Ngacmimi i femrës dhe vrasja për të ruajtur ‘nderin’ e saj

108

Nga Eni Kondi

Pse shqiptari preket kaq shumë kur i ngacmojnë motrën? Pse revoltohet dhe e ndjen si detyrim moral që të vejë në vend nderin e cenuar edhe pse kjo mund të mbart kosto të rënda në jetë njerëzish? Ç’është ky ‘nder’ që duhet të ruhet me çdo kusht dhe për çfarë arsyesh? Pse mbështetet nga shoqëria dhe opinioni social në heshtje, duke e përkrahur këtë fenomen?

Një serë pyetjesh të vinë ndër mend, kur përpiqesh të analizosh një fenomen të tillë, i cili nuk shtrihet vetëm në këtë drejtim, por prek dhe sfera të tjera të jetesës në një ambient social.

Ngjarja e rëndë e bregdetit shqiptar, solli në vëmendje të opinionit publik, sërish problematikat që ekzistojnë brenda shoqërisë shqiptare. Pse ndodh ky fenomen? Pse një shqiptar arrin të vrasë kur i ngacmojnë subjektin femër (motër, grua, të dashur, rrallë herë edhe nënën)? Pse një europian nuk vret në këto raste? Çfarë ndryshon në këto kultura?

Fillimisht për të kuptuar arsyen, pse meshkujt në shoqërinë shqiptare vrasin për arsye të cilat në shoqërinë perëndimore konsiderohen banale, duhet të kuptojmë rrënjët e formimit kulturor dhe social në këtë aspekt. Që në periudhën kur jeta e shoqërisë shqiptare rregullohej nëpërmjet kanuneve zonale, roli i femrës në të ishte i një aspekti zhvlerësues. Zhvlerësimi dhe mos konsiderimi i saj ishte kanunizuar në rregullat e shkruara, të cilat e konsideronin femrën si një objekt, që duhej të ruhej dhe ‘nderi’ i saj, i përkiste burrit dhe familjes së saj. Burri kishte të drejtë ta vriste gruan në rast se, ajo cenonte ‘nderin’ e saj, që automatikisht ishte i përkthyer në nder të burrit, që e përfaqësonte atë. Familja e saj, po ashtu vendoste për vdekjen e femrës duke i dhenë një fishek në pajë, bashkëshortit të saj. Pra, e thënë ndryshe vrasja e subjektit femër, miratohej nga institucioni familjar (nëpërmjet futjes së fishekut në pajë) dhe ekzekutohej nga bashkëshorti. Pra, kishte një konsensus social të vendosur nëpërmjet normave kanunore për konsiderim të qenies femërore si një subjekt pa të drejta themelore, si e drejta për jetë dhe se kjo e drejtë mund t’i cenohej sa herë gjykohej se ‘nderi’ i saj është cenuar. Nderi në formë paradoksale i ruhej vetëm femrës, pra për nderin e saj vritej, ndërsa ‘nderi seksual mashkullor’ ishte një koncept abstrakt.

Sigurisht në momentet kur këto zakone, u shndërruan në norma kanunore, burimi i tyre përgatitej si nga doket dhe zakonet që përfshinin shoqërinë në ato periudha, po ashtu edhe nga kuvendet e burrave nga ku dihet, se gruaja s’kishte aspak rol në to.

Këto forma kanunore të rregullimit të jetës në ato kohëra, të cilat për aktualitetin lindnin si një nevojë e domosdoshme, me ndryshimin e periudhave filluan të zbehen, duke marrë trajtat përshtatëse të evoluimit të shoqërisë. Format të hapura dhe të fshira të përcjelljes së këtyre normave ekzistojnë në shoqëri, të cilat sipas filtrimeve sociale, personale dhe familjare përcillen brez pas brezi. Këtë e dëshmojnë dhe një sërë proverbash, të cilat përdoren rëndom por që mbartin kodifikim të normave të hershme sociale, si: ‘ Nderin e gruas e ruan burri’, ‘Burri o të fal, o të var’, ‘Burri që të rreh, të do’, etj. Shprehje të cilat, kanë ndikimin e tyre në formësimin e individit, si brenda familjes ashtu dhe në shoqëri.

Periudha e post-tranzicionit, e cila duket se nuk ka mbaruar akoma, solli një kaos në këtë aspekt, duke ringjallur në zona të caktuara dhe në pjesë të veçanta të shoqërisë shqiptare elementë kanunorë, të cilët nuk kishin aspak përputhje me realitetin e shumë viteve më pas, por që u riaktivizuan si pasojë e ndërhyrjes së disa faktorëve.

Faktori kryesor ka qenë ndikimi politik. Filmimet e periudhës postkomuniste (sot gjenden në arkivin e TVSH-së) tregojnë se, si ish Kreu i PD-së Berisha, u premtonte malësorëve, se do t’i rikthente Kanunin, si një vlerë e pamohueshme e shoqërisë dhe që sipas tij, Komunizmi e kishte shkatërruar barbarisht atë. Paralelisht me këtë faktor ndikues politik, elementi tjetër që po ndihmonte në riaktivizimin e normave kanunore ishte dhe dobësimi i elementit shtet. Efikasiteti dhe roli i tij, ka pësuar një dobësim të konsiderueshëm, duke bërë që elementë kanunorë të riaktivizohen paralelisht me këtë përkrahje politike, si mënyrë për të mbijetuar në një shoqëri ku shteti e ka humbur rolin e tij, të vendosjes së rregullit dhe arbitrit asnjanës në gjykimin e çështjeve që rrethojnë problematikat e përditshme. Sa më shumë dobësohet roli shtetëror aq më shumë vlerësohet zgjidhja e problemeve në forma personale, të cilat e kanë bazën frymëzuese në mënyrë të ‘pavetëdijshme’ tek Kanuni.

Një faktor tjetër, që të ndihmon të kuptosh këtë fenomen është mënyra e formimit të individit brenda bërthamës familjare. Rëndom në familjet shqiptare shikon që fëmijët e sekseve të ndryshëm, trajtohen në forma të ndryshme. Ndryshe nga kultura perëndimore, që nuk bën diferencë në trajtim, shoqëria shqiptare injekton që në fëmijëri një diskriminim gjinor, përballë sekseve, duke i dhënë prioritet si në gjykim, vlerësim, trajtim, fëmijës së seksit mashkull. Rëndom, diskriminimi dhe zhvlerësimi ndaj femrës, shikohet që në dëshirën për shkatërrim të embrionit, kur ai kuptohet që është femër dhe dëshira që primon për të lindur mashkull.

Djali në familjen shqiptare edukohet, që të ketë prioritet mbi elementin femër, duke u pozicionuar në një ‘ruajtës dhe mbrojtës’ i nderit të saj. Nga ana tjetër edhe elementi femër edukohet me një inferioritet përballë superioritetit mashkullor, duke e gjykuar si normale, që mashkulli t’i mbrojë nderin, që të hidhet në luftë kur ‘nderi’ i saj cenohet. Të bën përshtypje gjithashtu që, ndonëse në moshë madhore femra duhet të presë që mashkulli (vëllai, babai, burri) të vendosë dhe t’i japë leje për kryerjen e shumë aktiviteteve, që në botën perëndimore duken absurde, pasi cenojnë lirinë individuale dhe personale të menduarit, të vepruarit dhe të gjykuarit.

Në shoqërinë shqiptare rëndom, vëllai mashkull nuk e kapërdin dot faktin që motra ka të dashur. Çfarë e shqetëson këtë mashkull? Pse shqetësohet nga jeta seksuale e së motrës? Pse mashkulli evropian nuk shqetësohet në këtë aspekt? Sepse, roli këtu qëndron tek edukimi që në familje. Mashkulli, i cili do të edukohet që në fëmijëri me superioritet dhe se duhet të kontrollojë jetën ‘seksuale’ të subjektit femër, pra ‘nderin’ e saj,  ai do të kuptojë vetëm këtë formë sjellje dhe komunikimi. Nëse shoqëria perëndimore i edukon në formë të barabartë të dy sekset e ndryshme, duke i edukuar që të kuptojnë që gjithsecili duhet të vendosë për jetën dhe veprimet e tij dhe se askush s’duhet të sundojë mbi tjetrin, as në aspektin seksual, sigurisht do të kemi të bëjmë me një individ i cili do të rritet pa komplekse dhe i hapur përballë pranimit të lirisë së veprimit, qoftë edhe seksual i qenies femërore.

Deri këtu kemi të bëjmë me mënyrën, se si mashkulli shqiptar i ndikuar nga formimi familjar, social dhe më gjerë, koncepton raportet përballë seksit femër, të cilat janë raporte dominuese dhe kontrolluese. Në momentin, që ky lloj formimi dhe edukimi dominues mashkullor, përballet më një shtet të dobësuar dhe që ka humbur rolin kryesor të tij, të arbitrit dhe rojtarit të drejtësisë në çështjen e zgjidhjeve të konfliktit si civil dhe penal, atëherë ky karakter mashkullor i formësuar në shoqërinë shqiptare, do të kërkojë vetë zgjidhjen e konfliktit nëpërmjet normave ‘kanunore’ tashmë të përthithura nga struktura familjare dhe sociale që në fëmijërinë e hershme.

Nëse në një situatë analoge në Europë, dikush do të ngacmonte seksualisht një femër, kjo femër do të vepronte në këtë mënyrë: do të telefononte direkt forcat policore duke raportuar incidentin në fjalë dhe do të depozitonte një ankimim. Një femër perëndimore nuk mund të mendojë dot që kur dikush e ngacmon të thërrasë familjen apo klanin familjar për ndihmë. Forcat policore, pasi të identifikonin autorin do të procedonin kundër tij, sipas rregullave në fuqi. P.sh në Europën e civilizuar në rast se e ngacmon seksualisht një femër në rrugë, minimumi dënohesh me një gjobë prej 250 euro dhe nëse ngacmimi është i vazhdueshëm apo më i rëndë t’i mund të kalosh edhe një javë i izoluar për riedukim. Disa vende, po forcojnë më tej kuadrin ligjor në këtë aspekt, duke ia lënë barrën e të provuarit të fajit, atij që akuzohet dhe jo denoncuesit.

Pra, nëse në kulturën perëndimore, familja është e kujdesshme të edukojë në forma të barabarta, jodiskriminuese të dy sekset e ndryshme që në fëmijërinë e hershme, në shoqërinë shqiptare ky fenomen është i rrallë. Ky aspekt përforcohet në kahe të kundërta më pas edhe nga mjedisi social dhe ai shkollor. Së fundmi, roli fuqizues i shtetit është pikërisht kufiri, ku lejohet kalimi apo moskalimi i tij. Në një shtet të fortë, individi e gjen zgjidhjen tek strukturat vepruese shtetërore, në një shtet të dobët dhe jo funksional, individi do t’i nënshtrohet zgjidhjes së konfliktit në forma personale, pasi gjykon se shteti është i pafuqishëm dhe nuk mund të sigurojë mbrojtjen e jetës dhe pacenueshmërisë së qytetarit.