PD: Qeveria nis vitin me masakra të reja me administratën publike

47

vorspiPartia Demokratike në një deklaratë për shtyp, ka akuzuar qeverinë se e ka nisur vitin e ri me masakra të reja në administratë. Laura Vorpsi, deklaroi se PD i kujton urdhëruesve të këtyre akteve të paligjshme se herët apo vonë, do të përgjigjen penalisht për shkeljet dhe për abuzimet qe po bëjnë.

“Qeveria e ka nisur vitin e ri me masakra të reja ndaj administratës publike, duke shkarkuar dhjetëra profesionistë e nëpunës civilë, e duke i zëvendësuar ata me militantë të papërvojë dhe pa kualifikimet e duhura.

Më 8 janar, Ministrja e Mbrojtjes ka kaluar në listë pritje më shumë se 70 nëpunës civilë. Lista e pritjes është siç dihet paradhoma e shkarkimit nga detyra, pasi ndërkohë, janë shpallur njoftimet për vendet e reja të punës. Motivi i largimit të nëpunësve është ristrukturimi, një hile që tashmë i ka dalë boja, pasi ndryshon vetëm emërtesa e sektorit apo e drejtorisë, sepse në realitet vazhdon të kryhet i njëjti funksion.

Po ashtu, për një ditë, janë larguar 12 specialistë të kualifikuar të Zyrës së Punës. Pa asnjë motiv ligjor. Shkarkimet pa motiv, por thjesht për të hapur vende pune për militantët e Partisë Socialiste po bëhen çdo ditë edhe në rrethe.

Partia Demokratike e denoncon këtë masakër të qeverisë ndaj nëpunësve civilë, dhe e dënon këtë akt primitiv, anti-ligjor që shkakton kosto të rëndë sociale për shumë familje, si dhe dëmton rëndë administratën publike dhe procesin e Integrimit Evropian të vendit. Të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë e kanë bërë të njohur qëndrimin e tyre për rëndësinë që ka administrata publike dhe forcimi i kapaciteteve të saj. Revanshi i egër politik i qeverisë ndaj nëpunësve civile është edhe më i dyshimtë e i paligjshëm kur dihet se Gjykata Kushtetuese ka marrë një vendim kundër aktit të mazhorancës, për shtyrjen e zbatimit të ligjit të ri të Nëpunësit Civil.

Por asnjë nga këto paralajmërime nuk po e pengon qeverinë të ndalojë fshesën partiake ndaj administratës civile. Partia Demokratike i kujton urdhëruesve të këtyre akteve të paligjshme se herët apo vonë, do të përgjigjen penalisht për shkeljet dhe për abuzimet qe po bëjnë”, deklaroi ajo.