisë janë vrarë dy turistë nga Republika e Çekisë, m’u kujtua një burrë që derisa me Nëntor Osekun dhe nja 30 gjakovarë gazmorë e njerëz të mirë po shkonim drejt Thethit e ndali kalin para nesh dhe na tha: «Mirë se ju ka pru Zoti», dhe pastaj secilit që donte të bënte fotografi me të ia jepte pushkën e tij të re të markës Beretta.

 

Duket se në Shqipërinë veriore, aty ku gjuha shqipe tingëllon ngjashëm si para dymijë vjetësh, ende ka kriminelë që duan të na vrasin të gjithëve. Vitin e kaluar në Velipojë ishte plagosur një turiste çeke derisa disa gjaknxehtë ishin zënë për një çadër plazhi. E përsëris: kundër tyre duhet të çohet në këmbë çdo shqiptar. Sepse ne edhe sivjet dhe gjithmonë duam të shkojmë në Theth – te Arben Marashi dhe dashamirës të tjerë. Sepse duam të shkojmë në Curraj të Epërm, në fshehtësinë e fundit të Shqipërisë. Apo jo, Nëntor Oseku? Apo jo, Lekë Sina?

 

Shqiptarët nuk duhet ta lënë Shqipërinë veriore në duar të banditëve – duhet ta pushtojmë me buzëqeshje. Bashkë me çekë e gjermanë, izraelitë e italianë, hungarezë e suedezë, britanikë dhe irlandezë, amerikanë dhe spanjollë. Marrë nga dialogplus.ch

 

411 shikime 1 sote

About the Author

albaniaplus -

Komentoni

XHTML: Mund te perdorni keto html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

We use cookies to ensure that we give you the best experience on our website.
Ok