Publikuar Ne: 4 Janar 2014
40 shikime
AKTUALITET / Lajmet e fundit / POLITIKE | By albaniaplus

PD: Tahiri dhe Rama një rrezik publik, po ekzekutojnë qytetarë

silvibardhiPartia Demokratike në një deklaratë për shtyp ka akuzuar Ministrin e Brendshëm Sajmir Tahiri dhe Kryeministrin Rama se po ekzekutojnë qytetarë dhe se me këto akte po sjellin instalimin e praktikave të Sigurimit të Shtetit. PD e cilëson Ministrin e Brendshëm Tahirin, një rrezik publik dhe kërkon distancimin e tij dhe të Kryeministrit Rama nga taktika të tilla të turpshme.

“Po bëhen 5 ditë qysh se Ministri i Brendshëm brohoriti, rrahu shpatullat, e tha, bravo çuna, dhe e mbylli me gëzuar, vrasjen e një qytetari në kërkim, të dyshuar për kryerjen e veprave të rënda penale. Partia Demokratike i kërkon z. Tahiri të japë shpjegime e të distancohet menjëherë nga qëndrimi i tij mbi vrasjen e një qytetari nga policia, pasi sjellja e tij është një akt turpi për shtetin, për imazhin e vendit, dhe për vetë Policinë e Shtetit.  Partia Demokratike mbështet aksionet e policisë edhe kur ato sjellin pasoja ekstreme, nëse kjo është një masë e nevojshme për sigurinë e vetë policisë dhe të qytetarëve. Partia Demokratike mbështet reagimin e policisë kur është proporcional dhe në kushtet e parashikuara në ligj. Por është e pafalshme që Ministri i Brendshëm të predikojë vrasjen. Kjo nuk është sjellja e një ministri të një vendi që aspiron të integrohet në Bashkimin Europian”- tha Bardhi.

PD akuzon Ministrin Tahiri për rrezikshmëri publike dhe sjellje adoleshentësh dhe delir madhështie.

“Sjellja e Ministrit të Brendshëm është shenjë e një sëmundje të rëndë, të delirit të madhështisë dhe kjo ndodh kur një riosh vishet me më shumë pushtet nga sa i mbajnë shpatullat. Veprimtaria e policisë së shtetit është e bazuar rreptësisht në ligj, dhe nuk është një lojë luftash, siç zhvillohet në mendjen e ministrit Tahiri. Ministri i Brendshëm ka treguar se është një rrezik publik, dhe se nuk ka kthjelltësinë e pjekurinë e duhur për të mbajtur një detyrë kaq të rëndësishme.

Duke qenë se deklaratat e Ministrave, përpara se të bëhen publike, kalojnë nga aparati qendror i Edi Ramës, për fat të keq, kjo histori delirimi me pushtetin përfshin dhe Kryeministrin e vendit. Kjo e bën edhe më të rëndë situatën, dhe më të pashpresë zgjidhjen. Kur një ministër çmendet publikisht, nuk i kërkon dot as Kryeministrit që të marrë masa, pasi ai vetë ka dhënë liçencën për këtë dalldisje adoleshenteske”- tha me tej ajo.

PD kërkon distancim të tyre nga këto akte, që sipas saj do të lehtësonin opinionin publik.

“Vetëm një distancim i qartë publik, do të ishte një lehtësim për opinionin publik që është sot e kësaj dite i shqetësuar për komentet e qeverisë mbi vrasjen e një qytetari të dyshuar për vepra të rënda penale”- perfundoi Bardhi.

 

 

41 shikime 1 sote

About the Author

albaniaplus -

Komentoni

XHTML: Mund te perdorni keto html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Optimization WordPress Plugins & Solutions by W3 EDGE
We use cookies to ensure that we give you the best experience on our website.
Ok