Naço: Progres i kufizuar në luftën ndaj korrupsionit

60

Nasip-NacoMblidhet Konferenca Gjyqësore Kombëtare, me pjesëmarrje edhe të Presidentit të Republikës, Bujar Nishani dhe ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço.

Në këtë mbledhje që pritet të vazhdojë deri në orët e vona të pasdites po diskutohet për problematikat kryesore të drejtësisë.

Ministri i Drejtësisë Nasip Naço theksoi se, lufta ndaj korrupsionit ka bërë progres të kufizuar, pasi shpesh gjyqtarët përfshihen në praktika korruptive të pandëshkuara. Ministri tha se, nevojitet rritja e transparencës dhe eficencës së sistemit.

“Ministria e Drejtësisë mbetet e vendosur në vijimin e reformave në drejtësi, dhe në rritjen e besimit të qytetarëve ndaj këtij sistemi. Lufta ndaj korrupsionit gjyqësor ka bërë progres të kufizuar. Por shpesh gjyqtarët përfshihen në praktika korruptive të pandëshkuara. Nevojitet rritja e transparencës dhe eficencës së sistemit. Një klimë e përgjithshme mosbesimi ndaj sistemit është krijuar në vend. Kjo situatë duhet të pranohet si një realitet që duhet ndryshuar, dhe duhet të koordinojmë përpjekjet tona në këtë drejtim. Reforma në këtë drejtim duhet të ndërmerren së bashku, dhe këtë ia kam kërkuar edhe KLD. Inkurajoj KLD të ecë sipas prioriteteve. Kërkoj të përmbyllet procesi i emërimeve në gjykata administrative. Kam kërkuar zbatimin e dekretit të presidentit për caktimin e numrit të gjyqtarëve të Shkallës së Parë, Administrative dhe të Apelit. Kam kërkuar të zgjidhet absurdi i mosemërimit të magjistratëve”.

Naço vijoi më tej duke pohuar se ka kërkuar për rishikimin e sistemit të vlerësimit të gjyqtarëve.

 Kam kërkuar rishikimin e sistemit të vlerësimit të gjyqtarëve. Ministria e Drejtësisë ka ndërmarrë nismën për hartimin e projektligjit për vlerësimin e gjyqtarëve. Ky është rekomandim nga misioni EURALIUS. Gjyqtarët duhet të zgjedhin përfaqësuesit në KLD. Duhet të kontribuoni për prioritetet në reforma në projektrezolutën që do të miratoni. Të zgjedhurit tuaj në KLD shfrytëzojnë mandatin duke promovuar vetveten. Një frymë e tillë jo vetëm nuk ndihmon në përmirësimin e besimit të qytetarëve tek sistemi, por e dëmton atë”, – u shpreh ministri i Drejtësisë, Nasip Naço.