PD: Rilindje e krimit, ky është çmimi që shoqëria po paguan

53

gent strazimiri - konference selia e pdNë një prononcim për shtyp, deputeti demokrat Gent Strazimiri, ka bërë përgjegjës ministrin Tahiri për krimin në vend, pasi sipas tij, ngjarjet janë fragment i klimës së terrorit.

“Një përplasje bandash, sipas policisë me motivin e hakmarrjes, ka ndodhur dje në mes të ditës, në një aks rrugor me fluks të lartë qarkullimi, që ka sjellë si pasojë dy të vrarë e dy të plagosur. Një nga të plagosurit është një kalimtar i rastit, te cilin fati i keq e çoi në atë moment në zonën e luftës. Vrasja është një ngjarje tipike mafioze, e mirëorganizuar, qartësisht e mirëpërgatitur dhe koordinuar nga një grup i strukturuar.

Ndërkohë dje, publikisht Ministri i Brendshëm, pyetjeve në lidhje me ngjarjen me të fundit, iu përgjigj me “nuk e di”, “nuk mund ta parashikonim”, “nuk na kishin informuar”.   Që vrasësit nuk kanë patur detyrimin të njoftojnë policinë dhe ministrin e saj për “pritën e mirëpërgatitur” dhe pasojat e saj, këtë e kupton çdo njeri normal, përveç Ministrit të Brendshëm. Që strukturat përkatëse të Drejtorisë së Burgjeve dhe Ministrisë së Drejtësisë, kanë detyrimin ligjor të njoftojnë policinë në momentin që vendosin të japin leje, veçanërisht për persona të dënuar për vrasje, këtë e thotë qartë ligji dhe është procedurë standart jashtë të cilës nuk mund të dilet. Ministri dje minimalisht duhej të kishte njoftuar se personat përgjegjës në Policinë e Shtetit, në Drejtorinë përkatëse të burgut apo në të dyja bashkë kanë zënë vendin e lënë bosh nga viktima, në burgun që i dha “lejen” tragjike.

Po ministri këtë nuk e bëri, e anashkaloi me një heshtje fajtore, duke luajtur rolin e “idiotit të dobishëm”. Ndërkohë opinioni publik, qytetarët që vuajnë arbitraritetin e gjobave apo idiotësinë e policëve civile që ruajnë semaforët, ndjejnë çdo ditë e më tepër faktin që ndërkohë që kjo qeveri po ç’organizon Policinë e Shtetit, krimi po organizohet me shpejtësi marramendëse duke përgjakur çdo cep të vendit. Fakti që krimi nuk kalon nëpër semaforët që ministri i ruan me policë të veshur dhe të zhveshur, nuk mund te jetë justifikim. Fakti që mediat qeveritare e fshehin, nuk e bën të paqenë! Ky është çmimi që shoqëria po paguan, për shpartallimin e Policisë së Shtetit me largimet e paligjshme të profesionisteve, dhe zëvendësimin e tyre me numëruesit dhe financuesit e PS, të cilët të vetmen “certifikatë profesionale” e marrin në zyrën përkatëse të PS ku dhe aplikojnë. Kjo është Rilindje e krimit, jo e shtetit!  Kjo është Rilindje e vdekjes, jo e jetës”