Publikuar Ne: 20 Gusht 2015
237 shikime
AKTUALITET / Lajmet e fundit / OPINION | By albaniaplus

Mos u besoni politikanëve, që luajnë “komedi si të virgjër”!

fugaArtan Fuga
Për një gazetari kritike, jo raportim thjesht deskriptiv, tre raste në edicionet e lajmeve sot në mëngjes:

Rasti i parë:

Thuhet se statistikat europiane a gjermane theksojnë se azilkërkuesit nga Ballkani ja kalojnë atyre nga Siria në Gjermani e Europë. Se azilkërkuesit shqiptarë vijnë në vend të dytë pas atyre sirianë.

Ore dinë të bëjnë statistika ata apo krahasojnë numrin e lopëve me të deleve???

Është njësoj si të thuash se kjo shtyllë tensioni e lartë vjen e dyta pas një grumbulli me rërë.

Por, këto janë dy fakte pa asnjë bazë krahasueshmerie thelbësore more statisticienë europianë… Shqiptarët ikin për arsye të një jetë më të mirë ekonomike, duke përfituar nga liberalizimi i vizave dhe nga tradita e tyre e këtij brezi. Kurse sirianët ikin nga lufta more… Se ashtu krahasoni azilantët edhe me turistët, edhe me krahun e punës të ligjshëm. Mos ua fusni statistikave kot se ne naivët i hamë ato si lopa kashtën dhe i përsërisim pa kritikë në çdo emision lajmesh…

Rasti i dytë,

Shumë mirë që këta kryebashkiakët e rinj socialistë a demokratë, meshkuj a femra, kërkojnë të bëjnë më shumë për qytetet e tyre. Por, kur luajnë komedinë sikur janë të virgjër dhe se historia fillon me ta dhe nisin të thonë se qyteti përmbytet për shkak të politikave të gabuara të atyre që kanë zëvendësuar në detyrë, kjo të hap barkun.

Po çfarë ke o derëbardhë që na tregon se fajin e ka ai që nuk është më, kryebashkiaku që iku???

Në ka faj çoje përpara drejtësisë, hiç mos hezito, nëse nuk e ka fajin ai, mos kalo gjysmën e mandatit duke na treguar se fajin për vuajtjet tona urbane, përmbytjet, plehrat, mungesën e ujit e ka ai që nuk është më, si bëri sot kryetari i Bashkisë së Vlorës. Nuk është as burrëri, as ndonjë teknikë e mirë për t’i ngopur qytetarët me lugë të zbrazur. Ke ardhur për të punuar or mik jo për t’u justifikuar me gjendjen e Vlorës qe kurse Ana Komnena dëshmonte pushtimin e Vlorës me anije e me lopata nga Anzhuinët që vinin nga deti.

Mos i lini o gazetarë të livadhisin kështu se ju bëjnë budallenj. Kritikojini sepse kemi njëzetepesë vjet që po kalojmë dorë më dorë duke vuajtur katër vjet me idenë se po korrigjojmë katër vjetët që ikën e kështu pafundësisht.

Rasti i tretë :

Shumë mirë që Bashkia në Tiranë kërkon të çlirojë hapësirat publike, por interesohuni pak o gazetarë se çfarë do të thotë deklarata se bashkia nuk kërkoka veçse dy metra hapësirë të çlirohet nga çdo biznes, sa për të kaluar pensionistët dhe gratë me barrë.

Vetëm dy gisht trotuar na jepni ju lutemi…

Çfarë është kjo deklaratë, kush ka frikë nga zënësit e hapësirave publike që u thotë na ktheni së paku dy metra. Të gjitha metrat t’i kthejnë se ato janë tonat, të qytetarëve, jo një shteg dhije sa për të kaluar njerëzit.

Dhe mos u merrni me ata kioskistët që kanë zënë cepin e ndonjë trotuari se ata me një karroce dore i rikthen andej nga kanë ardhur. Po sheshet që na i kane zënë pa leje dhe jashtë planit urbanistik pallatet shumë e shumë katëshe a do të na i ktheni???

Ato duam ne e u themi pastaj bravo. Jo këto shtigjet dymetroshe…Janë shumë pak.

Mos u vendosni dinamitin atyre përbindshave pa leje, por gjoba shumë të majme dhe paratë le t’i përdori komuniteti i zonës ose i lagjes si dëmshpërblim e jo të ikin nëpër xhepa që bëhen reklama birre.

Bëjuni kritikë o miq gazetarë, mos e lini rastin t’u ikë sepse po ju ikën audienca, detyra juaj është thelbësore, kritikoni çdo statistikë ngado që vjen, kritikoni çdo deklaratë ngado që vjen, sepse kjo është detyra juaj, jo t’u bëni fresk pushtetarëve që me freskun e bërë të mbroni pallatet pa leje të ndonjë pronari që gazetarët i përdor vetëm për lehje…, apo që lengëzohet para ndonjë thërrimeje reklame a për ndonjë tender që e pret prej muajsh e muajsh…, a për pak falje për taksat që nuk i ka paguar se për faturë tatimore as bëhet fjalë se jep…

238 shikime 1 sote

About the Author

albaniaplus -

Komentoni

XHTML: Mund te perdorni keto html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

We use cookies to ensure that we give you the best experience on our website.
Ok