PD-ja e shqiptarëve, Luli i tradhtarëve

57

bashaNga Reldar DEDAJ

Brenda logjikës së funksionimit të Partisë Demokratike ka kohë që po mbahet pezull një ide, e vjetër sa vetë krijimi i saj. Është pikërisht nga ato soj që duhet shumë guxim dhe ideal për ta hedhur poshtë njëherë e gjithmonë. Pasi idetë janë si syzet të cilat vazhdimisht na ndihmojnë për të parë sa më mirë. Ose në të kundërt, për ta manipuluar atë çka ne duam që ta shohim sa më qartë.

Megjithatë, për të hedhur poshtë ca ide të vjetra, së pari na duhen disa të reja. Por edhe nëqoftë se ne i kemi idetë e reja, përsëri na duhen disa burra për t’i vënë në përdorim. Dhe këtu fillon rreziku i parë për PD-në. Me siguri, mungesa e këtyre burrave e ka çuar këtë parti drejt një katandisjeje akoma edhe më të madhe.

Kjo për arsyen e thjeshtë, se sot, Partia Demokratike qysh kur është katandisur me në krye një kinse kryetar nuk është fare e vështirë për të konceptuar ecurinë e saj. Edhe pse, mund të themi, se halli i shqiptarëve nuk është fati i PD-së në vetvete, por fatkeqësia se nuk ekziston më askush që të kujdeset për hallet e tyre.

Në një kohë kur media më tepër po funksionon si një instrument konservimi i figurave të degraduara të partive të ndryshme, kur organizatat joqeveritare janë të lidhura me segmente të caktuara të partive, kur fakultet e vendit arrijnë të rekrutojnë stafet e tyre profesionale dhe pedagogjike sipas referencave politike, kur administrata publike është totalisht e uzurpuar nga klientelizmi dhe partitokracia, pyetja është shumë e thjeshtë: kush do ta mbrojë qytetarin shqiptar nga abuzimi partiak edhe klientelist që çdo ditë e më tepër po i merr frymën këtij vendi?!

Pra, sot, ne na duhet si asnjëherë tjetër një opozitë konstruktive në mendim, e pajisur me element të gjallë moral, e gatshme të sakrifikojë për interesin kombëtar, e vetëdijshme se ka ardhur nga një disfatë e stuhishme, e gatshme të vetëkorrigjohet dhe të pranojë gabimet e saj, vetëm atëherë ne mund të kemi shansin të dëgjojmë dhe të shohim një shpresë rreth vatrave tona të ashpra familjare, që për hir të së vërtetës janë katandisur si mos më keq nga borxhet dhe mjerimi i paanë dhe i paskaj.

Nëse ne mendojmë se Edi Paloka do jetë garanti i zërit të opozitës në kuvend, do jetë garanti i mbrojtjes dhe i kumtimit të halleve të shqiptarëve, më mirë t’i kapim e t’i shesim televizorët për bakër se nuk mund të na hyjnë më në punë për asgjë.

Kësisoj, opozita duhet të jetë e pajisur me njerëz që zotërojnë të gjithë potencialin moral dhe etik për të dalë përballë shqiptarëve, e mbi të gjitha pse jo edhe të ndodhë që të flasë në emër të tyre, në emër të së ardhmes, për hir të integrimit, zhvillimit kombëtar, rendit dhe sigurisë në vend, të dalë dhe të flasë  për krimin e organizuar, trafikun e drogës dhe Lazaratin e famshëm që Ministri i Rendit Tahiri nuk po ja mban bytha as ta përmendë.

Por, këtë duhet ta realizojnë njerëz që kanë të gjithë të drejtën e zotit për ta bërë këtë, që nuk janë përlyer në asnjë pazar, që nuk janë shoqëruar dhe mbi të gjitha nuk kanë përdorur terror me të fortët  e tyre kundra njerëzve dhe gazetarëve që kanë menduar krejt ndryshe nga ata. Vetëm atëherë do të kemi rastin të shohim një forcë të vërtetë opozitare, që ka thellësisht ndërmend të merret seriozisht me problemet dhe hallet e shumta të shqiptarëve të varfër, të sakatuar nga jeta dhe fati.