Një fletore tek xhepi i b…

58
xhepi studentitBledi Mane
Mëngjeset në Tiranë janë të bukura. Rrëmuja, energjia, kaosi e bëjnë interesante fillimditën.Shpesh rri e kundroj njerzit tek ecin, vrapojnë, ngasin makinat, marrin autobuzët për në destinacionin e tyre dhe them me veten:këta janë pjalmi i vërtetë, janë ata që e mbajnë gjallë qytetin me punën e tyre. I kundroj tek nxitojnë tregëtarët, mësuesit, shitëset, pastrueset, xhepistët e autobuzëve, hallexhinjtë e ardhur nga rrethet, punonjësit e administratës..të gjithë janë energjia e kryeqytetit të zhurmshëm por entuziazmi im zbehet disi kur shoh të parakalojnë tufat e dembelëve. Ma gjeni një vend në botë ku studentët shkojnë në universitet me një fletore pas bythe dhe pas 4-5 vitesh këta tipa i ke drejtorë drejtorie, avokatë, agronomë, veterinerë, finacierë? E më kujtohet kur sapo dola nga burgu më 2004, i premtova vetes që do studioja rëndshëm. Fitova konkursin e gazetarisë dhe qysh nga tetor i atij viti shkoja i rregullt çdo mëngjes me çantën time “adidas” të blerë enkas në Londër. Brenda saj gjeje fletore për çdo lëndë, fotokopje leksionesh, gazetat e ditës, libra të ndryshëm dhe nuk e imagjinoja dot veten të dilja pa çantën time nga shtëpia. Çanta për mua ishte treguesi më i mirë i një studenti megjithëse herë-herë ndjehesha si alien në fakultetin tim. Viti i parë ishte plot surpriza e dallavere dhe kur dëgjoja pas krahëve “ky palla s’mbushka mirë që tërë pordhë merr çantë në shkollë” pezmatohesha dhe si zevzek që jam edhe zihesha me rrobt që i jepnin gojës. Por këto insinuata nuk ishin asgjë para grevës së atëhershme të pedagogëve, mungesave të shpeshta të pedagogëve, nivelit akademik mjeran të disa pedagogëve, përjashtimit tim nga shkolla, dhunës policore në fakultet…Çanta prej një viti rrinte diku në qoshen e dhomës ku flija dhe porsi vajzat e marra peng prej terroristëve më kundronte e më lutej në heshtje: deri kur? Vitet kaluan dhe dëshira për çantën mu zbeh. Pas 8 vitesh arrita të përfundoj studimet në të dyja nivelet, dhe unë porsi ata dembelët e mëngjeseve u katandisa me një fletore te bytha. Gazetarinë e kam talent e pasion dhe mësoj çdo ditë prej saj ndaj ndjehëm vetëm pak fajtor. Fletorja te bytha ime nuk është dhe aq e rrezikshme dhe me kosto. Imagjinoni fletoret e tjera te bytha e studentit që nesër bëhet doktori, gjykatësi, veterineri, bankieri…