PES konfirmon kandidaturën e Martin Schulz për President të KE-së

58

schultzPartia e Evropianëve Socialistë (PES) mblodhi këtë fundjavë Kongresin Elektoral në Romë, me pjesëmarrjen e liderëve të majtë dhe përfaqësuesve të partive social-demokrate evropiane, midis të cileve ishin Kryeministri i ri i Italise Matteo Renzi, Kryeministri i Francës Jean Marc Ayrault, Kancelari i Austrisë Werner Faymann, Kryeministri i Shqiperisë Edi Rama, Ministri i Jashtëm i Gjermanisë Sigmar Gabriel, Zv. Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Greqisë Evangelos Venizelos, si dhe kryetarë e përfaqësues të tjerë të partive social-demokrate nga e gjithë Evropa.

Levizja Socialiste për Integrim u përfaqësua në këtë Kongres nga Sekretari Nderkombëtar Ralf Gjoni, i cili në kuadër të Kongresit mori pjesë edhe në takimin e veçantë të Grupit të Punës për Ballkanin Perëndimor, dejtuar nga Ministri i Jashtëm i Bullgarisë Kristian Vigenin, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të partive politike të vendeve të Ballkanit dhe Eurodeputetët anëtarë të Grupit. Në takim ishte i pranishëm edhe Deputeti i Partisë Socialiste Taulant Balla i cili bëri një ekspoze të zhvillimeve të fundit dhe të axhendës ambicioze të qeverisë shqiptare gjatë muajve të fundit. Gjatë këtij takimi Sekretari ndërkombëtar i LSI Ralf Gjoni u shpreh se Shqipëria gjatë vitit të kaluar ka bërë hapa të medhënj përpara në konsolidimin e demokracisë së saj dhe se zhvillimet pozitive të vendit janë një lajm i mirë edhe për rajonin.

Gjoni theksoi se pavarësisht shtyrjes së miratimit të statusit të vendit kandidat në BE në dhjetor nga disa vende anëtare, mazhoranca qeverisëse është e vendosur në axhendën e reformave të saj, të cilat janë të vonuara dhe kërkohen nga qytetarët, të cilët presin rezultate konkrete në fushat e drejtësisë dhe zhvillimit ekonomik.

Në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ralf Gjoni falenderoi të gjithë miqtë social-demokratë të Shqipërisë në PES dhe në Parlamentin Evropian të cilët nuk e kanë ndalur asnjëherë mbështetjen e tyre gjatë këtyre viteve për axhendën evropiane të Shqipërisë dhe të rajonit, dhe të shpreh shpresën tonë për një rezultat sa më të suksesshëm të partive social-demokrate në zgjedhjet e evropiane, që do konsolidonte të ardhmen evropiane të të gjithë rajonit, veçanërisht në kontekstin e forcimit të partive radikale në disa vende të Bashkimit Evropian”.

Në përfundim të Kongresit të PES, mbi 91% e delegatëve votuan masivisht në favor të kandidaturës së Martin Schulz për postin e Presidentit të Komisionit Evropian, që gjatë zgjedhjeve të ardhshme evropiane do të zgjidhet për herë të parë përmes votës së drejtpërdrejtë të votuesve në vendet anëtare të BE. Martin Schulz gjatë fjalës së tij përshëndetëse, tha: “Dua të jem Presidenti i parë i Komisionit Evropian që nuk është rezultat i marrëveshjeve në zyrat e Brukselit, por rezultati i votës demokratike. Unë dua vetëm një marrëveshje, atë që bëhet vetëm me zgjedhësit evropianë”.

PES adoptoi gjithashtu edhe manifestin e fushatës elektorale në Romë, i cili do të bazohet në shtyllat e punësimit, rritjes ekonomike, reformës së sektorit financiar në Evropë, ruajtjes së rrjetës sociale evropiane dhe forcimit të lidershipit evropian në botë në luftën kundër ndryshimeve klimatike. Zgjedhjet evropiane do të mbahen në 28 vende anëtare të BE-së në 22-25 Maj 2014, nga të cilat do të zgjidhen 751 Eurodeputetë. Presidenti i Komisionit Evropian do të zgjidhet nga maxhoranca e Eurodeputetëve pas propozimit nga Këshilli Evropian. Nëse partitë socialdemokrate arrijnë të fitojnë shumicën në Parlamentin Evropian, atëhere kjo do të konsolidojë kandidaturën e Martin Schulz për President të Komisionit Evropian.